Rusia dëbon diplomatët shqiptarë e evropianë

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i vjen radha vendeve evropiane. Moska ka thirrur sot dhjetëra ambasadorë perëndimor, mes të cilëve, edhe atë shqiptar, për t’iu komunikuar largimin e diplomatëve.

Nëse Moska vendosë të dëbojë dy diplomatë shqiptarë (aq sa largoi Tirana), atëherë Ambasada e Shqipërisë rrezikon të dalë jashtë funksionit.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm, Paskal Milo, largimi i mundshëm i dy diplomatëve do të thotë që Ambasada jonë të humbasë më shumë se 70% të stafit të saj, për shkak të numrit të vogël të personelit që ka.

Edhe vendimi për dëbimin e dy diplomatëve rusë e ka dëmtuar Ambasadën e Rusisë në Tiranë, pasi stafi i saj lëviz nga 10 deri në 12 persona.

Përveç ambasadorit shqiptar, Arben Gazioni, Ministria e Jashtme ruse ka thirrur sot edhe krerët e diplomacisë nga 22 shtete të tjera për t’i komunikuar dëbimin e diplomatëve, numri i të cilëve përkon me numrin e diplomatëve rusë të dënuar prej këtyre shteteve.

Këto shtete janë Australia, Shqipëria, Gjermania, Danimarka, Irlanda, Spanja, Italia, Kanadaja, Letonia, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Hollanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Ukraina, Finlanda, Franca, Kroacia, Republika Çeke, Suedia dhe Estonia.

Rusia po konsideron dëbime në numër më të vogël të diplomatëve nga Belgjika, Hungaria, Gjeorgjia dhe Mali i Zi.

Kriza lidhur me helmimin e një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij ka nxitur tensione mes Kremlinit dhe Perëndimit, në nivelin më të lartë në dekada. Reagimet hakmarrëse, sipas “Zërit të Amerikës” ngrenë dyshimet mbi një përshkallëzim të mëtejshëm e më serioz, qoftë ky publik, apo i fshehtë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne