Rusia fillon dërgimin e sistemit raketor S-300 në Siri

Pas rastit me rrëzimin e avionit rus në Siri, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov tha se ka filluar dërgimi i sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 në Siri.

Lavrov pas fjalimit të mbajtur në sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, mbajti një konferencë për media ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Në lidhje me pyetjen për marrëveshjen në Soçi dhe për atë se si do të largohen pjesëtarët e organizatës terroriste Al-Nusra nga Idlibi, Lavrov tha: “Militantët dhe armët e rënda, nga rajoni i pastruar në Idlib, po transferohen në vende të tjera. Turqia ka marrë përgjegjësinë që t’i ndajë nga Al Nusra opozitarët të cilët do të marrin pjesë në procesin politik. Kjo nuk është punë e lehtë. Edhe administrata e Obamas shpesh herë na ka dhënë fjalë, por nuk arriti ta bëjë këtë, as administrata aktuale nuk arriti. Shpresojmë se Turqia do t’i ndajë opozitarët e moderuar nga Al-Nusra”, tha ai.

Lavrov thotë se Rusia, Turqia dhe Irani edhe pse “Nuk janë qind për qind dakord” në Siri, janë në unitet për çështjen e luftimit të terrorizmit dhe për integritetin e Sirisë. Ai shtoi se formati i bashkëpunimit të Astanas është tejet i dobishëm.

“Ka filluar dërgimi i sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 në Siri”

Lavrov bëri të ditur se pas rrëzimit të avionit rus në Siri, “ka filluar dërgimi i sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 në Siri”.

Kujtojmë se avioni ushtarak rus Il-20, i cili më 17 shtator u zhduk nga radarët në Siri, është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit sirian S-200. Rusia pretendoi se avioni është goditur nga raketat për shkak se avionët luftarakë izraelitë F-16 kanë përdorur avionin Il-20 si mburojë.

Pas kësaj ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu tha se Forcave të Armatosura të Sirisë do t’u jepet sistemi modern raketor i mbrojtjes ajrore S-300.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne