Reformimi i Gjykatës Kushtetuese zhytet në kaos

Nga Vincent Van Gerven Oei

Pas emërimit të Marsida Xhaferllarit nga presidenti Meta, duket se krijimi i Gjykatës Kushtetuese ka degraduar në një krizë kushtetuese të plotë, në të cilën Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë (KED), Presidenti dhe Parlamenti akuzojnë njëri-tjetrin për antikushtetueshmëri dhe veprime jolegjitime.

Kjo është një përmbledhje e ngjarjeve të fundit:

— Më 22 shtator, KED-i publikoi katër lista me kandidatët për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese.

— Më 8 tetor, KED-i i dërgoi Presidentit Meta dy lista për dy vendeve vakante në GJK. Më 13 tetor, KED-i i dërgoi dy listat e tjera Kuvendit.

— Më 15 tetor, Presidenti Meta emëroi Besnik Muçin, anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese. Ky emërim nuk mori mbështetjen publike të ndërkombëtarëve, me shumë gjasa sepse Muçi ende nuk e ka kaluar procesin e vetingut me vendim të formës së prerë. Sidoqoftë, lejimi i emërimit në Gjykatë Kushtetuese i një magjistrati të pavetuar plotësisht, është rezultat i rregulloreve të miratuara nga vetë KED-i për të përshpejtuar procesin.

— Sipas Kushtetutës neni 179 (2), pas Presidentit, Kuvendi duhet të kishte zgjedhur anëtarin e dytë, por deri më 7 nëntor Kuvendi nuk emëroi askënd.

— Presidenti Meta i shkroi një letër KED-it, Kuvendit dhe Avokatit të Popullit ku sqaroi se ai nuk mund të emëronte një anëtar të dytë derisa Kuvendi të kishtë emëruar anëtarin që i takonte të emëronte, edhe nëse Presidentit do t’i duhej të shkelte afatin 30-ditor që supozohej se ishte mandatuar me Kushtetutë. Një nga arsyet ishte pikërisht se numri i kandidatëve ishte i kufizuar dhe zgjedhja nga një institucion do të ndikonte tek lista e institucionit tjetër.

— Më 8 nëntor, KED-i u përgjigj me një mesazh jo shumë të qartë, në të cilin nuk sqarohej qartë se në mungesë të veprimeve të Presidentit, anëtare e GJK-së u zgjodh kandidatja e renditur e para në listën e dytë dërguar presidentit, Arta Vorpsi.

— Kjo zgjedhje e KED u pranua nga Kuvendi, i cili më 11 nëntor zgjodhi si anëtare Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, në kundërshtim me rendin e kërkuar nga Kushtetuta. Toska dhe Papajorgji ishin kandidaturat e vetme që i mbeteshin Parlamentit — dhe për këtë arsye nuk kishte mundësi zgjedhjeje.

— Gjatë emisionit Tempora në OraNews, më 12 nëntor, deputetja socialiste Vasilika Hysi mbrojti veprimet e parlamentit duke deklaruar se rendi i përmendur në nenin 179 (2) nuk kishte të bënte me situatën aktuale, sepse shkarkimi i gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ishte “i paparashikuar” kur u hartua dhe miratua legjislacioni i procesit të vetingut. Ajo gjithashtu pohoi se për shkak se kishte kaluar afati 30-ditor për Presidentin, Arta Vorpsi u zgjodh automatikisht anëtare e GJK-se.

— Pavarësisht kësaj, më 13 nëntor Presidenti Meta emëroi Marsida Xhaferllari në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se afati 30-ditor vlen vetëm për Parlamentin, sipas nenit 125, pika 2 të Kushtetutës.

Në të vërtetë, Kushtetuta nuk parashikon në mënyrë të qartë një afat për Presidentin. Sidoqoftë, Ligji i Gjykatës Kushtetuese, në nenin 7 / b, pika 4 thekson qartë se periudha 30-ditore vlen edhe për Presidentin. Nëse Ligji i Gjykatës Kushtetuese është kushtetues për këtë pikë, kjo është çështje tjetër.

Fillimisht Xhaferllari u rendi e katërta në listën dërguar nga KED më 8 tetor, dhe për këtë nuk mund të emërohej, pasi neni 125, pika 1 e Kushtetutës thotë se ‘anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit’.

Në një konferencë për shtyp pas emërimit të Xhaferllarit, Presidenti Meta akuzoi Ardian Dvoranin, Kryetarin e KED-it, si një “ushtar të verbër” të Partisë Socialiste dhe se kishte krijuar kaosin ku ka arritur sot procesi i emërimit të anëtarëve të GJK-së. Ndërsa, Dvorani iu përgjigj letrës së Presidentit Meta duke i thenë se kishte shkelur afatin 30-ditor dhe se Arta Vorpsi ishte zgjedhur bazuar në nenin7/b, pika 4 të ligjit të Gjykatës Kushtetuese. Ai më tej përsëriti deklaratën e deputetes Hysi se rendi përzgjedhës nuk zbatohej në mënyrën se si e kishte interpretuar Presidenti.

Në të njëjtën kohë, deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla sulmoi Xhaferllarin, e cila e ka kaluar vetingun dhe kualifikimin nga KED. Ai tha se “Presidenti Meta mund të dekretonte edhe Enkelejd Alibeajn sot, sepse është po aq e pavlefshme sa edhe dekretimi i bashkëjetueses së Alibeajt [pra Xhaferllarit]”. Balla përsëriti gjithashtu se Presidenti kishte shkelur afatin 30-ditor.

Ndërkohë, mbi të gjitha këto tani mbetet çështja e betimit. Sipas neni 129 të Kushtetutës, të gjithë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese duhet të bëjnë betimin para Presidentit, dhe në ligjin e Gjykatës Kushtetuese shkruhet se pa një betim të tillë anëtarëve nuk u lejohet të ushtrojnë detyrën e tyre.

Në një veprim paragjykues Arta Vorpsi ndërmori dje hapin e pazakontë të betimit para një noteri, vlera juridike e të cilit është — përsëri — shumë e dyshimtë. Pas kësaj, Presidenti Meta nuk thërriti për betim Arta Vorpsin, por në vend të saj thërriti Marsida Xhaferllarin së bashku me dy anëtaret e emëruara nga Kuvendi.

Një ndërlikim tjetër është Gazeta Zyrtare. Deri më tani në të është botuar vetëm dekreti i Presidentit Meta për emërimin e Besnik Muçit. Katër emërimet dhe zgjedhjet e tjera nuk janë publikuar ende. Një pyetje që ngrihet është: A do të shkelë sërish Qendra e Botimeve Zyrtare ligjin duke refuzuar të botojë dekretin e Presidentit Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit?

Ajo që është bërë e qartë në të gjithë këtë situatë është se interpretimi i Kushtetutës dhe legjislacionit nga Presidenti është bërë gjithnjë e më i ndryshëm nga interpretimi i ofruar nga KED-i, Kuvendi (dhe ndërkombëtarët), ndërsa arbitri në diskutim — Gjykata Kushtetuese — mungon. Për më tepër, ekziston një mungesë totale besimi midis këtyre institucioneve, mungesë e cila tashmë ka dëmtuar rëndë qëndrimin dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve të saj, duke hapur potencialisht rrugën për shumë çështje të ardhshme që do të dërgohen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Faji kryesor për këtë situatë është i atyre që hartuan legjislacionin që aktualisht është bërë molla e sherrit. Sistemi tepër i ndërlikuar i përgjegjësive dhe afateve, mosbesimi, dëshira për manipulime nga të gjitha palët, e kombinuar me presionin e pandërprerë ndërkombëtar për të dhënë “rezultate”, e ka zhytur qeverinë e Shqipërisë në një nga krizat e saj më të thella deri më sot./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne