Republika Demokratike e Kongos (RDK) ka vendosur të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Kuds.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili ndodhet në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të OKB-së, është takuar në New York me presidentin e RDK-së, Felix Tshisekedi.
Në takim u diskutua për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e bujqësisë, tregtisë, sigurisë dhe hapësirës kibernetike.
Duke deklaruar se Izraeli do të hapë një ambasadë në Kinshasa, kryeqyteti i RDK-së, Netanyahu gjithashtu tha se RDK-ja do të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Kuds. Ai tha se këto hapa të ndërsjellë tregojnë dëshirën për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Tshisekedi konfirmoi gjithashtu se vendi i tij do të zhvendosë ambasadën e saj në Kuds në mënyrë që të përmirësojë marrëdhëniet midis dy vendeve.
– Vendet që hapën ambasada në Kuds
Ndërsa Izraeli e pranon në mënyrë të njëanshme Kudsin si të ashtuquajturin “kryeqytet të plotë dhe të bashkuar”, palestinezët mbrojnë një shtet të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu Kudsin si “kryeqytet” të Izraelit më 6 dhjetor të vitit 2017 dhe më 14 maj të vitit 2018 zyrtarisht e zhvendosi ambasadën e vendit të tij në Tel Aviv në Kuds.
Pas SHBA-së, Guatemala, Kosova, Hondurasi dhe më në fund Papua Guinea e Re hapën ambasadat në Kuds./AA