Opinion

Rexhep Qosja dhe kultura shqiptare

Prof. Agim Vinca

Vepra e Profesor Rexhep Qoses është e gjerë dhe e shumëllojshme; opusi i tij krijues impozant si sasi dhe i një niveli të lartë si cilësi, ndër më të mëdhenjtë dhe më cilësorët në letërsinë shqipe; i një rëndësie të veçantë për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Njeri i punës dhe i penës, që pjesën dërrmuese të ditës e kalon mbi libra, fletore, shënime, skeda e dorëshkrime dhe mbi makinën e tij të shkrimit; njeri që e shquan disiplina e rreptë në jetë dhe në punë, akademik Rexhep Qosja ka shkruar recensione, kritika, sprova, trajtesa, studime dhe monografi historiko-letrare; ka shkruar tregime dhe romane; drama dhe monodrama; artikuj publicistikë e polemikë, por edhe libra, me karakter shoqëror e politik, letrar, kulturor e artistik; ka shkruar e botuar, veçanërisht në vitet e fundit, edhe ditarë e kujtime; ka shkruar mbase edhe kushedi çka tjetër, që ende nuk ka dalë në publik dhe që mund të gjendet nesër në sirtarët e tij në Institutin Albanologjik ose në shtëpinë e tij në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku jeton e krijon. Sepse, shkrimtari që nuk lë diç pas vetes, e ka zakon të thotë shpesh, nuk është shkrimtar!

Ka shkruar dhe botuar Rexhep Qosja në vazhdimësi, prej vitit 1967, kur e botoi veprën e tij të parë, Episode letrare, e deri më sot; ka shkruar e botuar dhe vazhdon të shkruajë e të botojë pa ndërprerë, duke iu përmbajtur si rrallëkush tjetër parimit të njohur të Faradejit: «To work, to finish, to publish» (Të punosh, të përfundosh, të botosh). Dhe falë punës së tij të madhe, pa të cilën s’ka krijimtari të madhe, por edhe dhuntisë së rrallë krijuese me të cilën e ka pajisur nëna natyrë, ai ka arritur të shkruajë mijëra e mijëra faqe shkrimesh kritike, letrare, publicistike, eseistike, shkencore, polemike etj., që i ka përmbledhur dhe sistemuar në njëzet e nëntë vëllimet e Veprave të tij të plota, të botuara në Prishtinë në vitin 2010, aq sa njeriut i duket gati e pabesueshme se si është e mundur të bëhet e gjithë kjo punë gjatë një jete njerëzore.

***

Rexhep Qosja është në radhë të parë studiues i letërsisë – nga më të shquarit në letrat shqipe prej fillimi e deri më sot, aq sa mund të thuhet se ai, me shkrimet e tij të shumta teorike, kritike, eseistike dhe historiko-letrare, por edhe me punën e tij shumëvjeçare në organizimin e jetës shkencore dhe të studimeve letrare në Kosovë, është bërë themelues i një shkolle të studimit të letërsisë ndër ne, shkollë kjo, e cila, nga pikëpamje teorike dhe metodologjike mbështetet kryesisht në parimet e poetikës strukturale historike, ku kombinohen kriteri “i brendshëm” me atë “të jashtëm”, teksti me kontekstin.

Puna e tij në studimin e letërsisë shqipe është e gjerë dhe e shumanshme, por kontributi i tij më i madh në këtë fushë është studimi me themel i letërsisë së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht të Romantizmit Shqiptar, që është fushë e specializimit të tij. Veprat e tij: “Kontinuitete” (1971), “Asdreni – jeta dhe vepra e tij” (1971), “Shkrimtarë dhe Periudha” (1975), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979), “Nocione të reja albanologjike” (1983) dhe sidomos vepra kapitale Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi I, II, III (1984-1986) dhe monografia kushtuar Naim Frashërit, “Porosia e madhe”(1986), vepra “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004), që është tipologji e shkrimit shqip si tekst dhe manifest i modernitetit si koncept etj., paraqesin, secila në vete dhe të gjitha së bashku, sinteza të mëdha shkencore dhe si të tilla janë të pakalueshme për këdo që do të merret sot ose në të ardhmen me studimin e letërsisë shqipe.

Nuk mund të shkruash për asnjë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, duke filluar prej De Radës e Naimit e gjer te Lasgushi e Migjeni dhe poetët e prozatorët bashkëkohorë në tërë arealin shqiptar, pa e konsultuar më parë veprën e Rexhep Qosjes. Nuk mund të shkruash për asnjë problem të rëndësishëm të letërsisë shqipe, përfshirë këtu edhe problemin kompleks të periodizimit të saj, pa iu referuar studimeve të thelluara e gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në koncepte moderne teorike e estetike të këtij autori.

***

E shohim të udhës të ndalemi, qoftë dhe shkarazi, te çështja e metodës që përdor ky autor në studimet e tij për letërsinë. Deri vonë është thënë se metoda që aplikon Rexhep Qosja si kritik letrar, në kuptimin e gjerë të fjalës, është e ashtuquajtura metodë integrale. Dhe ky pohim, ç’është e vërteta, nuk mund të quhet i pabazuar. Krijues që është formuar në frymën e traditës së madhe humaniste të letërsisë evropiane; që ka lexuar veprat e Ipolit Tenit, të Sent-Bëvit, të De Sanktisit, të Bjelinskit, të Lansonit, të Plehanovit dhe të shumë kritikëve e historianëve të tjerë letrarë të shekujve të shkuar, ashtu siç ka lexuar edhe veprat e Hegelit, të Kantit, të Volterit, Paskalit, Montenjit, Vikos, Kroçes, Hartmanit, Ingardenit etj., Rexhep Qosja ka mësuar nga vepra e tyre dhe ka asimiluar atë që mund të quhet e gjallë e me vlerë në krijimtarinë e këtyre kolosëve të mendimit kritik, estetik e filozofik. Por, ai nuk ka mbetur aty. Ka ecur tutje, drejt së resë, modernes, bashkëkohores. Për të nuk janë të huaja as konceptet, metodat, mjetet dhe instrumentet e estetëve, kritikëve dhe teoricienëve bashkëkohorë francezë, anglezë, amerikanë, gjermanë, italianë, rusë, spanjollë e të tjerë, çfarë janë, fjala vjen: Henri Xhejmsi, Elioti, Riçardsi, Rene Uelleku, Nortrop Fraji, Rolan Barti, Jakobsoni, Bahtini, Llukaçi, Sartri, Adorno, Gadameri, Ortega i Gaset, Umberto Eko e shumë të tjerë, prej të cilëve ky autor ka asimiluar atë që ka konsideruar të nevojshme për mënyrën e tij të leximit të veprës letrare si strukturë gjuhësore artistike. Është i paqëndrueshëm, prandaj, mendimi se Rexhep Qosja si studiues i letërsisë “ka bërë studime sociologjike letrare” dhe se “u rri larg metodave moderne të studimit të letërsisë”.

Le të shohim se ç’thotë vetë autori lidhur me këtë çështje në parathënien e veprës së tij të madhe, Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi. Duke ua paraqitur lexuesve metodën e tij të punës, ai shkruan: “Në këtë vepër të bazuar në parimet e poetikës strukturale historike letërsia e romantizmit shqiptar studiohet në rrafshin sikronik dhe diakronik, kurse hetimi i ligjësorive të zhvillimit të brendshëm të strukturës letrare përcillet me hetimin e marrëdhënieve të saj jashtëtekstore”, për të shtuar gjithashtu se “vetëm studimi i gërshetuar i rrafsheve tregon përpikmërisht stilin e epokës”.

Shumë kohë më parë, te vepra “Kontinuitete”, duke folur për “historinë e letërsisë mes dy frontesh”, mes pozitivizmit dhe formalizmit, ky studiues pohonte se “metoda më e mirë në historinë e letërsisë është ajo që në rastin konkret jep rezultatin më të mirë”. Qëndrimi i këtij studiuesi ndaj metodës së historisë së letërsisë dhe shkencave historike në përgjithësi bëhet edhe më i qartë në veprën “Prej tipologjisë deri te periodizimi”, ku autori citon mendimin brilant të Kurciusit, në të cilin thuhet se “Shkencat historike do të përparojnë kudo ku harmonizohen dhe gërshetohen specializmi dhe shikimi i tërësisë. Ato kërkohen reciprokisht, duke qëndruar në marrëdhënie komplementare. Specializimi pa universalizëm është i verbët. Universalizmi pa specializëm është flluskë sapuni”.

Shprehja e njohur: më trego me kë rri të të tregoj se kush je, do të mund të përkthehej në këtë rast në: më trego kë citon të të tregoj se çfarë mendon.

Në qoftë se detyrë e kritikës si “aktivitet intelektual” është të tregojë “se si, në ç’mënyrë, ekziston estetikisht vepra dhe çka ekziston në atë vepër”, postulat teorik dhe metodologjik i Profesor Qoses si historian i letërsisë del të jetë kombinimi i pjesës me tërësinë, i sinkronisë me diakroninë, i strukturës së brendshme letrare me rrethanat jashtëtekstore, por edhe kombinimi i dijes së gjerë universale me shkathtësitë e specializimit të ngushtë profesional.

Kjo tregon se vetëdija e Rexhep Qoses si kritik mbi domosdoshmërinë e gërshetimit të përvojave dhe pikëvështrimeve në hetimin e strukturës së tekstit letrar është relativisht e hershme, por edhe se ajo ka ardhur duke u kristalizuar dhe duke u bërë më racionale e më efikase në veprat e tij të mëvonshme, të fazës së pjekurisë së plotë krijuese. Dhe këtij parimi ai i përmbahet jo vetëm kur analizon veprat e Jeronim de Radës, të Naim Frashërit, të Zef Serembes, të Filip Shirokës, të Çajupit, të Asdrenit, të Ndre Mjedës, të Fan Nolit, të Gjergj Fishtës, të Zef Skiroit etj., që i takojnë periudhës së Romantizmit ose asaj që e quan: Romantizmi-Realizmi-Simbolizmi, por edhe kur merr në shqyrtim krijimtarinë e shkrimtarëve bashkëkohorë, poetë e prozatorë, krijimtarinë e të cilëve, në një studim të hershëm, e mbulon me togfjalëshin, pak a shumë të diskutueshëm, Realizëm integral.

Mjafton të lexohet me kujdes studimi për poezinë e poetit të njohur kosovar Rrahman Dedaj me titull “Poetika e risemantizimit”, të botuar fillimisht si parathënie e librit “Koha në unazë” (1980) dhe së fundi te vepra “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne” (2006), punim ky në të cilin shfrytëzohen me invencion rezultatet e semiologjisë, të kritikës mitike e tematike, të teorisë së receptimit të Hans Robert Jausit dhe të metodave të tjera bashkëkohore të shkencës së letërsisë, për të ardhur në përfundim se pohimet e tipit “u rri larg metodave moderne” dhe “ka bërë studime sociologjike letrare” (hiq mbase fazën e hershme, fillestare, të veprimtarisë së tij si kritik letrar), s’janë tjetër veçse stereotipe, që s’e përfillin realitetin e përbërë e jo linear të veprës së këtij autori.

***

Natyrisht që Rexhep Qosja si studiues i letërsisë dhe si intelektual është ngritur kundër keqpërdorimit të metodave moderne të studimit të letërsisë në mjedisin tonë, ashtu siç është ngritur edhe kundër spekulimeve që janë bërë e vazhdojnë të bëhen me gjuhën dhe terminologjinë e saj dhe këto keqpërdorime e shtrembërime i ka dëshmuar më se një herë me analiza konkrete të teksteve të disa kritikëve kinse modernë, gjithnjë në mbrojtje të dinjitetit të kritikës letrare si aktivitet intelektual dhe të gjuhës së saj specifike, por edhe në mbrojtje të gjuhës shqipe prej shkelësve të saj të të gjitha llojeve, të cilët në mjedisin tonë provincial shfaqen jo rrallë me aureolën e xhokerëve të dijes dhe të qytetërimit modern evropian.

Rexhep Qosja e konsideron mision të kritikës letrare dhe të mendimit krijues e intelektual në përgjithësi mbrojtjen e vlerave dhe çmistifikimin e pseudovlerave, të cilat jo rrallë kritika mediokre e klanore i shpall vlera, herë-herë, madje, edhe kulmore. Ithtar i flakët i frymës kritike dhe kundërshtar i rreptë i dogmës në shkencë dhe në art, por edhe në marrëdhëniet shoqërore, ai ka shqiptuar shumë fjalë kritike në adresë të ideve retrograde (prapavajtëse) dhe dukurive frenuese e çintegtruese, aq të pranishme në jetën tonë të përtashme politike e kulturore, fenomen ky, të cilin, në një nga trajtesat e tij, e ka quajtur: “ideologji e shpërbërjes”. Shembull eklatant i kësaj ideologjie është qëndrimi gjithnjë e më negativ i qarqeve të caktuara ndaj gjuhës standarde shqipe dhe kërkesa absurde për rishikimin dhe, madje, edhe ndryshimin e normës gjuhësore të kodifikuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, si dhe ideja e marrë e “krijimit të identitetit të ri kombëtar”, identitetit kosovar, që janë shprehje tipike të filozofisë provinciale dhe ideologjisë çintegruese, të cilat, si të tilla, e dëmtojnë rëndë jo vetëm imazhin e shqiptarëve si komb, por edhe procesin e integrimit të tyre shpirtëror dhe, krahas tij, edhe atë të integrimit të tyre në familjen evropiane.

I edukuar në frymën e ideve të Rilindjes dhe përfaqësuesve të saj më të spikatur, Rexhep Qosja nuk e ka aspak të largët mendimin e dy ideologëve të saj, Pashko Vasës dhe Sami Frashërit, të cilët, në një memorandum që i dërgonin ministrit të jashtëm të Austro-Hungarisë në vitin 1878, ndër të tjera, shkruanin: “Shqiptarët kërkojnë të drejtën e tyre të hyjnë në gjirin e familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës ata janë”.

Çfarë fjalie profetike e dy korifenjve rilindës për një aspiratë shekullore të shqiptarëve, e cila, sot, pas ndryshimeve të bëra në Evropë dhe në Ballkan, por edhe në shoqërinë shqiptare, ndryshime këto në të cilat shkrimtarët dhe intelektualët e shquar të kohës sonë kanë hisen e tyre, është më afër se kurdoherë tjetër për t’u bërë realitet. Por, në këtë pikë, sikurse edhe në shumë të tjera, nuk kanë munguar as keqkuptimet, të cilat, herë-herë, shkojnë aq larg sa e shpallin autorin e tezës së hyrjes së dinjitetshme të shqiptarëve në Evropë: kundërevropian! “Është e nevojshme që parullat për identitetin tonë evropian – shkruan Rexhep Qosja, duke kundërshtuar mimikrinë dhe vardisjen si mendësi robi – t’i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta, këmbëngulëse, të vazhdueshme që të sjellim Evropën në jetën tonë: shtetin e së drejtës, demokracinë e vërtetë, kulturën politike, gjedhen kulturore kritike, standardet dhe vlerat evropiane. Vetëm kështu do ta shpejtojmë integrimin tonë në Evropë”.

***

Vijmë kështu te një aspekt i rëndësishëm i opusit krijues të Profesor Qoses: publicistika, pa të cilën portreti i tij krijues nuk do të ishte i plotë, ashtu siç nuk mund të jetë i plotë kurrsesi ky portret pa krijimtarinë e tij letrare në prozë e dramaturgji, që paraqet një dimension shumë të rëndësishëm të veprës së tij, por edhe pa shkrimet për probleme të kulturës dhe, së fundi, edhe pa ditarin e tij në nëntë vëllime “Dëshmitar në kohë historike”, prej të cilave deri tani kanë dalë shtatë.

Duhet theksuar, ndërkaq, se vepra e akademik Rexhep Qosjes, pavarësisht nga forma në të cilën është shkruar: kritikë, eseistikë, histori letërsie, ditar, biografi, prozë, dramaturgji, publicistikë a polemikë, ka karakter kompakt dhe përfshin në vorbullën e saj një korpus temash, idesh e mesazhesh, që sillen rreth vlerave më sublime të jetës njerëzore: lirisë, të drejtës dhe të vërtetës. Të njësishme e bën këtë vepër edhe gjuha dhe stili i saj krejt i veçantë, që e shquajnë qartësia e shprehjes dhe e mendimit, thellësia e gjykimit, sistemi i fortë i argumentimit, erudicioni, por edhe shprehja e bukur e elokuente.

Rexhep Qosja është nga ata shkrimtarë, që, siç thoshte Hemingueji, i karakterizon prirja për të gjetur kurdoherë fjalën e vërtetë e jo motrën a kushërirën e saj.

Njeriu mund të pajtohet ose të mos pajtohet gjithmonë me mendimin e tij; mund të mos jemi, pra, gjithmonë në një mendje me qëndrimin e tij për ndonjë çështje të veçantë apo me vlerësimin për aksh vepër a autor, por nëse jemi të drejtë e parimorë dhe nëse veprës së tij i qasemi pa paragjykime, nuk mund të mos ushqejmë respekt e mirënjohje për punën e tij të madhe dhe për fjalën e tij të fuqishme, të pazëvendësueshme.

Dhe, krejt në fund. Megjithëse Rexhep Qosja i takon kategorisë së krijuesve që qysh për së gjalli hyjnë në lagjen e të pavdekshmëve, le të na lejohet t’i urojmë me këtë rast jetë të gjatë e shëndet të mirë për të mirën e letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe të jetës sonë kombëtare në përgjithësi.

Një shtesë e vogël në shkrimin e Prof. Vincës

Shkrimi i Prof. Agim Vincës për Profesor Rexhep Qosen në këtë 81-vjetor të lindjes së tij është i shkruar sa me kompetencë aq dhe me dashuri. Nuk ke çfarë t’i shtosh këtij shkrimi në aspektin analitik dhe shkencor, pavarësisht se në një shkrim nuk mund të thuhen të gjitha, për më tepër kur bëhet fjalë për një personalitet të madh si Rexhep Qosja.

Ajo që donim të shtonim dhe theksonim në këtë shkrim të Prof. Vincës është ky: Kontributi i jashtëzakonshëm i Akademikut Rexhep Qosja për çështjen kombëtare dhe posaçërisht për demokracinë në Shqipërinë londineze. Me të drejtë në mjediset e Tiranës dhe gjithandej nëpër Shqipëri thuhet shpesh se atë që ka bërë Prof. Rexhep Qosja për demokracinë shqiptare, për denoncimin dhe demaskimin e sjelljeve antidemokratike nën petkun e demokracisë, nuk e ka bërë askush tjetër si Ai. Madje as dhe partitë shqiptare të dëshiruara për demokracinë. Prandaj dhe përveç meritave të tjera që i rendit shumë mirë Prof. Vinca në shkrimin e tij, Profesor Qosja meriton një mirënjohje të madhe për këtë kontribut të tij të jashtëzakonshëm.

Prof. Rexhep Qosja është një mik i shquar i gazetës ‘DITA’, për të cilën ka folur e shkruar herë pas herë për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë dhe në hapësirat mbarëshqiptare. Është kjo ditëlindje e Profesor Qosjes një rast i bukur për t’i shprehur mirënjohjen në emër të stafit të gazetës ‘DITA’, të lexuesve të shumtë të saj dhe për t’i uruar me gjithë zemër: “Jetë të gjatë dhe gëzime, Profesor! Na gëzofsh me vepra të reja të vyera për kombin tënd që e doni aq shumë! Të paçim, Profesor!”/ dita

OPINIONE