Rouhani në Ankara: Qëndrimi i Turqisë kundër sanksioneve amerikane, shumë i mirë dhe i prerë

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, erdhi mbrëmjes e së mërkurës në Ankara për një sërë kontaktesh zyrtare.

Rouhani u prit në Aeroportin “Esenboga” nga ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Donmez, si dhe autoritete të ndryshme.

Pika kryesore e agjendës së presidentit iranian është Takimi 5. i Këshillit të Bashkëpunimit me Nivel të Lartë Turqi-Iran. Kjo mbledhje e rëndësishme do të mbahet sot (e enjte, 20 dhjetor 2018) në Ankara dhe do të drejtohet bashkërisht nga Rouhani dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në këtë takim të nivelit maksimal, i cili do të realizohet gjatë vizitës së Rouhanit dhe me pjesëmarrjen e ministrave përkatës, marrëdhëniet turko-iraniane do të trajtohen në të gjitha dimensionet e tyre.

Krahas marrëdhënieve bilaterale, gjatë mbledhjes do të shkëmbehen mendime gjithashtu për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve të pranishëm në Aeroportin “Mehrabad” të Teheranit, përpara se të nisej për në Ankara, Hassan Rouhani u bëri një vlerësim marrëdhënieve Turqi-Iran.

“Si një shtet fqinj, mik dhe me influencë në rajon, Turqia ka një rëndësi speciale për ne. Ne kemi jashtëzakonisht shumë të përbashkëta historike, kulturore dhe fetare me Turqinë. Pozicionimi në raport me Iranin, shfaqur gjatë muajve të fundit nga Turqia dhe Erdogani personalisht kundër komploteve sanksionuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte një qëndrim shumë i mirë dhe i prerë”, deklaroi presidenti iranian mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne