Rusia ultimatum SHBA-së: Së shpejti Raketa të reja

Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të hakmerret ndaj saj duke zhvilluar raketa të reja “për të rivendosur ekuilibrin” e fuqisë ushtarake.

Më tej Rusia ka kërkuar nga SHBA të mos tërhiqet nga traktati i armëve, i nënshkruar në epokën e Luftës së Ftohtë.

Trump deklaroi të shtunën se Shtetet e Bashkuara do ta braktisnin traktatin, duke e akuzuar Rusinë për shkeljen e marrëveshjes, e cila ndalon raketat me bazë në tokë me rreze mesatare.

“Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara nuk po fshihen, por haptazi po fillojnë të zhvillojnë këto sisteme në të ardhmen dhe nëse këto sisteme po zhvillohen, atëherë është e nevojshme që të ndërmerren veprime edhe nga vendet e tjera, në këtë rast Rusia, për të rivendosur ekuilibrin në këtë sferë”, tha zëdhënësi i qeverisë ruse, Dmitri Peskov, sipas “Reuters”.

Sipas zëdhënësit “Kjo është një çështje e sigurisë strategjike. Masat e tilla mund ta bëjnë botën më të rrezikshme”. Ndërprerja e traktatit të miratuar nga Presidenti Ronald Reagan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov në vitin 1987, do të rriste mundësinë e përshkallëzimit të një gare të armëve, në një kohë kur Ushtria e Rusisë është bërë gjithnjë e më agresive në rajon.

Rusia i ka mohuar pretendimet e SHBA-së se ajo ka shkelur traktatin dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për minimin e marrëveshjes. Peskov tha se Moska pret një shpjegim të hollësishëm nga Uashingtoni mbi vendimin e tërheqjes së tij nga traktati. Këshilltari i Sigurimit Kombëtar i Presidentit Trump, John Bolton, pritet të takohet sot me Presidentin rus, Vladimir Putin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne