Rezoluta për dënimin e gjenocidit serb, Rama fut në lojë Akademinë e Shkencave

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kreu i mazhorancës në Kuvend, i jep veshje shkencore refuzimit për të miratuar një rezolutë që dënon gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Rezoluta është kërkuar me ngulm nga Vetëvendosja, por edhe nga deputetë të opozitës brenda parlamentit tonë.

Akademia e Shkencave e drejtuar nga aleati i tij politik, Skënder Gjinushi, sot ka ndërmarrë një nismë për firmosjen e një deklaratë në mbrojtje të luftës së UCK-së dhe kundër Dhomave Speciale.

Akademia e Shkencave e Kosovës nuk e ka firmosur

Qëllimi ka qenë që të ishte deklaratë e përbashkët e dy akademive, por Ajo e Kosovës nuk gjendet në dokument. Deklarata është firmosur edhe nga Instituti i Albanologjisë në Prishtinë, Muzeu Kombëtar, Drejtoria e Arkivave, Instituti i Trashëgimisë së Shqiptarëve Shkup, Muzeu i Prishtinës, etj.

Kreu i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi tha se kjo deklaratë është në kuadër të një konference të anuluar për shkak të pandemisë dhe se çdo institucion është i hapur t’i bashkohet në vijim. Ai nuk prmendi përse mungon Akademia e Kosovës në këtë dokument që janë thirrur ta firmosin institucionet mbarëkombëtare.

Përmbajtja e deklaratës

Fjala gjenocid përdoret vetëm një herë në këtë deklaratë.

”Shprehim vlerësimin për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës e të qytetarëve të saj, në radhët e në mbështetje të UCK-së, për fitimin e pavarësisë e si një reagim e mbrojtje e ligjshme ndaj gjenocidit serb, ndaj dëbimit, shpërnguljes e vrasjeve masive, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të Kosovës prej shtetit të Serbisë”, theksohet ndër të tjera në hyrjen e deklaratës.

Lidhur me Gjykatën Speciale deklarata thotë:

“Këto Dhoma u imponuan nga vendimi i sipërpërmendur, bazuar mbi një akuzë konkrete politike e të pavërtetë, të hartuar nga një politikan, sipas te cilit, struktura të UCK-së kanë kryer trafik të organeve të qenieve njerëzore me robërit e luftës”, shkruhet në deklaratë.

Deklarata mbahet me rastin e përvjetorit të 23-të të daljes publike të UÇK-së. “Institucionet shprehin vlerësimin për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës”, shprehen hartuesit e deklaratës.

Kërkesa

Albin Kurti i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe veçanërisht Kuvendit të Shqipërisë, që të miratojë rezolutën për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Serbisë.

Por, kryeministri Rama, në të njëjtën kohë me nisjen e gjyqit të Hagë kundër komandantëve të UCK-së, hapi një fushatë kundër Lulzim Bashës, kreut të opozitës, duke e akuzuar si bashkëpunëtor të aktakuzës së Gjykatës Speciale. Në këtë linjë, Rama i është shmangur dënimit të gjenocidit dhe ka ngritur jë komision të posaçëm hetimor për raportin Dick Marty.

Pse duhet kjo rezolutë?

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për dënimin e  gjenocidit të Serbisë, do të ishte akti i parë e një shteti anëtar të OKB-së që dhe do t’i hapte rrugën kërkesës zyrtare që ky gjenocid të gjykohej në Hagë.

Më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash miratoi “Rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë”. Rezoluta i hap rrugën nismës për gjykimin e krimeve nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998-99, por ajo nuk është anëtare e OKB-së.

Në rezolutën e Kuvendit  të Kosovës thuhet se “kjo rezolutë nxirret në 20 vjetorin e luftës së Kosovës dhe një fushate shfaruese që kishte ndërmarrë Serbia në Kosovë. Gjatë luftës së Kosovës forcat e Serbisë dhe Malit të Zi, por më shumë të Serbisë, dëbuan mbi një milionë shqiptarë, vranë mbi 12 mijë persona, civilë të pambrojtur nga të gjitha etnitë, por shumica shqiptarë. U vranë mbi 1300 fëmijë, u dhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra dhe u bënë mbi 100 masakra”.

/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne