Rrëmbimi i Maduros në Venezuelë, një shfaqje force nga Donald Trump dhe një mesazh i dërguar të gjithë botës

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është rrëmbyer nga forcat speciale amerikane. Ai do të gjykohet në një gjykatë federale në Nju Jork për “konspiracion narko-terrorist”. Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të udhëheqin Venezuelën deri në një “tranzicion të sigurt” dhe të shfrytëzojnë rezervat e saj të naftës.

Rrëmbimi i Nicolas Maduros është vetëm preludi i një pushtimi më të gjerë të Venezuelës nga SHBA-të. Ky ishte mesazhi i përcjellë në konferencën për shtyp të Donald Trump në Palm Beach, Florida, të shtunën, më 3 janar, e mbajtur disa orë pas bastisjes së forcave speciale amerikane në Karakas që rezultoi në rrëmbimin e presidentit venezuelian dhe gruas së tij, të cilët u akuzuan për trafik droge.

“Ne do ta drejtojmë vendin derisa të mund të realizojmë një tranzicion të sigurt, të përshtatshëm dhe të mençur”, siguroi presidenti amerikan.

Edhe pse preteksti i ndërhyrjes është lufta kundër narkoterrorizmit, Donald Trump nuk e fshehu se objektivi kryesor ishte qasja në burimet e naftës së Venezuelës, më të mëdhatë në botë. Ky sulm është kulmi i disa muajve rritjeje të tensioneve, me goditje ajrore kundër anijeve venezueliane, të akuzuara se transportonin drogë drejt Shteteve të Bashkuara. Ushtria amerikane ishte vendosur në Detin e Karaibeve për të mbështetur këto operacione.

A kërkon projekti trumpian për “drejtimin e Venezuelës” vendosjen e trupave në terren, çka do të përbënte de facto një pushtim dhe një shpallje lufte?

Apo Shtëpia e Bardhë synon ta kontrollojë një vend të huaj nga jashtë, me armën kryesore kërcënimin e një ndërhyrjeje të dytë? Ky pikë kyçe nuk u sqarua dhe presidenti republikan la qëllimisht hapësirë për dyshim.

“Ne jemi tani atje dhe do të qëndrojmë derisa ky tranzicion i sigurt të mund të zhvillohet”,shpjegoi Donald Trump, edhe pse prania e ushtarëve amerikanë në Venezuelë nuk duket e konfirmuar në këtë fazë dhe se ushtarakët e përfshirë në operacion janë larguar nga territori. “Ne nuk kemi frikë të vendosim trupa në terren”, siguroi ai. Njëkohësisht, ai dukej se e përjashtonte zhvillimin e një operacioni të ri në të ardhmen e afërt: “Sulmi i parë ishte një sukses i tillë sa ndoshta nuk do të kemi nevojë të nisim një të dytë, por jemi gati të ndërmarrim një valë të dytë sulmesh nëse është e nevojshme.”

Një pjesë e madhe e konferencës për shtyp iu kushtua kremtimit të operacionit të kryer nga forcat speciale, i cili çoi në rrëmbimin e një kreu shteti, në zemër të kryeqytetit të tij, pa humbje jete nga ana e ushtarëve amerikanë, një demonstrim force i ushtrisë së parë në botë, i destinuar për të dërguar një mesazh jo vetëm në Karakas, por edhe në pjesën tjetër të planetit. “Asnjë komb në botë nuk mund të bëjë atë që kemi bërë ne”, u mburr Donald Trump, duke përçmuar operacionet ushtarake të ndërmarra nga paraardhësit e tij, veçanërisht ata demokratë.

Gjenerali Dan Caine, shefi i shtabit të përgjithshëm amerikan, detajoi misionin e pagëzuar “Absolute resolve”, duke lavdëruar bashkëpunimin e të gjitha komponentëve të forcave të armatosura dhe të agjencive të inteligjencës. I nisur të premten më 2 janar në orën 22 e 46 sipas orës së Uashingtonit, 4 e 46 të mëngjesit të së shtunës sipas orës së Parisit, operacioni kërkoi mobilizimin e 150 mjeteve ajrore, që u ngritën nga rreth njëzet baza tokësore dhe detare, për të hapur një korridor për helikopterët që transportonin forcat e ngarkuara me rrëmbimin e Nikolas Maduro dhe të bashkëshortes së tij, Cilia.

Ushtarët depërtuan në “kështjellën” presidenciale dhe arrestuan kreun e shtetit. Pas shkëmbimeve të zjarrit me forcat lokale, trupat amerikane arritën të ngrihen sërish në ajër me të burgosurit e tyre. Në orën 3 e 29 të mëngjesit sipas orës lokale, 9 e 29 sipas orës së Parisit, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij u zbarkuan në USS Iwo Jima, një anije sulmuese amerikane, me qëllim që të dërgoheshin në Nju Jork, ku i pret një aktakuzë para drejtësisë federale. Disa minuta para konferencës për shtyp, Donald Trump ndau në rrjetet sociale një fotografi poshtëruese të udhëheqësit venezuelian: ai shihet në bordin e anijes, i lidhur, me tuta gri, me kufje në vesh dhe maskë mbi sy.

Një operacion me ligjshmëri shumë të pasigurt

Shpjegimet e gjeneralit Dan Caine, sado mbresëlënëse të jenë për aftësitë ushtarake amerikane, nuk i shpërndajnë megjithatë të gjitha pikëpyetjet. Lehtësia me të cilën trupat amerikane depërtuan në kompleksin presidencial, saktësia e informacionit dhe mungesa e të plagosurve apo e dëmeve serioze materiale duket se tregojnë se rezistenca nga ana venezueliane nuk ka qenë e fortë, ose se kapacitetet ushtarake të Karakasit ishin mbivlerësuar. Sipas New York Times, CIA kishte vendosur një ekip agjentësh në terren që nga muaji gusht, gjë që mundësoi mbledhjen e informacioneve të çmuara mbi zakonet e Nicolas Maduro. A kanë përfituar Shtetet e Bashkuara nga bashkëpunimi i dikujt në rrethin e ngushtë të udhëheqësit? Dhe në çfarë gjendjeje ndodhet realisht aparati çavist në pushtet që nga viti 1999? Ditët në vijim do ta bëjnë të mundur vlerësimin e kësaj.

Zyrtarët e administratës amerikane, nga ana tjetër, kanë këmbëngulur disa herë në një element kyç: mes njerëzve të vendosur në terren kishte edhe oficerë të policisë gjyqësore. Shtëpia e Bardhë siguron se bëhet fjalë për arrestimin e një krimineli jashtë vendit dhe jo për pushtimin e një shteti sovran. Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij janë paditur para një gjykate federale në New Jork për komplot narkoterrorist, që synonte përmbytjen e Shteteve të Bashkuara me sasi të mëdha droge, sipas dokumentit prej 25 faqesh të aktakuzës të bërë publik. Kjo shërben për të justifikuar ligjshmërinë e ndërhyrjes, jo nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, për të cilën Donald Trump duket se tregon pak konsideratë, por më tepër në raport me Kushtetutën amerikane.

Në Shtetet e Bashkuara, është Kongresi ai që ka pushtetin të shpallë luftë, ndërsa autoriteti i presidentit normalisht kufizohet në vendosjen e operacioneve ushtarake të synuara, të shpejta dhe me karakter urgjent, veçanërisht për sigurinë e amerikanëve. Në rast të një vendimi të marrë nga Shtëpia e Bardhë, Kongresi duhet të informohet brenda 48 orësh dhe, nëse operacioni zgjat më shumë se 60 ditë, ai duhet të miratohet me votim. “Kongresi ka prirjen të nxjerrë informacionin”, u shpreh Donald Trump për të justifikuar faktin se të zgjedhurit nuk ishin paralajmëruar. Kreu i ekzekutivit ka vazhduar të gërryejë pushtetin legjislativ që nga fillimi i mandatit të tij të dytë.

Në orët që pasuan njoftimin e operacionit në rrjetin Truth Social të Donald Trumpit, të zgjedhurit, si republikanë ashtu edhe demokratë, për pjesën më të madhe ruajtën një heshtje të kujdesshme. Kryesisht sepse figura e Nicolas Maduro, një udhëheqës autoritar që u mbajt në pushtet me forcë pasi humbi zgjedhjet dhe që e ka zhytur vendin e tij në mjerim, është shumë jopopullore në Shtetet e Bashkuara, ku jeton një komunitet i madh refugjatësh venezuelianë kundër çavizmit.

Vetëm Mark Warner, senator demokrat dhe nënkryetar i komisionit të inteligjencës në Senat, publikoi një deklaratë duke kujtuar kompetencat e secilit në çështjet e ndërhyrjeve të jashtme dhe duke shtruar pyetjen që tashmë përshkon të gjitha kancelaritë në mbarë botën, veçanërisht në Europë: “Nëse Shtetet e Bashkuara i japin vetes të drejtën të përdorin forcën ushtarake për të pushtuar dhe kapur udhëheqës të huaj që i akuzojnë për sjellje kriminale, çfarë e pengon Kinën të pretendojë të njëjtin autoritet mbi udhëheqësit e Tajvanit? Çfarë do ta pengonte Vladimir Putinin të thërriste një justifikim të ngjashëm për të rrëmbyer presidentin ukrainas? Pasi kjo vijë kalohet, rregullat që frenojnë kaosin botëror fillojnë të shemben dhe regjimet autoritare do të jenë të parat që do të përfitojnë.”

Fitimet, busulla e rendit të ri botëror

Sapo ka nisur, viti 2026 premton të riformësojë edhe më thellë rendin botëror, tashmë seriozisht i tronditur që nga rikthimi në pushtet i Donald Trumpit në janar 2025. Me busullën kryesore gjeopolitike të përqendruar te perspektiva e fitimeve gjigante. Për Donald Trumpin, prerja e kokës së regjimit çavist lejon çlirimin e aksesit në rezervat e hidrokarbureve të vendit për kompanitë amerikane. Fjala naftë u përmend jo më pak se 20 herë gjatë konferencës për shtyp. “Ne do t’u kërkojmë kompanive tona shumë të mëdha amerikane të naftës, më të rëndësishmet në botë, të ndërhyjnë, të investojnë miliarda dollarë, të riparojnë infrastrukturat e dëmtuara rëndë, të ndajnë infrastrukturat e naftës dhe të fillojnë të gjenerojnë të ardhura për vendin”, shpjegoi presidenti, i cili përsërit vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara janë grabitur në kohën e nacionalizimit të rezervave të naftës, nën Hugo Chavezin, paraardhësin e Nicolas Maduro.

Por pasi të kalojë glorifikimi i suksesit ushtarak, Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të përballen me një situatë lokale të vështirë për t’u menaxhuar, në një vend ku Kina dhe Rusia kanë interesa. “Ne do t’ua shesim atyre naftën”, e mbylli shkurt Donald Trump, në një formulim që tregon njëkohësisht se ai i konsideron tashmë rezervat e hidrokarbureve si të vetat dhe se prizmi tregtar është i vetmi që ka rëndësi në sytë e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Donald Trump synon gjithashtu të ringjallë në mënyrën e tij doktrinën Monroe. E hartuar në vitin 1823 nga presidenti James Monroe për t’i dhënë fund kolonializmit europian në kontinentin amerikan në këmbim të një mosndërhyrjeje amerikane në Europë, kjo politikë evoluoi në një justifikim të ndërhyrjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine, me një sferë influence që shtrihet në të gjithë kontinentin amerikan. Shtetet e Bashkuara kanë megjithatë një të kaluar të rëndë në Amerikën Latine, me shumë përpjekje të pasuksesshme për të riformësuar sipas vullnetit të tyre regjimet në pushtet. Sa i përket Nikolas Maduro, për sa kohë ishte në pushtet në Karakas, ai përfaqësonte një udhëheqës autoritar dhe të korruptuar. Në burg në Nju Jork, ai simbolizon gjithashtu imperializmin amerikan të urryer në pjesën tjetër të kontinentit.

Donald Trump, i cili tashmë e sheh veten si zot të Karaibeve, duket se shqetësohet pak për këtë. Gjatë konferencës për shtyp, ai hodhi një kërcënim mezi të fshehur ndaj regjimit kastrist në Kubë, që mund të jetë vendi i radhës në listë. “Mendoj se do të përfundojmë duke folur për Kubën, sepse Kuba aktualisht është një komb në rënie, një komb në vështirësi shumë serioze”, shpjegoi ai, përpara se t’i jepte fjalën sekretarit të tij të shtetit, Marco Rubio, i lindur në Florida në një familje mërgimtarësh kubanë kundër komunizmit. “Po të jetoja në Havanë dhe të isha në qeveri, do të isha të paktën pak i shqetësuar”, shtoi ai. Lloji i paralajmërimit që administrata Trump i kishte drejtuar për muaj të tërë Nikolas Maduro./Le Monde/ Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne