Rusia dhe Shqipëria: historia, e tashmja, perspektivat

Artikull i Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, A. Zaytsev me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe Shqipërisë

Në vitin 2024 mbushen 100 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ruso-shqiptare. Përgjatë kësaj kohe, marrëdhëniet dypalëshe midis shteteve tona kanë përjetuar jo një herë ulje-ngritje, përfshirë periudhën e bashkëpunimit aktiv gjithëpërfshirës në politikë, ekonomi dhe kulturë në vitet 1945-1961, si edhe fazat e “ngrirjes” së tyre në 1924-1934, 1939-1944, 1961-1991 dhe në vitet e fundit.

Pavarësisht se marrëdhëniet diplomatike midis Bashkimit Sovjetik dhe shtetit të ri shqiptar u vendosën për herë të parë në 1924, kontaktet e ndryshme ruso-shqiptare kanë zënë vend edhe më parë. Kështu, në tetor 1759 himariotët, banorët e rajoneve jugore të Shqipërisë, fill pas popujve të tjerë ballkanas, që luftonin nën flamujt rusë kundër turqve osmanë, shprehën në një letër drejtuar perandoreshës Ekaterina Petrovna dëshirën për të pranuar protektoratin e Perandorisë Ruse me shpresën se “arma fitimtare ruse do të mund të çlironte popujt e shtypur ortodoksë të Ballkanit nga zgjedha osmane”.

Kur në vitin 1768 filloi lufta tjetër ruso-turke, komandanti i përgjithshëm i skuadronit rus në Detin Mesdhe, A.G.Orlov u bëri thirrje himariotëve të hynin në shërbimin rus. Shumë prej tyre iu përgjigjën kësaj thirrjeje dhe luftuan me guxim në përbërje të skuadronit rus. Disa prej himariotëve pas përfundimit të luftës u shpërngulën bashkë me familjet e tyre në Rusi.

Në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX, lidhjet ruso-shqiptare vazhduan të zgjeroheshin. Gjatë ekspeditës së admiralëve F.F.Ushakov dhe D.N.Senyavin në Detin Mesdhe dhe qëndrimit të trupave ruse në ishujt e Jonit, një numër i madh shqiptarësh luftoi nën flamujt rus. Kështu, gjatë rrethimit të Korfuzit në vitet 1789-1799 morën pjesë deri në 4500 shqiptarë. Qindra shqiptarë shërbyen në “legjionet e këmbësorisë së lehtë”, të krijuara në vitin 1805 nga komanda ruse në ishujt e Jonit.

Kontaktet ruso-shqiptare u intensifikuan dukshëm në fillim të shekullit XX, kur po vendosej çështja e krijimit të Principatës së Shqipërisë si një shtet sovran, i pavarur nga Perandoria Osmane. Gjatë punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, përfshirë Rusinë, të zhvilluar në Londër (1912-1913), si rezultat i së cilës u përcaktuan kufijtë e shtetit shqiptar, diplomati rus A.M.Petryaev vizitoi disa herë Shqipërinë, ku u takua me përfaqësues të Qeverisë së Përkohshme të I.Qemalit, dhe informoi qeverinë cariste për gjendjen e punëve në këtë vend.

Pas Luftës së Parë Botërore, Rusia Sovjetike mbështeti luftën e popullit shqiptar për pavarësi dhe të drejtën e tij për të përcaktuar vetë fatin e tij në tokën e tij. Në veçanti, pas Revolucionit të Tetorit 1917, qeveria sovjetike publikoi, midis marrëveshjeve të tjera të fshehta, Traktatin e Londrës së 26 prillit 1915, i cili parashikonte ndarjen e Shqipërisë dhe vendosjen e Protektoratit të Romës në këmbim të hyrjes së Italisë në Luftën e Parë Botërore në anën e vendeve të Antantës.

Konkretisht çështja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve nisi të përpunohej në vitin 1924, kur qeveria shqiptare e F.Nolit iu drejtua Rusisë Sovjetike në kërkim për një mbështetje ndërkombëtare. Marrëveshja përkatëse u regjistrua në shkëmbimin e notave midis ministrive të jashtme të dy vendeve në shtator 1924. Në 16 dhjetor 1924, pasi morën në Vjenë vizat hyrëse, një grup diplomatësh, i udhëhequr nga Përfaqësuesi Fuqiplotë sovjetik, A.A.Krakovecki mbërriti në Tiranë. Megjithatë, në kushtet e një situate mjaft të ndërlikuar të brendshme politike në Shqipëri dhe të presionit të fortë politik ndaj qeverisë së F.Nolit nga ana e fuqive perëndimore, të cilat kundërshtonin vendosjen e lidhjeve midis Shqipërisë e Rusisë Sovjetike dhe praninë e misionit diplomatik sovjetik në Tiranë, qeveria e F.Nolit u shpreh për shtyrjen për pak kohë të vendosjes së përfaqësisë diplomatike sovjetike në kryeqytetin shqiptar. Tre ditë pas mbërritjes në Tiranë, Përfaqësuesi Fuqiplotë sovjetik, A.A.Krakovecki u detyrua të largohej nga vendi. Marrëdhëniet diplomatike midis BRSS dhe Shqipërisë u ngrinë për 10 vjet.

Rivendosja faktike e marrëdhënieve dypalëshe ndodhi vetëm në shtator 1934, kur qeveria shqiptare e udhëhequr nga mbreti A. Zog, ra dakord me propozimin e BRSS për të “shkrirë” kontaktet diplomatike. Megjithatë, ato nuk zgjatën shumë. Tashmë në prill 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, marrëdhëniet diplomatike sovjetiko-shqiptare u “ndërprenë” sërish. Në vitet 1944-1945 në vend ndodheshin vetëm misionet ushatrake sovjetike, të udhëhequara nga majori i Ushtrisë së Kuqe, K.P.Ivanov, më pas nga koloneli S.V.Sokolov.

Çështja e rivendosjes së marrëhdënieve dypalëshe u ngrit menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Më 11 janar 1946, i dërguari i parë sovjetik, D.S.Çuvahin i dorëzoi letrat kredenciale Kryetarit të Presidiumit të Parlamentit Popullor (Kuvendi), O.Nishani dhe në dhjetor 1946 marrëdhëniet diplomatike midis BRSS dhe Republikës Popullore të Shqipërisë (RPSH) rifilluan plotësisht.

Pikërisht në vitet e pasluftës (1946-1961) ndodhi lulëzimi i lidhjeve politike, tregtare, ekonomike, kulturore dhe humanitare midis Shqipërisë dhe BRSS. Bashkimi Sovjetik ndihmoi republikën e re socialiste të krijonte bazën e industrisë, duke e furnizuar atë me më shumë se 90% të të gjitha pajisjeve për degët e naftës, të minierave, të transportit automobilistik të ngarkesave, me më shumë se 80% të traktorëve dhe 65% të makinerive të tjera bujqësore.

Gjatë planit të parë pesëvjeçar (1951-1955), me mbështetjen e drejtpërdrejtë të BRSS, u ngritën një sërë ndërmarrjesh të mëdha: kombinati i tekstileve në Tiranë, kombinati i drurit në Elbasan, fabrika e çimentos në Vlorë. Rritja mesatare vjetore e vëllimeve të prodhimit industrial ishte 28%. Gjatë planit të dytë pesëvjeçar (1956-1960), u ndërtuan më shumë se 50 objekte industriale, duke përfshirë një hidrocentral në Ulzë, një minierë në Kurbnesh dhe komplekse të përpunimit të naftës në qytetet Cërrik dhe Stalin (Kuçova e sotme).

Bashkimi Sovjetik furnizonte Shqipërinë me makineri dhe pajisje, mallra konsumi, importonte bagëti mbarështuese, farëra të drithërave dhe kulturave industriale, plehra dhe jepte kredi preferenciale. Në një numër të madh u dërguan specialistët sovjetikë. Të rinjtë shqiptarë (rreth 10 mijë vetë) përfunduan arsimin e lartë dhe rritën kualifikimin e tyre në BRSS, ndërsa njohuritë dhe përvoja e fituar shërbyen si bazë për zhvillimin e vendit.

BRSS ndihmoi në krijimin e qendrave shkencore, arsimore dhe kulturore në të gjithë vendin. Kështu, në vitin 1957 me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik u hap universiteti i parë në Tiranë, në vitin 1952 filloi punën kinostudio “Shqipëria e re”. Një nga filmat e parë artistikë në vend u bë bashkëprodhimi sovjeto-shqiptar “Luftëtari i Madh i Shqipërisë Skënderbeu” me regjisor S. Jutkeviç. Në vend erdhën artistë të njohur sovjetikë. Në nëntor 1953, kolektivi ekzekutues i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me ndihmën e kolegëve sovjetikë, vendosi në skenë operën “Rusalka” të kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky. Kjo u bë guri i themelit për zhvillimin e teatrit, në skenën e të cilit shumë shpejt do të vendoseshin edhe opera të tjera ruse e shqiptare.

Në mënyrë aktive zhvillohej bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Marrëveshja “Për bazën ushtarake detare në Vlorë”, e nënshkruar në gusht 1957, përcaktoi kushtet e qëndrimit të flotës sovjetike në bregdetin e Adriatikut të Shqipërisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, anijet ushtarake dhe nëndetëset e BRSS-së kishin të drejtën të dislokimit të lirë në portet shqiptare. Detyrim kryesor i palës sovjetike u bë dorëzimi i anijeve dhe nëndetëseve të reja Shqipërisë, si edhe përgatitja e marinarëve për të punuar me pajisjet e reja.

Në Kuçovën e sotme funksiononte një bazë ajrore e vendeve të Traktatit të Varshavës. Aty ishin vendosur dhjetëra aeroplanë gjuajtës, modernë për vitet 1950-1960, përfshirë MiG-19. Shqipëria kishte një forcë ajrore ushtarake të plotë, pilotë luftarakë, të cilët përgatiteshin, ndër të tjera, edhe në shkollat e fluturimit të BRSS.

Midis dy shteteve u mbajtën kontakte politike të ngushta. Delegacionet e partisë dhe qeverisë shqiptare të kryesuara nga kreu i vendit, E.Hoxha vizituan jo një herë BRSS-në, ndërsa në maj të vitit 1959, kreu i shtetit sovjetik, N.S. Hrushovi vizitoi Shqipërinë në një vizitë zyrtare që zgjati gati dy javë.

Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve ideologjike midis RPSSH-së dhe BRSS-së, në nëntor 1961 qeveria e BRSS-së u detyrua të tërheqë nga Tirana të gjithë stafin e ambasadës sovjetike, gjë që çoi në “ngrirjen” e marrëdhënieve diplomatike për 30 vjet, deri në vitin 1991, kur aktivitetet e ambasadave në kryeqytetet e të dy vendeve rifilluan sërish.

Pas rivendosjes së kontakteve në vitet 1990, Rusia ndërmori përpjekje për vendosjen e një ndërveprimi normal me Shqipërinë. Në një mënyrë mjaft aktive u formua dhe u përmirësua baza ligjore dhe e marrëveshjeve midis dy vendeve në fushën e kulturës, të arsimit, të turizmit, të shëndetësisë, të tregtisë dhe të ekonomisë, të investimeve dhe të bashkëpunimit shkencor e teknik, të mbrojtjes së mjedisit etj. Në vitet 1990 u zhvilluan vizita dypalëshe nga anëtarë të qeverive, si edhe nga parlamentarë të të dy vendeve. Në prill të vitit 1995, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Rusi. Me rastin e kremtimit të 50 vjetorit të Fitores së BRSS-së mbi fashizmin, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ishte i pranishëm në aktivitetet ceremoniale në Moskë (maj 1995). Ndërmjet ministrive të jashtme të Rusisë dhe të Shqipërisë u mbajtën kontakte. Në dhjetor të vitit 2004, Ministri i Jashtëm i Rusisë, S.V.Lavrov mbërriti në Tiranë për një vizitë punë, gjatës së cilës u iniciua Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis dy vendeve. Komisioni Ndërqeveritar Ruso-Shqiptar për Bashkëpunimin Tregtar, Ekonomik, Shkencor dhe Teknik, i krijuar në vitin 1992, funksionoi me sukses për shumë vite. Qarkullimi tregtar i ndërsjellë u rrit.

Për fat të keq, gjendja e marëdhënieve ruso-shqiptare vitet e fundit është në kontrast të thellë me ato që u përshkruan më sipër. Kontaktet zyrtare politike janë në nivelin minimal. Dhe kjo situatë është krijuar jo për fajin tonë apo me iniciativën tonë. Në politikën e tyre të jashtme autoritetet shqiptare solidarizohen plotësisht me qëndrimet dhe qasjet e udhëheqjes së NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe çështjen e krizës ukrainase, pa dashur të dëgjojnë atë që flet Rusia. Mbështesin sanksionet e paligjshme antiruse të Perëndimit (kujtojmë se kufizime të ligjshme janë vetëm masat e vendosura nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së), marrin pjesë në nisma dhe iniciativa të ndryshme proukrainase në kuadër të OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, mbështesin projekte të Kievit që janë padyshim të dështuara, të tilla si “Platforma e Krimesë” dhe “formula e paqes” e Zelenksit.

Përgjatë shumë viteve Tirana zyrtare refuzon të pranojë faktet e dukshme të shkeljeve masive nga Ukraina të të drejtave dhe lirive të popullsisë ruse dhe rusishtfolëse, e shpallur në thelb e jashtëligjshme në vetë vendin e saj. Nuk vihen re diskriminimi i qytetarëve sipas parimeve etnike dhe gjuhësore, eliminimi fizik i gazetarëve dhe politikanëve, që guxuan të kenë një mendim ndryshe, si edhe përndjekjet e Kishës kanonike Ortodoske Ukrainase, të nisura nga regjimi i Kievit që në vitin 2014.

Ne jetojmë në një epokë ndryshimesh revolucionare në marrëdhëniet ndërkombëtare. Para syve tanë po ndodh formimi i një rendi botëror më të drejtë dhe shumëpolarësh. Fatkeqësisht, këto ndryshime pozitive shkaktojnë një rezistencë të ashpër të një grupi shtetesh që janë mësuar të mendojnë dhe të veprojnë sipas një logjike të dominimit global dhe të neokolonializmit.

Rusia zhvillon një kurs pragmatik dhe paqedashës të politikës së jashtme, synon të formojë një sistem të tillë të marrëdhënieve ndërkombëtare, që do të garantonte një siguri të besueshme, ruajtjen e identitetit kulturor të qytetërimeve, mundësi të barabarta për të gjitha vendet.

Përceptimi ynë për shtetet e tjera dhe unionet ndërshtetërore përcaktohet nga thelbi i politikës së tyre në lidhje me Federatën Ruse. Rusia do të mbrojë të drejtën e saj për ekzistencë dhe zhvillim të lirë, duke e përqendruar energjinë e saj krijuese në ata vektorë gjeografikë të politikës së jashtme, të cilët kanë perspektiva të dukshme. Vërejmë me kënaqësi se pjesa më e madhe e njerëzimit është e interesuar për marrëdhënie konstruktive me Rusinë.

Rusia sot është një vend me teknologji të lartë që ndërton makineri dhe automobilë, aeroplanë dhe raketa kozmike, anije dhe nëndetëse, që zbulon mundësi të reja për kurimin e sëmundjeve dhe që zhvillon teknologji të përparuara të energjisë atomike. Rusia është një nga vendet e para në botë, që u ka propozuar partnerëve ndërkombëtarë vaksinën e saj “Sputnik-V” gjatë pandemisë së koronavirusit. Meqë ra fjala, ajo është përdorur me sukses në Shqipëri. Vendi ynë ka një industri globale të IT-së, ka nivelin më të lartë të dixhitalizimit: fusha e shërbimeve tregtare dhe shtetërore ka kaluar kryesisht në rrafshin elektronik. Kjo gjë lejon rritjen e rentabilitetit të biznesit dhe lehtëson shumë jetën e qytetarëve të thjeshtë.

Është humbur një mundësi e madhe. Duket se zhvillimi nga Tirana i një politike të jashtme të balancuar, duke marrë parasysh interesat e vërteta kombëtare, do të ndihmonte të paktën në restaurimin e bashkëpunimit pragmatik dhe me dobi të ndërsjellë. Dhe për këtë ka premisa serioze. Një faktor i rëndësishëm që ngjall shpresë është përkushtimi i popujve rus dhe shqiptar ndaj vlerave tradicionale: familjes, në kuptimin klasik të fjalës, vlerësimit për historinë, respektit dhe bashkëjetesës në paqe të besimeve tradicionale, dashurisë për atdheun.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne