Bota

Rusia do të zhvillojë sisteme të reja raketore pas pezullimit të INF-së

Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoygu, deklaroi se dy sisteme të reja raketore tokësore do të zhvillohen pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF).

Në një takim me zyrtarët ushtarakë rusë, Shoygu diskutoi hapat e ardhshme pas tërheqjes së SHBA-së nga INF-ja.

Duke theksuar se SHBA-ja zhvillon raketa tokësore që tejkalojnë kufijtë e INF-së në nivel prej 500 kilometrash, Shoygu tha se Presidenti rus, Vladimir Putin, ka potencuar gjithashtu “nevojën për përgjigje simetrike ndaj kësaj iniciative”.

Ministri rus shtoi se tashmë kanë nisur punën në këtë drejtim, e cila do të përfshijë periudhën 2019-2020.

“Deri në vitin 2021 duhet të përfundojë zhvillimi i një rakete kruz me rreze të gjatë veprimi dhe zhvillimi i një rakete hipersonike me rreze të gjatë veprimi, të vendosura në tokë. Rritja e rrezes së veprimit të sistemeve raketore të vendosura në tokë është me rëndësi të madhe”, u shpreh Shoygu.

Javën e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, njoftoi tërheqjen e njëanshme të Uashingtonit nga pakti i nënshkruar në vitin 1987 me Bashkimin Sovjetik, i cili parashihte ndalimin e raketave me kokë bërthamore me rreze veprimi 500-5.500 km, duke e akuzuar Rusinë për shkelje të INF-së.

Ndërkaq, kreu i shtetit rus po ashtu e ka akuzuar SHBA-në për shkelje të traktatit në fjalë duke thënë se Moska do të përgjegjej simetrikisht.

“SHBA-ja njoftoi pezullimin e marrëveshjes. Edhe ne e pezullojmë atë”, qe shprehur Putini. / AA