Riatdhesohen 36 qytetarë, iu refuzohet azili në Belgjikë e Francë, Ministria e Brendshme: Respektoni Shengen-in

Policia Shqiiptare ka riatdhesuar sot 36 persona të tjerë të cilëve iu ishte refuzuar azili në disa vende të Evropës. Në një njoftim për mediat, Policia shkruan se të gjithë të kthyerit kishin kërkuar azil në Francë e Belgjikë.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero”, shtohet në njoftim.

Njoftimi i plotë

Vijojnë operacionet e riatdhesimit të shtetasve që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen. Riatdhesohen 36 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë. Operacioni i radhës u zhvillua ditën e djeshme dhe ishte i organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex-in, dhe me mbështetjen e eskortës së Policisë Kufitare shqiptare

Gjatë këtij operacioni janë riatdhesuar 36 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, apo u është refuzuar dhënia e azilit, nga këta: 31 nga Franca dhe 5 nga Belgjika. Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme. Ndërkohë Policia Kufitare ka forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka shtuar patrullat në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne