Partitë e koalicionit qeveritar dhe partitë e tjera të vogla janë regjistruar në zgjedhje ndërsa opozita deri tani e ka bojkotuar procesin.
Duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2013 dhe duke llogaritur vetëm votat e të majtës si dhe duke llogaritur partitë që kanë kaluar nga e djathta në të majtë apo partitë e reja politike, disa studime politike mendojnë se mund të parashikohet një rezultat i përafërt zgjedhor për zgjedhjet që po vijnë.
Konkretisht, një llogaritje e rezultateve zgjedhore në vite në Shqipëri dedikuar partive është publikuar nga Instituti i Studimeve Politike ku është bërë llogaritja teknike e votave në mandate duke nxjerrë një projeksion numerik.
Llogaritja është kryer mbi bazë qarku, duke konsideruar ndryshimet e reja në numrin e deputetëve në qarqe dhe ndryshimet midis partive politike gjatë katër viteve të fundit.
Në përfundim rezulton se nëse ruhet kjo votë dhe ky sistem votimi, Partia Socialiste merr 105-107 deputetë, LSI 22-25 deputetë dhe partitë e tjera të vogla së bashku, vetëm 9-13 deputetë.
Rezultati ngjason me vitin 1996 kur kishte numërim të votave pa prezencën e opozitës dhe me vitin 1997 ku kishte një pamundësi të opozitës për konkurrim në çdo zonë dhe situatë e jashtëzakonshme prej konfliktit civil. /ISP