Rritet kundershtimi i politikës së jashtme amerikane në botën arabe

Qëndrimi negativ ndaj politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme është rritur dukshëm në botën arabe, njoftoi të enjten një institucion mendimi (think tank) i bazuar në Uashington.

Qendra Arabe në Uashington DC (ACW) dhe Qendra Arabe për Kërkime dhe Studime Politike (ACRPS), të dyja me seli në kryeqytetin amerikan, publikuan rezultatin e një sondazhi të tyre njëmujor në 8 vende arabe rreth Presidentit Donald Trump dhe politikës së jashtme të SHBA-së.

Sondazhi në fjalë, realizuar mes datave 14 shtator – 13 tetor 2017, ka anketuar 3.200 arabë të përzgjedhur rastësisht në Egjipt, Jordani, Kuvajt, Liban, Marok, Palestinë, Arabinë Saudite dhe Tunizi, me 400 të anketuar mesatarisht në secilin vend.

Përmes një konference për shtyp në Uashington, Tamara Kharroub, kryeanaliste dhe asistente e drejtorit ekzekutiv të ACW-së, deklaroi se gati gjysma (48%) e arabëve të anketuar shprehën pikëpamje të përgjithshme pozitive për SHBA-në, megjithatë ka një përshtypje negative të fortë lidhur me politikën e jashtme amerikane në rajon .

Tamara Kharroub theksoi se sondazhi tregon që ndjenja antiamerikane në botën arabe synon politikat e jashtme amerikane në rajon dhe jo vetë SHBA-në si një vend apo popullsinë e saj.

“Në përgjithësi, 61% e arabëve të anketuar kanë një qëndrim negativ apo disi negativ për politikën amerikane në botën arabe, ndërkohë që vetëm 25% e tyre shprehën pikëpamje negative apo disi negative për popullin amerikan”, shtoi ajo.

Kur u pyetën për politikën e Presidentit Donald Trump dhe nëse ai dukej antimysliman apo islamofob, shumica e të anketuarve arabë (58%) u përgjigjën se kanë një pikëpamje negative për të, kurse 56% e tyre e konsiderojnë kreun e Shtëpisë së Bardhë si një armik të vërtetë të myslimanëve.

Anketa gjithashtu tregoi se vetëm 17% e arabëve të anketuar besojnë se presidenca e Trumpit ka përmirësuar politikën e SHBA-së ndaj botës arabe, shumica prej të cilëve ishin në Arabinë Saudite (24%), Egjipt (22%) dhe Kuvajt (22%).

“Por shumica dërrmuese mendon se Trumpi ka ndikuar negativisht në politikën e SHBA-së për botën arabe”, vuri në dukje Kharroub.

Mes të tjerash, ajo bëri me dije se normat e refuzimit të kërkesës për anketim ishin çuditërisht të larta në krahasim me vitin e kaluar dhe shkalla më e lartë e refuzimit ishte po ashtu në Arabinë Saudite (56%), Egjipt (49%) dhe Kuvajt (45%).

“Arsyeja e kësaj mund të jetë klima politike aktuale, ku liderët e këtyre vendeve kanë marrëdhënie të mira me Presidentin Donald Trump dhe të kontaktuarit mund të jenë ndrojtur për të shprehur pikëpamjet e tyre rreth liderit amerikan, pasi këto opinione mund të mos pajtohen me ato të qeverive të tyre”, përfundoi kryeanalistja dhe asistentja e drejtorit ekzekutiv të Qendrës Arabe në Uashington DC.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne