Raporti final/ OSBE-ODIHR: Zgjedhjet e 11 majit konkurruese, por mjedisi i polarizuar! Garuesit s’kishin kushte të barabarta loje! Votimi nga jashtë u menaxhua mirë

OSBE-ODIHR thotë se procesi i votimit u menaxhua mirë dhe ishte i qetë. Partia Socialiste akuzohet për përdorim të burimeve shtetërore. Gjuha polarizuese mes Ramës dhe Berishës, nënvizohet si tipar negativ i zgjedhjeve të fundit parlamentare.

TIRANË– Zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin konkurruese, por u zhvilluan një mjedis shumë të polarizuar. Ky është raporti final i OSBE-ODIHR, ndërsa në të vlerësohet se procesi i votimit në përgjithësi u menaxhua mirë, ishte i qetë, por “u shënua nga një numër incidentesh të frikësimit dhe nxitjes së votuesve dhe disa mangësi procedurale dhe transparence në numërimin e votave.”

“Zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se u përballën me kërcënime”, thuhet në raport.

Vlerësime merr edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për transparencën në menaxhimin e zgjedhjeve, ndërsa për votimin nga jashtë, i cili u implementua për herë të parë në vendin tonë, OSBE-ODIHR thotë se u menaxhua mirë, ndonëse dakordësia mes palëve politike u arrit me vonesë.

“Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i prezantuar për herë të parë për këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes së vonë politike dhe miratimit të kësaj mase, si dhe disa çështjeve organizative”, thuhet në raport.

Në raport ngrihet edhe shqetësimi i përdorimit të administratës nga Partia Socialiste.

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të panevojshëm të zyrtarëve të lartë. Kishte gjithashtu shumë akuza për presion mbi votuesit, veçanërisht punonjësit publikë”, theksohet në raport.

Raporti përfshin shqetësimin për raportimet për blerje të votave dhe ndikimin e dyshuar të elementëve kriminalë në zgjedhjet në disa zona të vendit. Fushata në rrjetet sociale nuk ishte e rregulluar dhe nuk u caktua asnjë autoritet për ta monitoruar atë. Madje në raport, përfshihet si me ndikim negativ edhe mbyllja e Tik Tok.

“Pjesëmarrësit në garë e shfrytëzuan në mënyrë aktive Facebook dhe Instagram, ndërsa ndalimi i TikTok nga qeveria, që hyri në fuqi më 6 mars 2025, kufizoi mundësitë e disa kandidatëve për të bërë fushatë”, thuhet në raport. 

Etiketimet mes Edi Ramës e Sali Berishës gjatë fushatës elektorale janë gjithashtu të përfshira në raport.

“Toni i fushatës ishte shpesh konfrontues, me sulme personale midis dy partive kryesore dhe udhëheqësve të tyre.  Z. Rama e quajti vazhdimisht kundërshtarin e tij, z. Berishën, një “buf kënete”, dhe udhëheqës të tjerë të opozitës si “krijesa kënete”. Z. Berisha, nga ana tjetër, e quajti z. Rama “Antikrisht”, një “përbindësh” dhe qeverinë si “narkodiktaturë”.”

ODIHR jep 25 rekomandime për politikën shqiptare. I pari është një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme. Në vijim kërkohet depolitizim i administratës zgjedhore, dhe sanksione më të ashpra për ata që keqpërdorin burimet shtetërore për fushatë./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne