Rusia dëshiron të shtrijë “Rrymën Turke” edhe në BE

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, bëri me dije të martën se Moska është e gatshme të zgjasë gazsjellësin “Rryma Turke” në vende të tjera të Bashkimit Evropian nëse Brukseli jep garancitë e nevojshme.

“Shtrirja e degës së dytë të gazsjellësit ‘Rryma Turke’ në territoret e BE-së mund të plotësojë kërkesat gjithnjë në rritje të vendeve të Evropës Jugore dhe Juglindore. Shohim që mjaft vende të BE-së shfaqin interes të lartë për këtë projekt dhe ne jemi të gatshëm”, deklaroi ai në një fjalim drejtuar përfaqësuesve të Shoqatës së Bizneseve Evropiane (AEB).

Por – theksoi Lavrov – kemi fituar përvojë nga zhvillimet negative të përjetuara në lidhje me projektin “Rryma Jugore”, prandaj ne mund të fillojmë punën për zgjatjen e gazsjellësit “Rryma Turke” në vendet e Bashkimit Evropian vetëm pasi të marrim garancitë e nevojshme nga Brukseli.

“Rryma Turke” është një gazsjellës transit, i cili jo vetëm që do të shtrihet përgjatë Detit të Zi nga Rusia në Turqi, por do të vazhdojë edhe më tej duke e kaluar kufirin turk për të vazhduar drejt vendeve fqinje.

Sipas marrëveshjes mes qeverive të Turqisë dhe Rusisë për gazsjellësin “Rryma Turke”, firmosur tetorin e vitit të kaluar në Stamboll, planifikohet ndërtimi i dy linjave të tubacionit me kapacitet prej 15,75 miliardë metra kub në vit secili.

Njëra linjë parashihet të dërgojë gaz në Turqi, kurse linja e dytë, në rast të marrjes së garancive të nevojshme, do të furnizojë tregjet evropiane.

Hungaria ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me Gazprom-in rus për t’u furnizuar me gaz natyror përmes tubacionit “Rryma Turke”, që pritet të bëjë dërgesën e parë në Hungari në fund të vitit 2019.

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne