Bota

Rusia thirrje kurdëve të Irakut “për dialog me Bagdadin”

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov pas takimit me homologun e tij irakian Ibrahim el-Xhaferi në Moskë tha se shpreson që të mos ketë më përleshje të armatosur mes qeverisë së Irakut dhe kurdëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Diplomati rus tha se çështja e kurdëve është mjaft e rëndësishme për rajonin. “Mendojmë se kurdët duhet t’i zgjidhin çështjet e tyre nëpërmjet dialogut me qeverinë e Irakut”, tha ai.

Ai shtoi se zhvillimet në Irak nuk i vlerëson si “luftë”.

“Shpresojmë të mos ketë përleshje të armatosur mes qeverisë qendrore të Irakut dhe kurdëve. Palët duhet të vendosin vetë lidhur me fillimin e dialogut të drejtpërdrejt apo lidhur me çështjen se kanë apo nuk kanë nevojë për ndërmjetësues”, potencoi Lavrov.

Ndërsa Xhaferi nënvizoi se referendumi i paligjshëm i organizuar nga Administrata Rajonale Kurde në veri të Irakut është në kundërshtim me Kushtetutën e Irakut.

“Të gjithë e kuptojnë se referendumi në fjalë është në kundërshtim me kushtetutën. Vëllezërit tanë kurdë sigurisht se kanë të drejtë të themelimit të rajoneve të tyre. Por, kjo nuk nënkupton që kanë të drejtë të shkëputen nga Iraku”, thotë ministri irakian Xhaferi./ AA

OPINIONE

INTERVISTA