Report Tv zbardh raportin e policisë për ambasadën e SHBA: Muxhahedinët e strehuar në Manzë të përfshirë në trafik klandestinësh e droge

Një raport i policisë shqiptare siguruar ekskluzivisht nga ReportTv ngre alarmin se anëtar të muxhahedinëve azilant politik në Shqipëri janë përfshirë në trafik klandestinësh dhe droge. Sipas dokumentit ata kanë dërguar ilegalisht 400 anëtarë nga kampi i Manzës drejt Francës, ndërsa janë kapur edhe me klandestin nga Lindja e Mesme si dhe drogë në operacionet e policisë shqiptare

Kampi ASHRAF 3

Arsen Rusta

17 Shkurt, 08:52 | Përditesimi i fundit: 17 Shkurt, 09:06

Disa muxhahedinë të strehuar në kampin MEK në Manëz të Durrësit dyshohen si të përfshirë në trafik klandestinësh drejt Francës, por edhe drogë dhe vjedhje.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ReportTv është Policia e Shtetit e cila ka siguruar të dhëna se nga 2019 deri në 2021 ata kanë tentuar të dërgojnë ilegalisht drejt Francës 400 pjesëtarë të kampit Ashraf 3.

Sipas të njëjtave dokumente më 11 korrik 2021 policia e Durrësit ka arrestuar në kushtet e flagrancës në një automjet 7 klandestin nga Iraku, Kurdistani e Siria të cilët ishin sjellë në Shqipëri nga Greqia për tu dërguar në Europë.

Si përgjegjës të këtij trafiku, Policia e Shtetit ka arrestuar anëtarë të MEK në Shqipëri ndërsa ka referuar materialet hetimore në prokurorinë e Durrësit.

Pa kaluar një javë nga ky episode i trafikimit të 7 klandestinëve Iranian, Kurd e Sirian për të cilët policia e shtetit thotë se anëtarët e MEK bashkëpunojnë me grupet kriminale shqiptare dhe greke një tjetër operacion i policisë së shtetit zbulon përfshirjen e tyre në trafik droge.

Më 18 Korrik 2021 policia e Tiranës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme droge. Nga hetimet e policisë së Tiranës ka rezultuar se në këtë grup që do të trafikonte drogën drejt Italisë kishin rol të rëndësishëm dy officer të kampit MEK, mes tyre Hassan Nayebagha dhe Narges Abrichamtchi.

Një tjetër rast i dokumentuar rezulton nga një pjesëtarë i këtij kampi më 26 Mars 2021 të cilin  policia e shtetit e ka proceduar për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim me dy shqiptarë. Ai është Mohammad D. banor i kampit Ashraf 3 dhe ka vjedhur në territorin e Kamzës një farmaci bujqësore.

Përfshirja e tyre në aktivitetin e paligjshëm të klandestinëve ka alarmuar policinë e Shtetit e cila në fund të vitit 2021 ka njoftuar ambasadën amerikane në Tiranë.

Muxhahedinët në Shqipëri kanë mbërritur me një marrëveshje të qeverisë Berisha në 2013 ku erdhi grupi i parë prej 270 personash, ndërsa sot ata përllogariten në afro 3000 persona dhe me dakordësinë e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama numri i pranimit të tyre është rritur dhe kanë ndërtuar kampin Ashraf 3 në Manëz pranë Gjiri të Lalzit. Sipas marrëveshjes mes dy Shteteve, për çdo veprim te paligjshëm që përfshijnë anëtarë të MEK, autoritetet shqiptare duhet të lajmërojnë autoritetet amerikane.

Rastet që po alarmojnë policinë shqiptare, megjithatë mesa duket mbeten episode te izoluara, dhe figurat e përfshira nga hetimet nuk mund të njollosin komunitetin e muxhahedinëve të persekutuar nga regjimi i Iranit qe i konsiderojnë si ”terroristë”, dhe që deri sot nuk kanë provokuar shqetësime të tjera mes popullsisë shqiptare. Ata në fakt vazhdojnë të jetojnë si një komunitet i mbyllur me kontakte sporadike jashtë kampit.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com

Burimi: https://shqiptarja.com/lajm/reporttv-zbardh-raportin-e-policise-anetare-te-mek-te-perfshire-ne-trafik-droge-e-klandestinesh-policia-raport-ambasades-se-shba-muxhahedinet-po-shkelin-ligjet?r=kh1&fbclid=IwAR0Prn6UTbtXvCfm_C22hTklhWgyQt9vgWdVM5vjXwuClsyE1vEh-rVbuHY

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne