Raporti i qeverisë britanike: Donacionet publike britanike financojnë ekstremizmin islamik

Ekstremistët islamikë po marrin qindra mijëra paundë në vit nga individë të bazuar në MB, disa prej të cilëve duke e bërë këtë pa dijeni, ka zbuluar një raport i qeverisë.

Sekretarja e Shtetit Britanik, Amber Rudd tha se burimi më i zakonshëm i mbështetjes për organizatat ekstremiste islamike janë donacionet e vogla publike anonime. Mbështetja ka ndihmuar në financimin e predikuesve me pikëpamje thellësisht konservatore të Islamit që veprojnë në institucionet islamike në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në disa raste, këto organizata marrin qindra mijëra paundë në vit. Ky është burimi kryesor i të ardhurave të tyre,” tha ajo.

Rudd shtoi se disa donatorë mund të mos e njohin apo mbështesin axhendën e plotë të organizatave. Disa grupe paraqiten si organizata bamirëse për të kërkuar donacione nga muslimanët e paditur britanikë që japin për shkak të theksit që besimi i tyre i jep bamirësisë, thotë ajo.

“Disa organizata islamike të spektrit ekstremist portretizojnë veten si shoqata bamirësie për të rritur kredibilitetin e tyre dhe për të përfituar nga theksimi i Islamit ndaj bamirësisë.

“Disa janë qëllimisht të paqarta në lidhje me aktivitetet e tyre dhe statusin e tyre bamirës.”

Rudd refuzon të publikojë raportin e plotë mbi natyrën, shkallën dhe origjinën e fondeve për ekstremizmin islamik në Britaninë e Madhe për shkak të “arsyeve të sigurisë kombëtare” dhe informacionit personal që përmban. Në vend të kësaj, ajo ka lëshuar një deklaratë parlamentare me shkrim duke përvijuar gjetjet e saj kryesore.

Raporti u përfundua gjashtë muaj më parë dhe mendohet se publikimi i tij ishte vonuar kryesisht për shkak të shqetësimeve të qeverisë se mos lidhjet diplomatike me aleatin kryesor të Lindjes së Mesme, Arabinë Saudite, do të ishin në rrezik, nëse Saudia do të ishte implikuar në financimin e grupeve radikale në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministrja britanike Tereza Mej, e cila vizitoi mbretërinë në prill, u akuzua për “nënshtrim” ndërsa mbante të fshehtë raportin.

Vendimi për të mos publikuar raportin e plotë është sulmuar nga kundërshtarët politikë, përfshirë sekretaren Diane Abbott, e cila tha se “publiku ka të drejtë ta dijë”.

Abbott tha se kishte një “dyshim të fortë” se raporti ishte mbajtur “i shtypur për të mbrojtur prioritetet tregtare dhe diplomatike të kësaj qeverie, duke përfshirë edhe në lidhje me Arabinë Saudite”.

Bashkëudhëheqësja e Partisë së Gjelbër, Caroline Lucas tha se vendimi ishte “krejtësisht i papranueshëm”, ndërsa kreu Liberal Demokrat Tim Farron i bëri thirrje qeverisë të “emërojë dhe turpërojë” fajtorët e njohur.

Raporti është autorizuar nga kryeministri i atëhershëm David Cameron në nëntor 2015. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne