Ruhani u jep mision të veçantë specialistëve iranianë për gjetjen e medikamentit dhe vaksinës kundër virusit Korona

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit ka njoftuar se i ka dhënë mision të veçantë Ministrisë së Shëndetësisë dhe departamentit për shkencë dhe teknologji pranë presidencës iraniane për prodhimin e medikamentit dhe vaksinës kundër virusit Korona.

Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, ditën e shtunë në mbledhjen me krerët e komiteteve të shtabit kombëtar kundër virusit Korona, ka theksuar se në bazë të aftësive dhe kapaciteteve shkencore të specialistëve të rinj iranianë, arritja deri te një medikament dhe vaksinë kundër virusit Korona nuk është e pamundur.

Hasan Ruhani tha: “Specialistët dhe mjekët e Iranit në bazë të studimeve dhe hulumtimeve që kanë kryer në Iran dhe duke shkëmbyer eksperiencat e veta me vendet e tjera, deri në një masë të madhe kanë arritur të zbulojnë mënyrat e veprimit të këtij virusi dhe të gjejnë rrugët efikase kundër përhapjes së kësaj epidemie dhe kjo ka rëndësi shumë të madhe”.

Ruhani gjithashtu vuri në dukje zbatimin e planit për distancim inteligjent social në Iran dhe shtoi: “Ky plan është vendosur në zbatim duke studiuar stilin iranian të jetës dhe duke iu përmbajtur modelit vendor dhe njëkohësisht duke respektuar udhëzimet dhe këshillat e miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”.

Në planin e distancimit inteligjent social në vend që të gjithë njerëzit të respektojnë distancën fizike me të tjerët, identifikohen individët dhe profesionet dhe grupet e popullsisë me rrezik më të ulët nga aspekti i infektimit dhe aktiviteti i këtyre grupeve të qytetarëve rifillon gradualisht, ndërsa individët dhe grupet e tjera vazhdojnë të respektojnë distancimin social si më parë./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne