Bota

Rusia akuzon NATO-n për nxitjen e tensioneve

Pas përplasjeve të fundit verbale e ushtarake në qiejt e Sirisë, tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit vazhdojnë të mbeten të larta.

Një F16-të i NATO-s i është afruar avionit me të cilin po udhëtonte ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Kjo ka nxitur reagimin e një bombarduesi rus Su-27, që u pozicionua mes dy mjeteve fluturuese, duke treguar armët e duke detyruar tërheqjen e avionit të NATO-s. Mediat ruse njoftuan se incidenti ndodhi në hapësirë ajrore ndërkombëtare, mbi detin Baltik, kur Shoigu po fluturonte në enklavën ruse të Kaliningradit. Pas mbërritjes në destinacion, ministri rus i Mbrojtjes foli kundër atyre që i quajti akte agresive të NATO-s në kufijtë e Rusisë. “Situata që po zhvillohet në kufijtë tanë perëndimorë ka tendencën për t’u përkeqësuar. Kjo lidhet me intensifikimin e aktiviteteve ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s në lindje të Europës. Aleanca ka grumbulluar forcën ushtarake në shtetet baltike dhe kjo tregon qëndrimin e partnerëve tanë europianë, pro politikave anti-ruse”, tha Sergei Shoigu. Kohët e fundit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Aleanca perëndimore është e shqetësuar për zgjerimin e pranisë ushtarake të Rusisë në kufijtë e shteteve të NATO-s në Europën Lindore, prandaj ka shtuar pajisjet dhe trupat e NATO-s në këto shtete si dhe ka filluar manovra të gjera ushtarake për t’i treguar Rusisë se nuk do të tolerojë ndonjë agresion ndaj shteteve anëtare e në veçanti ndaj Polonisë dhe shteteve balltike. Në realitet, Rusia po përballet me politikat armiqësore të Perëndimit në tre dimensione: politike, ekonomike dhe ushtarake. Por për Moskën, rreziku më i madh është shtimi i trupave dhe armatimeve të NATO-s në afërsi të kufijve të Rusisë dhe ky është shkaku që në doktrinën e re ushtarake të Rusisë, NATO është cilësuar si kërcënimi kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë./ PT

OPINIONE

INTERVISTA