Rouhani: Irani mund t’u rikthehet negociatave nëse SHBA-ja heq sanksionet

Televizioni shtetëror iranian bën të ditur se Presidenti Rouhani, i pranishëm në Mbledhjen e Këshillit Administrativ të Golesanit, provincë në verilindje të vendit, ka theksuar se SHBA-ja po tenton që ta izolojë Iranin nëpërmjet sanksioneve.

“Por ky është një synim i parealizueshëm”, ka shtuar ai.

Rouhani ka thënë më tej se Irani është nën presion ekonomik prej një farë kohe për shkak të sanksioneve amerikane.

“Vendi nuk është rrethana e kushte normale, megjithatë ne s’u trembemi sanksioneve dhe nuk do të tërhiqemi nga objektivat tona”, është shprehur presidenti iranian.

Nga ana tjetër, ai ka akuzuar Izraelin dhe disa vende të Gjirit se bashkë me SHBA-në i kanë hapur luftë tregtare vendit të tij.

“Edhe pse ne po marrim goditje, në këtë luftë po dëmtohet edhe pala kundërshtare. S’ishim ne ata që e nisën këtë luftë, pavarësisht provokimeve të çdollojshme të armiqve. Ne krenohemi me këtë”, ka thënë Rouhani.

Sipas tij, sanksionet amerikane kundër sistemit bankar, prurjeve valutore, eksportit të naftës dhe sektorit të transportit të Iranit vënë nën presion ekonominë duke prekur njëherësh edhe jetesën e popullit në mënyrë direkte.

“Ne e dimë që populli dhe ekonomia vihen nën presion në këto kushte. Jemi po ashtu të vetëdijshëm që s’mund t’i eliminojmë plotësisht këto presione, megjithatë nuk mund të bëjmë as një diçka të padrejtë”, ka nënvizuar ai.

Presidenti iranian ka potencuar gjithashtu se rrugët për tërhequr dhe rikthyer Teheranin në tavolinën e negociatave nuk janë sanksionet.

“Ne duhet t’i shpjegojmë Amerikës se kjo është një rrugë e gabuar. Nëse ju dëshironi të bisedoni me ne, atëherë ka një rrugë të përshtatshme. Ju duhet të respektoni popullin iranian dhe të lini mënjanë sanksionet. Ne s’u jemi shmangur negociatave për sa kohë që ato kanë qenë të logjikshme dhe në kornizën e parimeve”, ka përfunduar kreu i shtetit iranian./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne