Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit/ Pse u vonua ngritja e institucioneve të drejtësisë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka hartuar një raport për krijimin dhe funksionimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, duke monitoruar procesin në periudhën nga prilli i vitit 2018 deri në marsin e këtij viti.

Pjesë e raportit është i gjithë procesi i ngritjes së institucioneve të reja; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi por edhe veprimtaria e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm si dhe veprimtaria e Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në ngritjen e KLGJ.

Në vlerësimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pavarësisht nga të gjitha vonesat, pengesat dhe sfidat, reforma gjyqësore vijon të sjellë rezultate sa i takon krijimit dhe funksionimit të organeve të reja të drejtësisë.

Por KSHH vëren se një prej faktorëve për vonesat e zbatimit të reformës në drejtësi janë ritmet e ngadalta të vettingut.

“Një faktor tjetër ndikues në zbatimin e ngadaltë të të gjithë reformës kanë qenë ritmet jo dinamike të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, disa prej të cilëve ishin njëkohësisht kandidatë për institucionet e reja të qeverisjes së drejtësisë”, shkruhet në raport.

Komiteti shqiptar i Helsinkit vëren se “Pastrimi i sistemit filloi nga gjykatat më të larta, nga ku rezultoi se gati të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë u shkarkuan dhe një minorancë e tyre u dorëhoqën, ndërkohë që edhe Prokurori i Përgjithshëm dha dorëheqjen gjithashtu. Ky proces kemi mendimin se evidentoi se sa urgjente ishte reforma në drejtësi”.

Por nga ana tjetër emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj është penguar, duke krijuar një pengesë tjetër të aksesit në drejtësi të qytetarëve në një periudhë të konsiderueshme./Balkanweb/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne