Roli i ri i Rusisë në Lindjen e Mesme të Re

Maria Al Makahleh Dubovikova dhe Shehab Al-Makahleh

Në një kohë kur tensionet midis Moskës dhe Uashingtonit janë në rritje, Rusia është e vendosur të ketë një fjalë më të madhë në çështjet globale, veçanërisht në Lindjen e Mesme të trazuar.

Aktualisht, Rusia e konsideron veten si një lojtar serioz, të ndershëm dhe aktiv në rajon dhe fajëson Shtetet e Bashkuara për kaosin në Lindjen e Mesme. Presidenti rus Vladimir Putin synon të rikrijojë ish-Bashkimin Sovjetik në një formë të re në skenën botërore, veçanërisht në Lindjen e Mesme për shkak të afërsisë me Rusinë.

Nga ana tjetër, Uashingtoni angazhohet për sigurinë e shteteve të Gjirit, si dhe stabilitetin e Izraelit dhe mbrojtjen e plotë nga çdo agresion. Megjithatë, Rusia ka marrëdhënie të forta me shtetet e Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut që mund të funksionojnë si një trampolinë për ndikimin e ardhshëm. Në të vërtetë, Rusia është bërë një magnet për udhëheqësit e Lindjes së Mesme që kërkojnë një ekuilibër të ri të pushtetit, siç ilustrohet nga vizitat e planifikuara të mbretit jordanez dhe saudit në Moskë në tetor.

Fillimi i ndërhyrjes së Rusisë në rajon daton nga rënia e udhëheqësit libian Muamar Gadafi, me të cilin historikisht Moska kishte lidhje të ngrohta dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Rënia e regjimit të Gadafit ka ndodhur si pasojë e mos përfshirjes pasi Rusia u përmbajt nga votimi kundër rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 2011 kundër Gadafit. Kjo ka qenë një thirrje zgjimi për Rusinë, duke e çuar atë për t’u angazhuar sërish në rajon dhe për të marrë një qëndrim më të fortë për Sirinë.

Sot Rusia ka një rol të fqishëm në operacionet ushtarake në Siri. Qendra e Operacioneve Ushtarake me bazë në Amman (MOC) e themeluar nga SHBA dhe aleatët e saj për të monitoruar dhe trajnuar grupet e armatosura të opozitës, duke përfshirë Ushtrinë e Lirë Siriane dhe Ushtrinë e Fiseve, më në fund është mbyllur. Me kthimin e ushtrisë siriane në jug të vendit, pranë pikës së kalimit me Jordanin, ka shenja gjithnjë e më të mëdha që konflikti po i afrohet fundit, veçanërisht duke qenë se Amerika nuk mbështet më opozitën, e cila tani gjendet në rrëmujë.

Si rezultat, Moska nxitet të fokusohet më shumë në Libi, ku ka në plan të ndërtojë një prani të fortë dhe të krijojë një bazë nga e cila do të kontrollojë Afrikën e Veriut. Për të theksuar rëndësinë e ripërtëritjes të Tripolit, Moska po i jep shqetësim të veçantë vendit dhe çështjeve të saj. Në të vërtetë, më 13 gusht, komandanti ushtarak libian, Khalifa Haftar, u takua me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov dhe ministrin e mbrojtjes, Sergei Shoigu, në Moskë. Për shkak se Rusia mbështet edhe Haftarin edhe kryeministrin libian Fajez al-Sarraxh, i cili së bashku me qeverinë e tij është njohur nga OKB, vizita në Moskë duket se synon të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit në Libi, i cili është bërë burim i rrezikut të lartë për shumë vende në Afrikën e Veriut dhe në Evropën Jugore.

Kjo është hera e dytë që Rusia pranoi dy udhëheqësit libianë në Moskë në vitin 2017. Takimet e tilla shërbejnë si një sfond për Putinin, i cili kërkon të ushtrojë më shumë presion në Perëndim për të marrë më shumë lëshime lidhur me Ukrainën dhe Sirinë.

Megjithëse Moska dëshiron të krijojë lidhje të qëndrueshme me shumë vende në Lindjen e Mesme, Rusia e ka të vështirë për të gjetur një terren të fortë në rajon, veçanërisht krahasuar me atë që gëzon SHBA. Kjo është për shkak se lojtarët e tjerë po përpiqen të shkëpusin Rusinë duke e përfshirë atë në konflikte pranë kufijve të saj si në Gjeorgji dhe Ukrainë. Megjithatë, qeveria ruse ka planifikuar, që nga fillimi i pranverës arabe, të ndërtojë një prani në Lindjen e Mesme në kurriz të amerikanëve, britanikëve dhe francezëve, duke përfituar nga shitjet e saj mbresëlënëse të armëve në rajon gjatë viteve të fundit.

Rusia jo vetëm që ndikon në politikat në Siri, Irak dhe Afrikën Veriore, por edhe në Gadishullin Arabik, siç është kriza midis Katarit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe luftës në Jemen. Moska përpiqet të balancojë politikën e saj me Arabinë Saudite, Kuvajtin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin dhe Bahrejnin me mos-ndërhyrje. Nga ana tjetër, Moska e konsideron Teheranin si një lojtar kyç në rajon dhe një shtyllë kryesore të stabilitetit të saj. Rusët e shohin Iranin si ndikues në Gjirin Persik, në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore. Kështu, kjo e kualifikon Rusinë të luajë rolin e një ndërmjetësi midis Riadit dhe Teheranit për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre rajonale. Në vitin 2015, u mbajt një takim i udhëheqësve arabë në Marok, që vendosën skenën për Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u lidhur me Moskën, ndërsa Arabia Saudite do të afrohet me Uashingtonin.

Burimi: imesclub.org/ PT

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne