Rusia i pergjigjet deklarates se BE-se ne lidhje me incidentin ne Britani

Me poshte eshte reagimi i Departamentit të Informacionit dhe Shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë ndaj deklaratës së Këshillit të BE-së për Punët e Jashtme, datë 19 mars 2018, lidhur me incidentin në Salisbury të Britanisë së Madhe

19 mars 2018

Është e habitshme ngutësia me të cilën vendet-anëtare të BE-së shprehën qëndrimin e tyre “tepër serioz” ndaj spekulimeve të autoriteteve britanike për implikimin e Rusisë në incidentin tragjik në Salisbury.

Deklarata e Këshillit të BE-së për Punët e Jashtme e datës 19 mars 2018 kushtuar kësaj çështjeje, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për të ruajtur njëfarë balance, bazohet në interpretimin britanik të ngjarjes dhe si pasojë ka të njëjtin karakter spekulativ dhe të pathemeltë. Dokumenti nuk përmban asnjë fjalë lidhur me faktin që Britania e Madhe nuk na dërgoi asnjë informacion mbi detajet e çështjes, refuzoi kryerjen e një hetimi të përbashkët, nuk pranoi asnjë ndërveprim dypalësh në kuadër të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK), si edhe bllokoi propozimin rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të miratuar një deklaratë të Kryetarit të Këshillit me një thirrje për bashkëpunim midis të gjitha palëve për të zbuluar të vërtetën. Ministrat e punëve të jashtme të BE-së e kaluan në heshtje faktin që Londra nuk i ka njohur me rezultatet e “hetimit” jo vetëm aleatët e saj por edhe anëtarët e parlamentit britanik me në krye liderin e Partisë Laburiste Jeremy Corbyn.

Këshilli i BE-së e injoron faktin që të gjitha armët kimike në Rusi janë asgjësuar. Këtë e konfirmoi edhe ONAK-u në vitin 2017. A mund të konsiderohet kjo si mosbesim i BE-së dhe Britanisë së Madhe ndaj kësaj organizate të specializuar ndërkombëtare? Ne nuk kemi asnjë gjë për të “paraqitur”, siç e kërkon BE-ja, sepse substanca helmuese “Noviçok” nuk prodhohet dhe as nuk mbahet në territorin e Rusisë. Ndoshta me një kerkesë të tillë BE-ja duhet të drejtohet tek vetë Britania e Madhe dhe disa vende të tjera anëtare, ku, siç duket, prodhimi i substancave të tilla ende vazhdon. Ne u rekomandojmë partnerëve tanë nga BE-ja të fillojnë me organizimin e një vizite familjarizuese në laboratorin qeveritar të armëve të shkatërrimit në masë në Porton Down të Britanisë së Madhe, i cili ndodhet pak kilometra larg nga Salisbury.

Përveç kësaj, para se ta ndihmojnë Londrën në përshkallëzimin e histerisë mediatike për “çështjen Skripal”, vendet-anëtare të BE-së duhet t’i kuptonin motivet e kolegëve të tyre britanikë. Gjithçka tregon se Londra është gati për çdo mashtrim për të larguar vëmendjen e britanikëve nga dështimet e saj në negociatat me BE-në për kushtet e Brexit-it. Pikërisht për këtë mund të shërbejë edhe kjo “shamatë” e promovuar nga mediat britanike, në traditat më të mira të spiunomanisë, rreth helmimit misterioz të dy bashkathetarëve tanë. Siç duket, Londra mendon se me mbështetjen e demonstruar nga ana e partnerëve (tani për tani) brenda BE-së, ajo do ta ketë më të lehtë t’i drejtojë në rrugën e duhur diskutimet që do të mbahen gjatë mbledhjes se Këshillit Europian, e cila do të zhvillohet më 22-23 mars dhe e cila fillimisht pritej të fokusohet pikërisht në ecurinë e bisedimeve Britani-BE.

Është për të ardhur keq se BE-ja, duke i shpërfillur arsyetimet e tilla dhe faktet e qarta, po udhëhiqet përsëri nga arsyet e keqkuptuara të “solidaritetit evropian”, si edhe nga reflekset e akumuluara antiruse. Sigurisht që një situatë si kjo nuk e nderon politikën e jashtme të përbashkët të BE-së.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne