Rusia në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka vendosur veto ndaj rezolutës së KB-ve për të dënuar sulmet me armë kimike në Siri, bëri të ditur Press TV.
Kjo është hera e tetë që Rusia vendos veto ndaj rezolutave anti-siriane të propozuara nga shtetet perëndimore në KS të OKB-së. Në Nju Jork është mbajtur seanca e KS të OKB-së, në të cilën është votuar për rezolutën, me të cilën kërkohet nga qeveria siriane që të bashkëpunojë në hetimet për sulmin, për të cilin dyshohet se është kryer me armë kimike në provincën Idlib. Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Nikky Haley tërhoqi vërejtjen se Amerika nuk do të lejojë që përdorimi i serishëm i armëve kimike të kalojë pa përgjigje. Ambasadori britanik në OKB, Metju Rajkroft tha se shkencëtarët britanikë kanë analizuar mostrat nga vendi ku ka ndodhur sulmi dhe kanë konkluduar se është përdorur gazi sarin ose substanca e ngjashme me sarinin. Zëvendës ambasadori rus në OKB, Vladimir Safronkov e ka quajtur provokim sulmin amerikan në Siri, për të cilin tha se do të trimërojë ata që dëshirojnë zgjidhje ushtarake në konfliktin gjashtëvjeçar të Sirisë. Safronkov tha se duhet hetuar sulmi eventual me armë kimike, ndërsa akuzoi ambasadorin britanik Metju Rajkroft, se është më shumë i interesuar për ndryshimin e regjimit në Siri, sesa që në këtë vend të arrihet paqja./ PT