Rusia kërkon ndihmë nga Kina për ndërtimin e rutës detare në Arktik

Rusia i ka kërkuar partneritet Kinës në zhvillimin e porteve dhe objekteve tjera në rajonin Arktik, raportojnë mediat të premten, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Rusia dëshiron të bashkohet me Kinën në ndërtimin e një rute detare në Arktik”, tha ambasadori rus në Kinë, Andrey Denisov, në një deklaratë për South China Morning.

Rusia kontrollon rreth 50 për qind të bregdetit të përgjithshëm në Arktik dhe kërkon që të stimuloj trafikun detar në rajon.

Përmes një plani ambicioz, Moska zyrtare ka nisur ndërtimin e porteve të reja dhe objekteve tjera infrastrukturore për të rritur numrin e dërgesave përgjatë Arktikut, që gjithashtu njihet si “Ruta e Detit të Veriut”.

Denisov tha se bisedimet për furnizim të Kinës me gaz rus përmes një rute të njohur si “Power of Siberia Two” janë në një fazë të avancuar.

“Pothuajse gjithçka është kompletuar deri më tani por ka vetëm një hendek, që është çmimi”, tha Denisov.

Megjithatë, dy palët akoma po përcaktojnë çmimin.

“Si blerës, Kina ka nevojë për gaz dhe për burim të qëndrueshëm afatgjatë. Përfundimisht, Rusia është një burim i tillë”, tha ai.

Në raport thuhet se puna në projektin “Power of Siberia One”, të njohur gjithashtu si “Ruta Lindore”, pritet të përfundoj më 10 dhjetor dhe çdo vit do të transferoj sasi të gazit prej 38 miliardë metër kub në Kinë.

Megjithatë, plani ambicioz në Arktik, si dhe roli në rritje i Kinës kanë rritur shqetësimet e shteteve tjera në Arktik dhe mbrojtësve të mjedisit.

“Këto janë projekte shumë të mëdha dhe sigurisht që ka palë të ndryshme”, tha Denisov./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne