Refugjatët bllokojnë kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë

Kalimi kufitar midis Bosnjës dhe Kroacisë u mbyll pasi  qindra emigrantë dhe refugjatë u përpoqën të hynin në vendet e BE. Gjatë tentativës për të vijuar rrugën drejt vendeve të Europës, refugjatët dhe emigrantët krijuan trafik duke bllokuar kështu rrugën kryesore.

“Rreth 200 emigrantë dhe refugjatë bllokuan rrugën kryesore drejt kalimit kufitar të Bosnjës me Kroacinë të mërkurën në mëngjes, duke rezultuar në mbylljen e kontrollit të kufirit Maljevac për të gjithë trafikun, njoftoi policia kufitare e Bosnjës.

“Emigrantët janë ulur në rrugë, duke bllokuar trafikun dhe deri tani nuk janë regjistruar incidente”, tha zëdhënësi i policisë kufitare Sanela Dujkoviç në një njoftim për shtyp. Mediat lokale gjithashtu raportuan se rreth 90 emigrantë dhe refugjatë nuk janë lejuar të zbresin nga treni në të cilin ndodheshin.

“Autobusët me emigrantë nuk do të lejohen të hyjnë në kantonin Una Sana për shkak të mungesës së kapacitetit akomodues në këtë zonë”, tha Mujo Koriçiç, komisioneri i policisë.

Shtimi i emigrantëve dhe refugjatëve në drejtim të kufirit filloi të hënën dhe vazhdoi sërish të martën, kur rreth 400 vetë u mblodhën në kufirin me Bosnjën me Kroacinë, pasi qarkulluan zëra se Bashkimi Europian do të hapte dyert, por kjo rezultoi një mashtrim, shkruan IBNA.

Emigratët kanë kaluar natën në mes të rrugës duke shpresuar se do të vijë dita për një kalim drejt destinacionit  të vendeve të Bashkimit Europian.

Që nga fillimi i vitit deri më 17 tetor, rreth 18,000 emigrantë dhe refugjatë u regjistruan si të hyrë në Bosnje dhe Hercegovinë, shumë prej të cilëve po udhëtojnë në rrugën e re të ashtuquajtur “Rruga e Ballkanit” në Evropën Perëndimore, e cila kalon nëpër Shqipëri, Mali i Zi, Bosnja dhe në disa raste edhe nga Serbia.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne