Shqiperia

Ruçi thërret këshillin e imuniteteve, por opozita thotë se nuk ka marrë dokumentet e prokurorisë

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi pranoi para kamerave në orën 7 të mbrëmjes së të enjtes se ka marrë kërkesën e prokurorisë dhe se ka urdhëruar thirrjen e këshillit të imuniteteve por Gent Strazimiri nga opozita i tha BIRN se Ruçi nuk i ka komunikuar ende kërkesën e prokurorisë dhe akuzoi maxhorancën se po fitojnë kohë në favor të Tahirit.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi pranoi në orën 7 të mbrëmjes së të enjtes, 19 tetor, se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme dhe dosja shoqëruese e kërkesës për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Saimir Tahirit ka mbërritur me të vërtetë në zyrën e tij dhe se ai ka urdhëruar ndjekjen e procedurës standard në këtë rast, por Partia Demokratike në opozitë deklaroi në mënyrë të përsëritur se Ruçi dhe maxhoranca socialiste e Kuvendit po shtyjnë procedurat për të fituar kohë dhe për të ndihmuar Tahirin të fshehë gjurmët e mundshme të krimit.

“…më lejoni t’ju njoftoj ju dhe nëpërmjet jush, gjithë opinionin publik se sot, në datën 19 tetor 2017, më është paraqitur pikërisht në orën 17:00 nga strukturat e Kuvendit, kërkesa e bërë nga Prokuroria e Tiranës për dhënien e autorizimit asaj, lidhur me ndalimin e deputetit Saimir Tahiri”, deklaroi Ruçi, ndërkohë që njoftoi se urdhri i tij përfshin thirrjen e Këshillit të Mandateve ditën e nesësme në orën 11.

Por deputeti Gent Strazimiri nga opozita, i cili është edhe anëtar i këshillit të mandateve, deklaroi pak pas konferencës për shtyp të Ruçit se ai vetë nuk e ka marrë ende kërkesën e prokurorisë dhe dokumentet shoqëruese të saj dhe akuzoi maxhorancën se po përpiqen t’i japin kohë Tahirit për të kryer fshehje të mundshme të provave.

“Deri në këtë orë nuk kemi marrë asnjë dokument. Dokumenti ka mbërritur në Kuvend në orën 12 të drekës,” tha Strazimiri duke kundërshtuar pretendimet e Ruçit se kërkesa i ka mbërritur në orën 17 dhe se atij i qe dashur dy orë kohë për t’u konsultuar.

Më herët gjatë ditës, kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi se vonesat në heqjen e mandatit të Tahirit dhe lejimit të prokurorisë për të kryer kontrolle në banesën e tij bëhet me synimin për të fshehur gjurmët e mundshme inkriminuese.

Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm 2013-2017, akuzohet për lidhje me grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Tahiri është vetëdeklaruar i pafajshëm në mënyrë të përsëritur, por Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur mesditën e së enjtes se ka kërkuar leje nga Kuvendi për arrestimin e tij dhe kontrollin e banesës së tij.

Prokuroria ka të drejtë të hetojë një deputet, por jo ta arrestojë atë apo t’i kontrollojë banesën pa lejen nga kuvendi. Sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, këshilli i mandateve duhet të dëgjojë fillimisht prokurorinë dhe të akuzuarin dhe pas kësaj, ka deri në katër javë kohë për të dorëzuar një raport në seancë plenare ku e pranon ose rrëzon kërkesën e prokurorisë. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet ka gjithashtu të drejtë të mos shprehet për kërkesën e prokurorisë, ku mosshprehja ka peshën ligjore të refuzimit pas tre muajsh.

Pavarësisht se këshilli i mandateve ka këtë mundësi, maxhoranca socialiste ka dhënë shenja se do ta lejojë arrestimin e Tahirit.

Para se Tahiri të arrestohet dhe prokuroria të lejohet të kontrollojë banesën e tij, nevojitet që Kuvendi i Shqipërisë të mblidhet në seancë plenare dhe të votojë heqjen e imunitetit. Nesër, më 20 tetor, nuk ka seancë plenare të planifikuar dhe nuk dihet nëse socialistët do të lejojnë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme apo çështja do të shtyhet për seancën e ardhshme, e cila pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

Tahiri rezulton se ka disa lidhje me grupin kriminal të Habilajve, të cilët u hetuan nga drejtësia italiane për më shumë se katër vjet. Provat e zbuluara deri tani tregojnë se Tahiri u ka vënë në dispozicion makinën e vet personale, me të cilën banda ka udhëtuar në Itali në funksion të aktiviteteve të veta kriminale ndërsa një prej anëtarëve të bandës ka përmendur në dy raste Tahirin si përfitues të shumave monetare. Tahiri i mohon akuzat duke argumentuar se i ka “kushërinj të dhjetë” Habilajt dhe se makinën ua kishte shitur pavarësisht se nuk qe kryer transferimi i pronësisë.

OPINIONE

INTERVISTA