Përktheu nga frëngjishtja Arbër Zaimi
Paul Nizan: Kundër qenve të rojës
– Çka bëjnë zanatçinjtë e mendimit gjatë këtyre tërmeteve? Ata vazhdojnë të heshtin. Nuk vënë alarmin. Nuk denoncojnë. Nuk preken prej tronditjeve. Nuk kthehen kah to. Hendeku mes mendimit të tyre dhe universit që bie pré e këtyre katastrofave rritet çdo javë, çdo ditë, e megjithatë atyre kjo nuk u duket shqetësuese. Kështu që nuk shqetësojnë askënd. Hendeku mes premtimeve të këtyre intelektualëve dhe situatave reale të njeriut është sot më skandaloz se ç’ka qenë ndonjëherë. Por ata kjo nuk i bën të lëvizin asnjë gisht. Vazhdojnë të rrinë në të njëjtën anë të barrikadës. Vazhdojnë të mblidhen në të njëjtat mbledhì, botojnë të njëjtët libra. Të gjithë ata që kishin modestinë t’i dëgjonin fjalët e thëna prej tyre, do të fillonin ose të revoltoheshin, ose të qeshnin.
Paul Nizan – “Les Chiens de garde” (Qentë e rojes), ribotuar nga “Agone”, Marsejë, 1998
Michel Foucault: Intelektuali specifik
– Gjatë një kohe të gjatë intelektuali i ashtuquajtur “i majtë” e ka marrë fjalën dhe i është e njohur e drejta të flasë si mjeshtër i së vërtetës dhe i drejtësisë. E kemi dëgjuar, aty ku ai ka pretenduar se duhet të dëgjohet si përfaqësues i universales. Të ishe intelektual donte të thoshte të ishe pak a shumë ndërgjegjja e të gjithëve (…) Ka goxha shumë vite që nuk kërkojmë më prej intelektualëve që ta luajnë këtë rol. (…) Intelektualëve tashmë u është bërë zakon të mos punojnë më me universialen, me shembulloren, me të drejtën e me të vërtetën për të gjithë, por të punojnë në sektorë të përcaktuar, në pika precize që ua diktojnë qoftë kushtet e tyre të punës, qoftë kushtet e tyre të jetës (strehimi, spitali, azili, laboratori, universiteti, raportet familjare apo ato seksuale). Kanë fituar kështu një ndërgjegjje shumë më konkrete, diktuar prej betejave imediate. Dhe aty kanë gjetur probleme që ishin specifike, jo universale, shpesh shumë të ndryshëm nga ato të proletariatit apo të masave. E megjithatë, ata janë afruar me proletariatin, besoj për dy arsye: për shkak se bëhej fjalë për beteja reale, materiale, të përditshme, e për shkak se shpesh përballeshin, në forma të tjera ama, me të njëjtin kundërshtar që përballet proletariati, fshatarësia apo masat (kompanitë shumëkombëshe, aparati gjyqësor e policor, spekullantët e pronave të patundshme etj.); e këtë lloj intelektuali unë dua ta quaj intelektual specifik, për dallim nga intelektuali universal.
Michel Foucault – “Dits et écrits II”, 1976-1988, botuar nga “Gallimard”, Paris, 2001.
Pierre Bourdieu: Intelektuali kolektiv
Një numër i madh punimesh historike tregojnë se cili është roli që kanë luajtur think tanks-et në prodhimin e në imponimin e ideologjisë neoliberale e cila sot sundon në botë; e kundër produktit të këtyre think tanks-eve konservatore, kundër këtyre grupimeve të ekspertëve të emëruar prej pushtetit, ne duhet të vendosim produktin e rrjeteve kritike, ku grumbullohen “intelektualët specifikë” (sipas kuptimit të Foucault-së), ku prodhohet një intelektual kolektiv i vërtetë, i aftë që t’i përcaktojë vetë objektet dhe synimet e reflektimeve dhe aksioneve të veta, me pak fjalë, autonom. Ky intelektual kolektiv mundet dhe duhet të përmbushë mbi të gjitha disa funksione mohuese, kritike, të punojë për prodhimin e shpërndarjen e mjeteve mbrojtëse kundër sundimit simbolik që sot më shpesh se kurrë shfaqet i armatosur me autoritetin e shkencës; dhe duke shfrytëzuar kompetencën e autoritetin e një kolektivi të bashkuar, do të mund t’ia bëjë një kritikë logjike diskursit dominant, duke u marrë sidomos me leksikun (“globalizim”, “fleksibilitet” etj.), por edhe me argumentët (…); e po ashtu do të mund t’ia bëjë një kritikë sociologjike si vazhdim i së parës, që do të evidentonte se cilët janë përcaktorët që diktojnë mbi produktorët e diskursit dominant (duke filluar prej gazetarëve, sidomos atyre që merren me ekonominë) e mbi produktet e tyre; e si përfundim do të mund të bëjë një kritikë bash shkencore kundër autoritetit me pretendime shkencore të ekspertëve, sidomos atyre ekonomikë.
Por, intelektuali kolektiv mund të luajë dhe një funksion pohues, duke kontribuar në një punë kolektive të krijimit politik. Rrënimi i regjimeve të tipit sovjetik dhe dobësimi i partive komuniste në shumicën e vendeve (…) e kanë çliruar mendimin kritik. Por doktrina neoliberale e ka mbushur gjithë hapësirën e lënë të zbrazët prej ish-partive komuniste, dhe mendimi kritik ka mbetur azilant në “botën e vogël” të akademisë, ku ai magjeps vetveten me vetvete, pa qenë në gjendje të shqetësojë cilindo për çkado.
Gjithë mendimi kritik politik pra duhet të rindërtohet, dhe kjo nuk mund të jetë vepër e një vetmitari, e një mjeshtri të mendimit të lirë, që shfrytëzon vetëm burimet e mendimit të vet singular, apo as e një zëdhënësi të autorizuar prej një grupi apo prej një institucioni, i cili emërohet t’u japë zë atyre që s’kanë zë. Pra aty intelektuali kolektiv mund të luajë rolin e vet, yë pazëvendësueshëm, duke kontribuar që të krijohen konditat sociale për një prodhim kolektiv të utopive realiste.
Pierre Bourdieu – Në përmbledhjen “Contre Feux 2” (Kundërsulm 2), eseja me titull “Raisons d’agir” (Arsye për të vepruar), Paris 2001.
Jean-Paul Sartre: Të mos dialogohet më me borgjezinë
Në 1972 Jean-Paul Sartre-i shpjegon se përse ai, një “intelektual borgjez”, pranoi të vihej në drejtim të një gazete maoiste siç ishte “Çështja e popullit”, drejtuesit e mëparshëm të së cilës ishin dënuar. Meqenëse kjo gazetë nuk “i drejtohet publikut borgjez”, Sartre-it i duhet të hedhë dritë mbi këtë kontradiktë.
– (…) Borgjezia gjithnjë ka dyshuar – me të drejtë – tek intelektualët. Por ajo dyshon tek ta si tek disa qenie të çuditshme që kanë dalë prej gjirit të vet. Shumica e intelektualëve, në fakt, kanë lindur borgjezë, gjë që skalit në ta kulturën borgjeze. Ata shfaqen si rojtarë e si transmetues të kësaj kulture. Në fakt një pjesë e madhe e teknikëve të dijes praktike bëhen, herët apo vonë, qen roje i asaj kulture, siç i ka quajtur Nizan-i. Të tjerë, duke qenë të përzgjedhur, përfundojnë elitistë edhe në atëherë kur ligjërojnë ide revolucionare. Ata të këtij lloji lejohen të flasin: sepse flasin një gjuhë borgjeze. Por dalëngadalë edhe ata kthejnë, dhe kur të vijë momenti do të mjaftojë një kolltuk në Akademinë Franceze, apo një çmim Nobel, apo ndonjë manovër tjetër, për t’i rikthyer sërish në gjirin e borgjezisë. E vetëm kjo e shpjegon se si një shkrimtar komunist mund të lejohet të ekspozojë kujtimet e gruas së vet në Bibliotekën Kombëtare, dhe në hapjen e ekspozitës fjalën e nderit ta mbajë ministri i arsimit kombëtar.
Megjithatë, ka disa intelektualë – unë jam njëri prej tyre – të cilët që prej 1968 e këtej nuk duan më të dialogojnë me borgjezinë. Në të vërtetë kjo gjë nuk është kaq e thjeshtë: çdo intelektual e ka atë që do të mund ta quanim interes ideologjik. I cili na bën të kuptojmë tërësinë e veprës së tij, nëse ai shkruan, deri më sot. Edhe pse unë gjithnjë e kam kundërshtuar borgjezinë, veprat e mia i drejtohen asaj, në gjuhën e saj dhe – në veprat e mia më të hershme – do të mund të gjehen edhe elementë elitistë. Po ashtu unë po punoj, prej shtatëmbëdhjetë vitesh, në një vepër kushtuar Flaubert-it e cila nuk do t’u interesojë punëtorëve sepse është e shkruar në një stil të komplikuar e qartësisht borgjez. Po ashtu, dy vëllimet e para të kësaj vepre, janë blerë e janë lexuar prej borgjezëve reformistë, profesorëve, studentëve, etj. Ky libër i cili nuk është shkruar as nga populli e as për popullin, është rezultat i reflektimeve të një filozofi borgjez gjatë një pjese të madhe të jetës së tij. Pra kjo më mban të lidhur. Dy vëllime kanë dalë, i treti është në shtyp, po përgatis të katërtin. Më mban të lidhur, këtë dua të them: jam 67 vjeç, po punoj me këtë libër që prej moshës 50 vjeçare, dhe kam ëndërruar për të që më përpara asaj moshe. Se, në fakt, ky libër (nëse pranojmë se do të sjellë ndonjë gjë të re), përfaqëson në vetë natyrën e tij frustrimin e një populli. Ky libër më mban të lidhur me lexuesit borgjezë. Përmes këtij libri mbetem ende borgjez, dhe do të mbetem i tillë gjersa ta kem përfunduar. Pra ekziston në mua një kontradiktë shumë e veçantë: unë shkruaj ende libra për borgjezinë dhe ndihem solidar me punëtorët, që duan ta përmbysin atë.
Jean-Paul Sartre, “Situations X” (Situatat X), Gallimard, Paris, 1976.
Gilles Deleuze: Një teori duhet të hyjë në punë…
– E pra, një teori është saktësisht si një valixhe me vegla. Duhet të na hyjë në punë, duhet të funksionojë. E jo për hir të vetvetes. Nëse s’ka njerëz të cilëve ajo teori u shërben, duke filluar prej vetë teoricienit, i cili në këtë rast do të pushonte së qeni i tillë, atëherë ajo teori s’vlen asgjë, ose momenti i saj ende s’ka ardhur. Ne nuk rikthehemi tek teoritë, por bëjmë të tjera, se ka shumë të tjera për të bërë. Është fakt kureshtar se unë jam një autor i cili merret prej të tjerëve si intelektual, Proust-i e ka thënë kaq qartësisht: trajtojeni librin tim si një palë syze që vështrojnë jashtë, epo mirë, nëse ato syze nuk ju bëjnë, gjeni të tjera, gjejeni vetë ju aparatin që ju duhet, i cili medoemos është aparat beteje.
Gilles Deleuze, “Les intellectuels et le pouvoir. Entretien entre Michel Foucault et Gilles Deleuze” (Intelektualët dhe pushteti. Intervistë mes Michel Foucault-së dhe Gilles Deleuze-it), botuar në “L’Arc, no 49”, Aix-en-Provence, maj 1972.
Edward Said: Politika është kudo
– Politika është kudo. Nuk mundemi t’i ikim asaj dhe të gjejmë azil në mbretërinë e artit për hir të artit apo në atë të mendimit të pastër, e aq më pak tek ajo e objektivitetit të painteresuar, apo tek teoria transhendentale. Intelektualët i përkasin kohës së tyre – trupës së njerëzve që drejtohen prej politikës së përfaqësimit të masave, e cila mishërohet në industrinë e informacionit apo të medias, ata mund t’i rezistojnë veçse duke ia kundërshtuar imazhet, përllogaritjet zyrtare, apo justifikimet që rrjedhin prej pushtetit e që vihen në qarkullim prej mediave gjithnjë e më të fuqishme, madje jo vetëm prej mediave por edhe prej rrymave të tëra të mendimit që mirëmbajnë dhe çojnë përpara konsensusin mbi aktualitetin brenda një perspektive të pranueshme. Intelektuali duhet, për të qenë i arrirë, të prodhojë ato që Wright Mills i quante “demaskime”, apo më mirë të prodhojë versione të zëvendësueshme përmes të cilave do të mund të përpiqet, aq sa mund t’ia lejojnë kapacitetet, të thotë të vërtetën. (…) Intelektuali, ashtu siç e kuptoj unë nuk është paqtues, as pagëzues i konsensusit, por dikush që angazhon e që vë në rrezik gjithë qenien e vet, duke u nisur prej një ndjenje vazhdimisht kritike, dikush që refuzon me çfarëdo çmimi formulat e lehta, idetë e gatshme, konfirmimet lëvduese të propozimeve apo të veprimeve që vijnë prej njerëzve të pushtetit apo prej personave të tjerë konvencionalë. S’është thjesht ai që refuzon pasivisht, por ai që aktivisht angazhohet e flet në publik. (…) Zgjedhja më madhore me të cilën përballet një intelektual është kjo: a duhet të bëhet aleat i stabilizimit të fitimtarëve e të sunduesve apo – dhe ky shteg është më i vështirë – ta konsiderojë këtë stabilitet si alarmant, si një situatë që i kërcënon të dobëtit e humbesit me zhdukje totale, dhe të marrë parasysh përvojat e nënshtrimit të tyre, si dhe të sjellë në vëmendje zërat dhe personat e harruar.
Edward W. Said, “Des intellectuels et du pouvoir” (Mbi intelektualët e mbi pushtetin), botimet “Seuil”, Paris, 1996./ rreth