Një gojëdhënë krejt e besueshme, tregon një histori. Në vitin 1985, sapo kishte marrë detyrën e Presidentit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia udhëtoi për herë të parë në një takim pune drejt Tepelenës. Sipas tregimtarëve, kur Alija mbërriti në Tepelenë, atë ditë zona ishte përfshirë nga një stuhi e ashpër shiu dhe ere. Por për çudinë e të gjithëve dhe më të madhe të vetë Ramiz Alisë, kur ai mbërriti në qytetin e Tepelenës gjeti aty të mijëra qytetarë të Tepelenës deri edhe nxënës shkolle që ishin mbledhur nga hyrja deri në qendër të qytetit dhe brohorisnin nën diktimin e Sekretarit të Parë me patosin e kohës: “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”.
Nisur nga kushtet e motit skandaloze, Ramiz Alija thonë se u mahnit pas këtij gjesti nënshtrimi të tepelenasve dhe kërkoi informacion se kush ishte marrë me përgatitjen e kësaj ceremonie. Përgjigja ishte: “Është marrë vetë Sekretari i Parë i Tepelenës Shoku Gramoz, Gramoz Ruçaj quhet”- i thanë zyrtarët e tjerë komunistë.
Thuhet se Ramiz Alija është shprehur aty për aty: “ky po që qenka për këtë punë”. Se për çfarë pune e kishte fjalën Ramiz Alija, ajo u kuptua në Shkurt të vitit 1991. Duke parë se qeveria e Adil Çarçanit nuk po i përgjigjej me rreptësinë e duhur dhe i gjithë faji i adresohej Ministrit të Brendshëm të asaj kohe Hekuran Isai, Ramiz Alia kërkoi një riformatim të shpjetë të qeverisë Çarçani me qëllim që në krye të Ministrisë së Brendëshëm të vendosej një njeri që i përgjigjes sfidave të momentit të regjimit komunist që po rrënohej nga protestat.
Zgjedhja personale e Ramiz Aliajt për këtë post ishte pikërisht Sekretari i Parë i Tepelenës, njeriu që i kishte mbajtur bashkëqytetarët e tij në shi e në erë për më shumë se dy orë për ta pritur, Gramoz Ruçajn alias Ruçi.
“Me thënë të drejtën në fillim hezitova për ftesën e Ramiz Alisë, por në fund mendova se këtë detyrë dikush do ta bënte, pra një shqiptar do të ishte ministër i Brendshëm në atë kohë të vështirë të vitit 1991. Kështu vendosa ta pranoj këtë detyrë. Ky fat i mirë apo i keq më ra mua”- këshu e ka rrëfyrer këtë moment të jetës së tij politike, Gramoz Ruçi në një intervistë dhënë për gazetaren Luljeta Progni.
Ngjarjet e 2 Prillit në Shkodër!…
“Goditini ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të goditnin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur, forcat tona që përleshen me turmat të mos shkojnë të armatosura. Gramoz Ruçaj”. Ishte ky urdhëri i lëshuar nga ish Ministri i Brendshëm Gramoz Ruçi në vigjilje të protestës së 2 Prillit në Shkodër e ku si pasojë e masakrës së urdhëruar nga ai, u ekzekutuan nga snajperat e Ministrisë së Brendshme Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Çeka dhe Nazmi Kryeziu.
E pabesueshme, qyteti që e strehoui për 4 vjet dhe arsimoi si bio-kimist djaloshin salariot, mori si përgjigje plumba mbi 4 djemtë e saj më të mirë nga Ministri i Brendshëm tashmë, Gramoz Ruçi. Fiks qeni që kafshoi dorën e qytetit që e priti dhe e ushqeu me bukë e dije. Për këtë arsye kur Gramoz Ruçi u paraqit në gjyq një vit më pas në Shkodër, një qytetar shkodran që ndodhej në gjyqin e Masakrës së 2 Prillit, e qëlloi me këpucë tepelenasin mosmirënjohës, gjesti që tregon nivelin më të madh të përçmimit të njeriut për njeriun. Por Gramoz Ruçit aq i bënte atëherë, e aq i bën sot.
Prapaskenat politike të Gramoz Ruçit nga viti 1992 deri në vitin 2005
Gramoz Ruçi kreu me heroizën të lartë proletar detyrën e Ministrit të Brendshëm, ku në vetëm 4 muaj në drejtimin e tij, zyrtarisht në Shipëri u vranë 4 njerëz në Shkodër e dhjetra të tjerë nëpër kufi ndërsa tentonin të arratiseshin. E për këtë, në qershor të vitit 1991, Ramiz Alija kishte menduar një tjetër detyrë të rëndësishme për Gramoz Ruçin kur i besoi atij, detyrën e drejtuesit të Kongresit të 10 të PPSh-së. Gramoz Ruçi është bashkëarkitekti i shëndrrimit të Partisë së Punës në Partinë Socialiste që njohim sot, brenda një natë. Me pak fjalë, Gramozi dhe shokët e tij të partisë, u ngrysën komunistë dhe u gdhinë të nesërmen socialistë, bashkë me Ramiz Aliajn në krye.
Me përfundimin e Kongresit të 10-të të PPSH-së, vendit iu dha një qeveri e re me Kryministër Fatos Nanon, deri atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Adil Çarçanit. Fatos Nano krijoi një qeveri me qëllim që emrat e ministrave të ishin sa më të moderuar dhe për këtë arsye në këtë kabinet, në vlerësimin e tij, nuk kishte më vend për Gramoz Ruçin. Ai e zëvendësoi atë me Alfred Serreqin, një mjek nga Miloti. Por kjo nuk e pengoi Gramoz Ruçin që të mbetej besnik, ashtu siç di ai ndaj Fatos Nanos dhe për këtë u vesh me postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së.
Intermexo…Ikja me fustanellë gruaje drejt Greqisë në vitin 1997
Gjatë trazirave të vitit 1997, nuk dihet sepse, por Gramoz Ruçi ishte i vetmi zyrtar i PS-së i cili e pa të nevojshme jo të largohej, por të arratisej nga Shqipëria. Burime zyrtare thonë se largimi i Gramoz Ruçit në doganën mes Shqipërisë dhe Greqisë është bërë i kamufluar për ti shpëtuar kontrollit të SHIK-ut. Maskimi i Gramoz Ruçit ishte duke u veshur me fustanellë gruaje tepelenase. Pasi arriti të kalojë kufirin shqiptaro-grek duke u maskuar si grua, Gramoz Ruçi ka jetuar për më shumë se 6 muaj si emigrant në Greqi.
Rikthimi në Shqipëri…
Pas rikthimit në Shqipëri, gazetarët e kohës raportojnë se ai mbajti një profil neutral në PS gjatë vitit 1998 kur u zhvillua Kongresi i rradhës.
Në Kongresin e PS-së të vitit 1999, kur në parti ishin ravijëzua dy grupe ai i Fatos Nanos që mbështeste Pandeli Majkon si Kryeministër dhe grupimi i Ilir Metës, Ruçi u rreshtua përkrah grupimit të Kryetarit të PS-së, ashtu siç ka bërë gjithmonë. Pasi Pandeli Majko arriti të zgjidhej për herë të parë Kryeministër, Gramoz Ruçi u shpërblye duke u emëruar sërish në postin e tij të përjetshëm, Sekretar i Përgjithshëm i PS-së.
KPD 2001… Pas zgjedhjeve të vitit 2001, në KPD-në e famshme, Gramoz Ruçi duke parë drejtimin e erës zgjodhi që të mbështeste fraksionin e Ilir Metës në parti dhe si rrjedhim ky i fundit u zgjodh kryeministër, ndërsa Fatos Nano luftonte pro kandidaturës së Arben Malajt.
Qeveritë e PS, 2002… Por ndërsa Pandeli Majko mori detyrën nga muaji Shkurt 2002 deri në Gusht të po atij viti, vetëm kaq kohë iu nevojit Gramoz Ruçit që të rikthehej sërish në oborrin e Nanos, në betejën e tij kundër Ilir Metës. Fatos Nano rizgjidhet Kryeministër.
Ikja e Ilir Metës, 2003… Gramoz Ruçi tashmë, thjeshtë ishte rreshtuar në krah të kryministrit të rradhës, dhe si pasojë e këtij grupacioni, Ilir Meta detyrohet të largohet nga PS-ja në vitin 2003 dhe formoi një parti të re, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Tetor 2005… Ndërsa PS i humbi zgjedhjet në verën e vitit 2005, i vetmi që nuk kishte ndërmend të humbte asgjë nga pushteti i tij në parti ishte Gramoz Ruçi. Në Kongresin e Tetorit të 2005-ës, Ruçi mbështet platformën e prezantuar nga një rishtar në PS, i quajtur Edi Rama. Gramoz Ruçi bëri çmos që ai të votëbesohet si kryetar i kësaj partie në përballjen modeste me Rexhep Mejdanin. Shpërblimi edhe njëherë për shërbimet e tij të paepura ndaj Edi Ramës, është rikonfirmimi si Sekretar i Përgjithshëm. Lajmi është se që prej tetorit të vitit 2005 e deri më sot, besnikëria e Gramoz Ruçit ndaj Edi Ramës nuk është lëkundur për asnjë çast dhe kjo mund konsiderohet si një rekord historik për një makiavelist politik si ai. Edhe kjo besnikëri do të kishte shpërblimin e vet.
25 Korrik 2017… U deshën plot 4 vjet që Edi Rama të mbante premtimin e tij para opozitës dhe shqiptarëve: “nuk keni parë akoma asgjë”. Ai doli para shqiptarëve dhe deklaroi se si akt të parë të 4 vjeçarit të tij të dytë si kryeministër, nuk do të ishin as rritja e rrogave e pensioneve, as përmirësimi i infrastrukturës në Shqipëri dhe as rritja ekonomike në vend. Jo dhe jo. Akti i tij i parë dhe solemn prej Kryeminsitri me Timon në Dorë, ishte zgjedhja e Gramoz Ruçit në si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Gramoz Ruçi, njeriu hije i… ndërtuesve
Edi Rama dhe Gramoz Ruçi duket se kanë një sinergji të jashtëzakonshme për njëri tjetrin dhe e gjitha kjo duket se e ka një nyje lidhëse, lejet e ndërtimit. Gramoz Ruçi njihet off-record si njeri kryesor ndaj të cilit e për llogari të të cilit, Edi Rama ka firmosur me qindra leje ndërtimi pallatesh në Tiranë. Por jo vetëm, Gramoz Ruçi akuzohet edhe si një nga njerëzit që fshihet pas lejeve të ndërtimit që masakrauan rreth 70% të qytetit të Sarandës. Nga viti 2000 deri ne vitin 2003, në krye të Bashkisë së Sarandës ka qeverisur Adrian Shehu, ose siç njihet sot e gjithë ditën nga qytetarët e Sarandës, ‘Adrian Peshkaqeni’ për shkak të grykësisë dhe masakrës që ai lejoi me ndërtimet në qytetin e Saradës. “Peshkaqeni” në fjalë ishte një nga protezhetë e Gramoz Ruçit për të cilin ai firmosi leje ndërtimi me po të njëjtin pathos, siç bëri më pas edhe Edi Rama në Tiranë.
Problemet e Gramoz Ruçit me drejtësinë e SHBA-ve
Lista e Zezë e SHBA-së… Pak e dinë se që prej vitit 2005 e deri më sot, Gramoz Ruçi e ka të pamundur të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ruçi është përfshirë në listën e zezë të SHBA-ve dhe që prej atëhere emri i tij vazhdon të mbetet aty. Burime zyrtare të Departamentit të Shtetit e akuzojnë Gramoz Ruçin për lidhje me trafikantë droge dhe persona me probleme me ligjin, veçanërisht për miqësinë e Ruçit me “të fortin” e Tepelenës, Gjolek Malaj. Ky i fundit është i njëjti person që u bë i famshëm në Shqipëri në vitin 2007, kohë kur me urdhër të Gramoz Ruçit dhunoi rëndë gazetarin Mero Baze në Gjirokastër gjatë zgjedhjeve lokale. Kjo është edhe arsyeja e vërtetë se përse ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu në fillim bojkotoi senacën ku Gramoz Ruçi mori detyrën si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, më pas hoqi kufjet në formë proteste kur ai (Gramoz Ruçi), adresoi fjalimin e tij të parë si kryetar.
Ledio Ruçi, “bëmë baba të të ngjaj”…
Në vitet 2000-2005, Ledio Ruçi, i biri numrit 2 të PS-së, Gramoz Ruçi u kthye në adoleshentin më problematik të Shqipërisë. Për shkak të pushtetit të të atit, arroganca e djaloshit Ruçi ishte e pakufijshme, derisa dikur i hasi sharra në gozhdë me disa bashkëmoshatar nga Laçi. Pas një konflikti me 3 të rinj nga Laçi në një nga pub-et e Tiranës, Ledio Ruçi shkon në shtëpi merr një pistoletë dhe rikthehet në lokalin e natës duke qëlluar një prej 3 të rinjve i quajtur Artur Ceka. Dy shokët e Cekës arrijnë që ti marrin pistoletën nga dora Ledio Ruçit dhe qëllojnë duke e plagosur me armën e tij.
Në 20 Nëntor të vitit 2011 Ledio Ruçi ishte shkaktar i një aksidenti në qendër të Tiranës, ku si pasojë e përplasjes së automjetit të tij të shtrenjtë BMW5 me një tjëtër automjet, mbeti e vdekur në vend një vajzë 27 vjeçare.
Në Shkurt të vitin 2012, Ledio Ruçi u arrestua nga policia pasi iu shmang një postoblloku. Në momentin e ndalimit të birit të Gramoz Ruçit iu gjenden në automjet edhe 1.5 gramë lëndë narkotike kanabis sativa.
23 Qershor 2013, thonë se Gramoz Ruçi pasi PS fitoi zgjedhjet, e mori mënjanë birin e tij dhe e paralajmëroi me këto fjalë: “do të ta marr shpirtin nëse më krijon më probleme”. Në këmbim Gramoz Ruçi e punësoi të birin në Agjensinë Ndërkombëtare të Trafikut Ajror ty ku punon edhe sot dhe nuk bën më fjalë…
Ky është një material që sjell edhe njëherë më vëmendje një tjetër imazh të Gramoz Ruçit, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Jo atë me të cilën ai është mundur ti imponohet shqiptarëve, si burri i urtë që nuk përzihet kurrë me punët e pista. E kundërta është e vërtetë. E gjitha karriera e Gramoz Ruçit është e mbështetur qartazi mbi makiavelizmin, mbi vrasjen e 2 Prillit, mbi servilizmin, me lidhjet okulte me ndërtuesit e banditë të njohur, me faktin që në SHBA nuk e qasin më dhe me turpet e të birit të tij. Dhe sigurisht që e gjithë kjo panoramë e zezë e një njeriu në faj, nuk kishte sesi të mos shpërfaqej me të gjithë shëmtinë e vet…, edhe në surratin e tij!