Rritja e pagave të administratës, Teliti: Hap i vonuar, duhej të merrej para se të largoheshin shqiptarët

Duke diskutuar mbi rritjen e pagave në administratën publike, ekspert për çështjet ekonomike pranë PD, Dorian Teliti, është shprehur se ky është një hap i vonuar i Qeverisë. Teliti u shpreh se hapi duhej të merrej para se të largoheshin shqiptarët.

“Më së fundmi qeveria ka marrë iniciativën për rritjen e pagave, por nuk është e mjaftueshme dhe e vonuar. Ky hap duhej të ndërmerrej përpara se të kishim një hemorragji, pra largim të shqiptarëve. E vlerësojmë faktin se po rriten pagat, por efektet sot janë më të pakta se ato që do të kishim nëse do të rriteshin pagat kohë më parë”, tha Teliti.

Ai u shpreh se fillimisht qeveria rriti pagat e politikës, ndërsa në rastin e administratës nuk kemi parë ende vendimin për rritjen e pagave. “Rritën pagat e Presidentit, ministrave, politikanëve, ndërsa për administratën janë të vonuar”, tha Teliti. Kujtojmë se kryeministri Edi Rama, në daljet publike, ka deklaruar se paga mesatare e administratës do të arrijë në 900 euro.

Shtesa që punonjësit e administratës do të përfitojnë në muajin korrik llogaritet nga 7 deri në 30%. Mjekët dhe mësuesit pritet të jenë dy kategoritë që do të përfitojnë më shumë nga rritja e pagave. Kostoja e plotë e reformës së pagave arrin në rreth 39 miliardë lekë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne