Sa e qëndrueshme është Arabia Saudite?

Paul B. Stares

Helia Ighani

Spekullimet mbi të ardhmen e Arabisë Saudite, janë bërë një nga lojërat më të zakonshme të hamendësimit, midis ekspertëve të Lindjes së Mesme. Që nga fillimi i kryengritjeve arabe në vitin 2011, në mos më përpara, janë ngritur shpesh dyshime mbi stabilitetin politik të Arabisë Saudite.

Shqetësimi është i kuptueshëm:Arabia Saudite, është një furnizuese e madhe me energji, dhe çdo ndërprerje e qëndrueshme e shkaktuar nga trazirat e brendshme, ka të ngjarë të trondisë tregjet e mbarë botës. Për me tepër, trazirat serioze mund të dëmtonin stabilitetin gjetkë në Lindjen e Mesme, dhe të shkaktonin një alarm të madh në të gjithë botën myslimane mbi sigurinë e vendeve të shenjta.

E megjithatë, pavarësisht pohimeve të sigurta se është vetëm çështje kohe para se mbretëria të zhytet në trazira të brendshme, që mund të çojnë madje deri në shembjen e regjimit, Arabia Saudite ka mbetur një nga vendet më të qëndrueshme në rajon.

Ajo ka përjetuar një farë goditje nga rënia e madhe e çmimit botëror të naftës, çka shkaktoi reduktimin e të ardhurave shtetërore, ka arritur të realizojë atë që mund të cilësohet një trashëgimi e diskutueshëme e fronit mbretëror, dhe realizuar një ndërhyrje të kushtueshme ushtarake në Jemenin fqinj, pa u përballur me ndonjë reagim të madh të brendshëm, të gjitha këto në kundërshtim me pritshmërinë e shumë vëzhguesve të huaj.

Pra, a është Arabia Saudite “qeni” proverbial që leh rregullisht, por nuk kafshon? Apo ka vetëm një ndjenjë të rreme të qetësisë tani për tani, para se rreziqet themelore të paqëndrueshmërisë të materializohen në mënyrë papritur? Thënë ndryshe, sa të shqetësuar duhet të jemi?

Një shtet i brishtë?

Analistët vlerësojnë ndjeshmërinë e shteteve ndaj paqëndrueshmërisë politike, duke shqyrtuar shpesh grupin e “faktorëve të rrezikut”, që në përgjithësi besohet të jetë i lidhura me fillimin e ngjarjeve të tilla. Këta faktorë përfshijnë burimet potenciale ekonomike, sociale, dhe politike të stresit, si dhe kapacitetin e shtetit për të menaxhuar sfidat e mundshme të brendshme apo goditjet e jashtme, duke përfshirë besnikërinë e forcave të sigurisë, kohezionin e lidershipit dhe atë të vetë kombit.

Rezultatet për Arabinë Saudite duke përdorur këtë qasje, kanë qenë mjaft të qëndrueshme në vitet e fundit:niveli i përgjithshëm i rrezikut është rritur, por situata nuk është aspak kritike. Një dështim i Planit Kombëtar të Transformimit 2030, paraqet rrezikun e vetëm më të madh për Arabinë Saudite.

Për shembull, Indeksi i Shteteve të Brishta për vitin 2017, një vlerësim i shteteve të dobëta dhe të paqëndrueshme, i kryer nga Fondacioni për Paqe, një organizatë kjo joqeveritare, e rendit Arabia Saudite në vendin e 101-të nga 178 vende.

Në mënyrë të ngjashme, indeksi i Bankës Botërore mbi stabilitetin politik dhe mungesën e dhunës, një nga gjashtë treguesit që gjurmon në 200 vende të botës, në kuadër të projektit të saj të “Treguesve Botërorë të Qeverisjes”, e pozicionon Arabinë Saudite me 28 pikë përqindje në vitin 2015. Raporti i OECD-së për vitin 2016 mbi “Brishtësinë e shteteve”, e klasifikonte Arabinë Saudite tek shtetet me një “stabilitet të moderuar politik”.

Megjithatë, këta tregues nuk do të zhdukin tërësisht shqetësimin, se ngjarjet e paparashikuara mund të rriten papritur së bashku për të destabilizuar Arabinë Saudite. Regjimet që nga jashtë duken të qëndrueshme, në fund janë shembur në të kaluarën, me pak ose pa asnjë paralajmërim. Dhe Lindja e Mesme nuk përbën përjashtim.

Për shembull, Tunizia, Egjipti, Libia, Siria dhe nuk qenë cilësuar si veçanërisht të paqëndrueshme përpara Pranverës Arabe, në bazë të treguesve kryesorë të brishtësisë shtetërore, por të gjithë ato u tendosën pas konflikteve të dhunshme. Pra cilët janë skenarët më të mundshëm të ardhshëm për Arabinë Saudite?

Tronditja e ardhshme?

Ekzistojnë 3 mënyra kryesore, përmes së cilave mund të rrëzohet një regjim autokratik:rebelimi popullor, grusht shteti, apo si pasojë e imponimit nga jashtë. Për Arabinë Saudite, kjo e fundit është më pak e mundshme. Irani, kundërshtari kryesor i Arabisë, nuk zotëron kapacitetet për të nxitur ndryshimin e regjimit, edhe pse potencialisht mund të nxisë trazira tek komunitetet kryesisht shiite të provincave lindore të mbretërisë, si dhe në Bahreinin dhe Jemenin fqinjë.

Trazira të tilla, nuk kanë gjasa të përbëjnë ndonjëherë një kërcënim ekzistencial për mbretërinë, por të kombinuara me sfida të tjera, ato mund të bëhen më shumë se të bezdisshme. Një grusht shteti ushtarak, ngjan gjithashtu si diçka e pamundur.

Frekuenca e këtij lloji të ndryshimi të regjimit, ka rënë që nga vitet 1960, kur thuajse 50 përqind e të gjithë autokratëve e humbën pushtetin në këtë mënyrë, dhe për më tepër Arabia Saudite nuk është një vend i prirur për grushte shteti. Përpjekja e fundit e njohur, ka ndodhur gati 50 vjet më parë, dhe distanca në mes tri qendrave kryesore urbane, do ta bënte të vështirë që një intrigë ushtarake të mund të arrinte të merrte shpejt kontrollin e vendit.

Nëse një krizë e ardhshme, kthehet në diçka më serioze, kjo do të varet nga suksesi i nismave të fundit të reformave të brendshme të konceptuara nga zëvendësprinci i kurorës, për të diversifikuar dhe zgjeruar ekonominë saudite, me shpresën e rritjes së standardeve të jetesës gjatë 10-15 viteve të ardhshme.

Qëllimi i tij është që të zhvillojë sektorët e ekonomisë arabe si mbrojtja, energjia e rinovueshme, si dhe sektori privat në përgjithësi, në mënyrë që vendi të mos jetë aq shumë i varur nga nafta dhe gazi, të cilat përbëjnë më shumë se 50 përqind të Prodhimi të Brendshëm Bruto të vendit.

Plani gjithashtu synojnë reduktimin e subvencioneve shtetërore, për të pakësuar barrën e tyre tek buxhetin. Kjo mund të shkaktojë një zemëratë popullore në rritje, në rast se anëtarët e familjes mbretërore nuk fillojnë edhe ata vetë të shtërngojnë rripat. Por pavarësisht masave të fundit shtrënguese, familja mbretërore saudite duket se nuk ka ndryshuar shprehitë e saj në aspektin e shpenzimeve financiare.

Përfundim

S’ka asnjë arsye bindëse për t’u shqetësuar se Arabia Saudite do të përjetojë paqëndrueshmëri serioze politike, apo shembjen e regjimit në një apo dy vitet e ardhshme. Ekzistojnë ndërkohë arsye për t’u shqetësuar se çfarë do të ndodhë më vonë.

Suksesi i reformave të planifikuara ekonomike në vend, nuk është aspak i sigurtë, dhe përkimi i disa zhvillimeve të mundshme, një mjedis i jashtëm i përkeqësuar, dhe trazirat në rritje në shtëpi, duke përfshirë një rritje të shpejtë të sulmeve terroriste nga xhihadistët sauditë të kthyer nga luftërat e huaja, mund të paraqesin një sfidë, të cilën regjimi në pushtet mund të mos jetë në gjendje ta menaxhojë./ g.mendimi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne