Rajoni

Reka: Kundërkandidatëve u dëshiroj garë të suksesshme në rrethin e dytë

Kandidati presidencial në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, në konferencën për media të mbajtur pas përfundimit të procesit zgjedhor, deklaroi se zgjedhjet ishin të qeta, të rregullta, të lira dhe demokratike.
Profesori Reka, i cili në zgjedhjet e gjashta presidenciale mbështetej nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA (LB), theksoi se ka arritur fitore në të gjitha komunat me shumicë shqiptare.

Përpos kësaj, duke folur për rezultatet zgjedhore, Reka tha se janë tejkaluar pritshmëritë, pasi ka fituar vota në të gjitha komunat me shumicë maqedonase, që siç u shpreh ai, është rezultat i konceptit universal që e ka proklamuar, “republikë për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë”.

“Ne gjithsesi se i urojmë dy kundërkandidatët dhe u dëshirojmë një garë të suksesshme në rrethin e dytë, edhe pse jemi shumë skeptik se do të mund të arrihet cenzusi prej 40 për qind në rrethin e dytë nëse kaq vështirë u arrit dalja e qytetarëve në rrethin e parë”, tha Reka.

Sipas rezultateve paraprake, Blerim Reka nuk do të garoj në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 5 maj të këtij viti. Mirëpo, Reka u shpreh se nuk do të “bëjë pazar” me asnjërin nga kandidatët që pritet të vazhdojnë garën.

Të të njëjtit mendim ishin edhe liderët e partive politike që mbështetën kandidaturën e Rekës, Ziadin Sela (ASH) dhe Bilall Kasami (LB), të cilët gjithashtu thanë se kanë qenë të nderuar që kanë mbështetur profesorin universitar Blerim Reka në zgjedhjet presidenciale./ AA

OPINIONE