Refuzohet kërkesa për vizitën e Sekretarit të Zyrës së Presidentit të Serbisë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka refuzuar kërkesën për të vizituar Kosovën Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, e cila ishte planifikuar për me 14 mars të këtij viti.

Sipas komunikatës së dërguar nga ministria, kërkesa është refuzuar për shkak të mbajtjes në paraburgim të shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, nga autoritet e Beogradit.

“Kërkesa u refuzua për shkak të arrestimit të padrejtë dhe mbajtjes së vazhdueshme në paraburgim nga autoritetet e Beogradit, të qytetarit të Republikës së Kosovës, Nezir Mehmetaj, edhe pse të gjitha faktet tregojnë se ai do të duhej të lirohej sa më parë”, njofton komunikata.

Më tej, ministria thotë se “kërkesat e tilla do të rishqyrtohen vetëm pas lirimit të Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga policia serbe më 4 janar të vitit 2020 në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga Zvicra në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte”.

Më gjashtë mars, ministri kosovar i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në rrjetet sociale shkroi se “autoritetet serbe ia kanë vazhduar paraburgimin kosovarit Nezir Mehmetaj, i cili ishte arrestuar në Merdare derisa po kalonte kufirin në janarin e vitit 2020”.

“Ministria e Jashtme e Kosovës thërret partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në që të kërkojnë nga Serbia ta ndalë këtë praktikë”, shkroi Konjufca.

Në janar të këtij viti edhe Behgjet Pacolli, në atë kohë ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, kërkoi nga policia serbe për lirimin e menjëhershëm të Mehmetajt, si dhe ftoi BE-në “të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne