Rrëzimi i qeverisë Kurti e lë politikën kosovare në paqartësi

Në mes të krizës së vazhdueshme të COVID-19, Kosova po futet në një tjetër krizë politike, duke ngritur një sërë pyetjesh të rëndësishme për formimin e qeverisë së ardhshme dhe të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Nga Blerim Vela – BIRN

Edhe para votimit të ditës së mërkurë, ishin shprehur kritika të mëdha në lidhje me vendimin për të parashtruar mocionin e votëbesimit kundër Qeverisë së Kosovës, kjo pasi Kosova aktualisht po përballet me shpërthimin e koronavirusut, me më shumë se 70 raste të konfirmuara deri më tani.

Tani, pasi Kuvendi i Kosovës votoi pro mocionit të mosbesimit kundër qeverisë, ajo që ndodh më pas përcaktohet nga disa faktorë, dhe si pasojë e koronavirusit, gjendja procesi ndërlikohet edhe më tej.

Në një të ardhme të afërt, qeveria do të vazhdojë së funksionuari si një qeveri në detyrë, me Albin Kurtin si kryeministër në detyrë, ndërkohë që LDK ka konfirmuar se ministrat e saj nuk do të tërhiqen nga kabineti qeveritar.

Sidoqoftë, formimi i qeverisë së ardhshme tani është përplot me komplikime të tjera.

Pyetja e parë e madhe që kërkon zgjidhje është nëse Presidenti i Kosovës do të lejojë që grupet parlamentare të zgjedhura në Kuvend në tetorin e vitit 2019 të krijojnë një qeveri të re apo të vendosë ta shpërndajë parlamentin dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Opsioni i fundit do të pasqyronte praktikën e mëparshme e cila ishte vendosur me mocionet që suksesshëm kanë kaluar në vitet 2010, 2014 dhe 2017. Sidoqoftë, një pengesë e qartë për këtë është pandemia e koronavirusit.

Zgjedhjet tashmë janë shtyrë në Serbinë fqinje dhe Maqedoninë e Veriut, dhe ideja për të planifikuar zgjedhje të parakohshme – të cilat do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditëve nga dita kur shpërbëhet parlamenti – opcion ky që duket i pamundur marrë parasysh rrethanat aktuale.

Sidoqoftë, nëse presidenti vendos ta shpërbëjë Kuvendin, ai do të duhej ta përsëriste kërkesën e tij drejtuar Lëvizjës Vetëvendosje – si partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019 – për të siguruar emrin e një kandidati për kryeministër.

Vetëvendosje e ka bërë të qartë pas zgjedhjeve të vitit 2019 se partia e vetme me të cilën ajo do të pranonte të hynte në koalicion, është LDK. Me këtë koalicion tashmë të përçarë, tani është e vështirë të parashikohet ndonjë konstelacion tjetër i partive që mund të formojë një qeveri me Vetëvendosjen si partnerin kryesor.

Ç’është më e rëndësishmja, Vetëvendosje gjithashtu do të ketë diskrecionin e plotë për të vendosur kur t’i përgjigjet kërkesës së Thaçit për emërimin e një kryeministri, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton ndonjë afat kohor për këtë vendim.

Kjo i jep Vetëvendosjes mundësinë që të vazhdojë së funksionuari në kapacitetin e Qeverisë në detyrë, nëse në ndërkohë, nuk e ofron emrin e një kandidati. Sidoqoftë, partitë e tjera ka shumë të ngjarë të kundërshtojnë çdo taktikë zvarritëse në Gjykatën Kushtetuese, që do të ishte në gjendje të zgjidhë çështjet e shkaktuara nga mungesa e një afati kohor.

Nëse, eventualisht, Vetëvendosje e siguron një emër të një kandidati dhe ky emër refuzohet nga Kuvendi, atëherë presidenti ruan të drejtën e diskrecionit që të propozojë një subjekt tjetër politik për të emëruar një kandidat, i cili ka shumë gjasa të jetë një kandidat nga LDK, si parti e dytë për nga numri i votave të fituara në zgjedhjet e 6 tetorit.

Sidoqoftë, për LDK një aritmetikë përmes së cilës do të mund ta formonte një qeveri duket të jetë gjithashtu e vështirë, veçanërisht pa një mundësi marrëveshjeje me Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, e për të cilën mundësi shumë deputetë të LDK-së u shprehën kundër gjatë seancës së të mërkurës.

Në mbrëmjen e së mërkurës, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi për media se LDK nuk do të hyjë në një koalicion me PDK-në, por përkundrazi do të drejtohen kah AAK-ja, Nisma, AKR dhe përfaqësuesit komuniteteve jo-shumicë, madje duke sugjeruar se një koalicion tjetër me Vetëvendosjen do të ishte i mundur.

Secila parti që do të emëronte një kandidat do të kërkohej që ky kandidat t’i merrte votat e nevojshme nga Kuvendi, një hap tjetër ky që është bërë më i komplikuar nga pandemia Covid-19.

Para mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të ditës së mërkurës, Kryesia e Kuvendit kërkoi këshilla nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nëse salla e parlamentit i plotësonte kushtet për mbajtjen e seancës, dhe një numër masash u ndërmorën për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Me përhapjen e epidemisë në Kosovë, mbledhja e Kuvendit mund të bëhet më e vështirë në ditët dhe javët në vazhdim.

Ekziston gjithashtu mundësia që puna e Kuvendit të bllokohet me dorëheqjen Vjosa Osmanit nga pozita e Kryetares së Kuvendit, një kritike e hapur e mocionit të mosbesimit nga qeverisë Kurti.

Kryetarja e Parlamentit gëzon të drejtën e vetme që të thërrasë të gjitha mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit dhe seancave plenare dhe nëse posti i kryetarit të Kuvendit mbetet vakant atëherë Kuvendi do të duhet të zgjedhë një kryetar të ri që duhet të emërohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Hipotetikisht Vetëvendosje mund të ndalë punën e Kuvendit për një kohë të pacaktuar duke u mospërcaktuar në emërimin e një deputeti tjetër si kandidatin e saj për postin e Kryetarit të Kuvendit. Ky do të ishte një veprim i paprecedentë me pasoja të mëdha, pasi që Kuvendi i Kosovës nuk ka përvojë paraprake në situata të ngjashme për të nxjerrë praktikën e tij në lidhje me mënyrën se si duhet të veprojë.

Duket se LDK e nisi mocionin e mosbesimit duke marrë parasysh paraprakisht hapat e saj të ardhshëm, dhe skenari më i mirë dhe më realisti për LDK-në, do të ishte një përpjekje për të formuar një qeveri me mbështetjen e partive e tjera, duke e përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkohë, ka të ngjarë të kërkojë që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet dhe që të shpallen zgjedhjet.

Por, ndërkohë që Vetëvendosja e vë strategjinë e saj politike drejt mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pasi kushtet të lejojnë një gjë të tillë, partitë e tjera ka të ngjarë të kërkojnë të shmangin zgjedhjet me çdo kusht në një të ardhme të afërt, në veçanti, duke marrë parasysh paknaqësitë publike për shkarkimin e qeverisë.

Elementi tjetër i paqëndrueshëm në këtë kombinim është perspektiva e një marrëveshjeje finale midis Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Ëashington.

Pengesa zyrtare për rinisjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës ishte taksa ndaj importit për mallrat serbe e vendosur nga qeveria paraprake, e cila u bë një pykë që i ndau në dysh partnerët e koalicionit të mëparshëm qeverisës.

Gjatë kohës si Kurtit në kryeministër, i Dërguari Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e qortoi hapur kryeministrin Kurti për dështimin e tij që të largonte taksën plotësisht dhe pa kushte. Grenell gjithashtu ishte kundër vendosjës së politikës së zëvendësimit të taksës me masa reciprociteti ndaj Serbisë – një premtim elektoral dhe pjesë e programit qeveritar të rënë dakord midis Lëvizjës Vetëvendosje dhe LDK.

Në prezantimin e mocionit, LDK argumentoi se kryeministri Albin Kurti kishte rrezikuar marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Nga ana e tij, Kurti e përshkroi mocionin si asgjë më shumë se një përpjekje për ta larguar atë nga pozita e kryeministrit, duke i hapur rrugën një marrëveshje me Serbinë për të cilën ai tha se ishte i bindur se ishte e gatshme tashmë.

Kurti përfundimisht vuri në vend planin e tij duke e larguar taksën për lëndën e parë që hyn në Kosovë nga Serbia më datë 20 mars, e cila ishte planifikuar të hiqej plotësisht me 1 prill. Me heqjen e taksës, së shpejti do të krijohen kushtet për të rifilluar dialogun midis të dy vendeve, megjithatë kjo ngre pyetjen se kush do ta përfaqësojë Kosovën.

Qeveria Kurti ka punuar shumë për të siguruar se ata janë parë si përfaqësuesit e vetëm legjitimim të Kosovës, kundër Presidentit Hashim Thaçi, por me një qeveri të shpërbërë tashmë, këto pyetje do të rihapen.

E mërkura ishte një tjetër ditë dramatike në politikën kosovare. Shkarkimi i qeverisë do të thotë që e ardhmja e saj ka të ngjarë të karakterizohet me trazira dhe polarizim të mëtejshëm, derisa të ketë një qartësi mbi të ardhmen e krijimit të qeverisë së re, si dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë./Reporter/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne