Reforma në drejtësi në 2018-ën; 35 shkarkime por asnjë hetim për pasuritë e paligjshme dhe vendimet e padrejta

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka publikuar raportin për vitin 2018-të ku është monitoruar dhe është bërë një analizë e gjetjeve kryesore të ecurisë së reformës në drejtësi. Raporti ka të dhëna të detajuara të procesit të vetting-ut, reformës, vlerësimin për KPK, IKP, KPA etj, si dhe për KLGJ, KLP, KED dhe strukturat e tjera.

Periudha e tranzicionit nga vettingu dhe ngritja e institucioneve të reja, deri në jetësimin tërësor dhe funksionimin e plotë të tyre, po përdorët, sipas ISP, nga grupe të ndryshme brenda vetë sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë për të përfituar maksimalisht përmes mohimit të dhënies së drejtësisë ose akteve të dyshimta për korrupsion.

“Kjo kategori pritet të japë dorëheqje në momentet e afrimit të procedurave të vettingut të tyre. Mungesa e lidhjes integrale midis vendimmarrjes për shkarkim nga KPK/KPA me pasojës me hetim e vendosje përpara drejtësisë të subjekteve që provohen se kanë shkelur ligjin, u ka dhënë fushëveprimi dhe imunitet individëve ende të pashkarkuar por me kredenciale negative në sistemin e drejtësisë, si dhe ka cenuar mbështetjen publike për thelbin e reformës në drejtësi”, thuhet në raport.

Një tjetër pikë e debatit për 2018-ën ka qenë edhe fakti se procesi i vetting-ut përfundon te shkarkimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve (35 deri më tani), dhe nuk vijon me hetime për pasuritë e paligjshme apo për vendimet e padrejta.

“Ecuria e procesit të vettingut ka nxjerrë në pah edhe debatin mbi atë që duhet të pasojë ky proces: nëse kemi raste të subjekteve të shkarkuara që kanë abuzuar me ligjin ose kanë burime financiare jo ligjore, apo të dhëna të tjera që vijnë në kundërshtim përcaktimet ligjore në fuqi, debati është përse vettingu kufizohet në shkarkim dhe nuk ka hetime më pas. Fakti është se deri më tani, ka vetëm dy raste kur kanë nisur hetime nga prokuroria, rasti i ish Prokurorit të Përgjithshëm dhe një rast tjetër mos-përputhjesh në deklaratën e dekriminalizimit nga një ish anëtar i gjykatës së Lartë”, shkruhet në raportin e ISP.

Fakti që të shkarkuarit nuk hetohen penalisht krijon problematika edhe për arsye se ata mund të marrin angazhime të tjera publike. Në ligjet e reformës në drejtësi nuk është përcaktuar që zyrtarët që dalin nga sistemi t’u ndalohet hyrja në universitete si pedagogë apo të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

“Nuk ka kufizim që subjektet e shkarkuara të rivlerësimit, gjyqtarë apo prokurorë, të emërohen pedagogë të së drejtës për vetë juristët e ardhshëm, të jenë drejtues në fakultetet juridike, të jenë drejtues në funksione publike ekzekutive apo të jenë kandidatë në listat e ardhshme elektorale të partive politike. Praktikat absurde e më shumë se një dekade më parë kur një funksionar i lartë i policisë i arrestuar dhe i dënuar për krim të organizuar dhe trafikim të lëndëve narkotike pas burgimit u emërua pedagog dhe drejtues departamenti në një fakultet juridik mund të ripërsëritet nëse nuk ndiqen standarde të larta në të gjithë sistemin horizontal të zgjedhjes dhe emërimeve”, saktësohet në raport.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne