Rama zihet me gazetarët kurse lali Eri bën selfije për të rregulluar muhabetin

Një ditë pasi Edi Rama ofendoi gazetarët, Erion Veliaj u shfaq në rrjetet sociale me një foto në grup të kolegëve të tyre, që raportojnë aktivitetet e Bashkisë së Tiranës. I sjellshëm dhe i buzëqeshur, siç i ka hije një djali të edukuar në perëndim, Veliaj shfrytëzoi rastin të bëjë dallimin mes tij dhe Ramës kur vjen puna tek marrëdhënia me njerëzit e medias. Shikoni më lart si i gëzohet autobusit të parë elektrik në një selfie, bashkë me gazetarë të sociales dhe zyrtarë të bashkisë.

Në të njëjtën ditë iu bashkua një fotoje në grup me reporterët. Të krijohet përshtypja se marrëdhënia e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës me gazetarët, është vite dritë larg asaj të vjetrit.
Por imazhi që Veliaj tenton të përçojë si një mik i medias është i rremë. Momentet nga puna e përditshme e gazetarëve nuk janë domethënëse, ose janë kryekëput tregues i marrëdhënies personale që ka krijuar me ta.

Në aspektin profesional, Veliaj është njësoj ofendues si Rama. Madje në rastin e tij mund të thuhet se nxënësi ia kalon mësuesit. Gazetarët e terrenit që mbulojnë Bashkinë e Tiranës janë njësoj të dhunuar dhe të ofenduar profesionalisht. Për shkak të marrëdhënies klienteliste që Veliaj ka vendosur me pronarët e mediave duke shpërndarë tendera, leje ndërtimi dhe favore të tjera, ai ka luksin t’i detyrojë gazetarët të riprodhojnë mekanikisht kronikat e gatshme që shpërndan zyra e shtypit e Bashkisë.
Gazetarët në të gjitha televizionet, jo vetëm e kanë të ndaluar të kritikojnë apo të denoncojnë problemet e Bashkisë së Tiranës, por shpeshherë nuk kanë asnjë informacion për aktivitetet që organizon Bashkia.
Materialet shpërndahen të gatshme ditën kur e vendos zyra e shtypit e Bashkisë. Ndodh që Veliaj të jetë jashtë vendit, kur televizionet transmetojnë kronikat e inaugurimeve dhe inspektimeve në shkolla apo rrugë.
Nëse gazetarët e kanë pranuar sot këtë dhunë profesionale sot, madje disa edhe janë prekur pa e kuptuar nga sindroma e Stokholmit, nuk do të jetë e largët dita kur Veliaj të lëshojë ndaj tyre të njëjtat ofendime si Rama. Dhe atë ditë, ofendimet as nuk do të bëjnë lajm.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne