Bota

Rouhani: Vullneti absolut i Iranit është të zhvillojë marrëdhëniet e sinqerta me Turqinë

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka bërë me dije se vendi i tij aspiron të zhvillojë në çdo fushë marrëdhëniet me Turqinë dhe të zbatojë më shpejt marrëveshjen e arritur për avancimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm, përfshi këtu atë bankar dhe energjetik.

Në komunikatën e publikuar nga uebfaqja e Presidencës iraniane i kushtohet vend fjalimit të Rouhanit gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Binali Yildirim.

“Aspirata jonë është të zbatojmë më shpejt marrëveshjen e arritur për zhvillimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm, përfshi këtu atë bankar dhe energjetik. Vullneti absolut i Iranit është të zhvillojë në çdo fushë marrëdhëniet e sinqerta me Turqinë miqësore dhe vëllazërore”, ka thënë presidenti iranian.

Sipas tij, Irani e konsideron stabilitetin dhe sigurinë e Turqisë si stabilitetin dhe sigurinë e tij.

“Në këtë kontekst, Irani ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe transparent në favor të stabilitetit dhe fuqizimit të shtetit të Turqisë, kundër tentativës së dështuar për grusht shteti të 15 Korrikut 2016 nga organizata terroriste gyleniste (FETO)”, është shprehur Rouhani.

Më tej, kreu i shtetit iranian ka përshëndetur qëndrimin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kundër sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Irani përshëndet kreun e shtetit dhe shtetin e Turqisë për rëndësinë që i kushtojnë zhvillimit të bashkëpunimit me Teheranin, duke shprehur kënaqësi për këtë qëndrim”, thuhet mes të tjera në komunikatën e Presidencës iraniane.

Rouhani tërhoqi vëmendjen gjithashtu se takimi i fundit ishte me rëndësi madhore veçanërisht për Iranin dhe Turqinë.

“Irani dhe Turqia ballafaqohen prej vitesh me problemin e terrorizmit. Sa herë që ndërmjet dy vendeve është thelluar bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit, aq më të shumta kanë qenë arritjet në përpjekjen me këtë problem. Në nivel rajonal, dy vendet kanë realizuar bashkëpunime shumë të mira në luftën antiterrorizëm gjatë viteve të fundit”, përfundoi ai./ trt

OPINIONE