Sa larg mesazhit të Haxhit janë besimtarët e sotëm?

Autor: Muhamed Jusiç

Edhe këtë vit miliona besimtarë nga e gjithë bota do ta kryejnë obligimin e pestë islam, haxhin; simbolin e fesë së pastër në Një Zot dhe Unitetit të atyre që kapen për litarin e Tij. Për fat të keq, duhet të kthehemi larg në të kaluarën që të gjejmë kohë më të rënda për Ummetin musliman.

Atë që e quajmë botë islame, sot paraqet gjithçka vetëm jo “islame”. Numri i madh i shteteve me shumicë banorësh muslimanë, ose gjenden në skaj të konflikteve të brendshme ose më kanë rënë në humnerën e luftërave vëllavrasëse. Konflikti i lashtë sunito – shiit u ringjall sërish. Regjimet despotike janë të gatshme të sakrifikojnë shtete dhe popuj të tërë, që t’u dërgojnë masave muslimane mesazhin se për ta është një zgjedhje e përjetshme mes regjimeve të korruptuara despotike dhe anarkisë.

Disa prej atyre kinse luftojnë për lirinë e popujve muslimanë dhe vendosjen e vlerave islamike bëjnë më shumë trazira dhe janë më brutale dhe mizore ndaj atyre në emër të të cilëve shfaqen se sa ndonjë nga këto regjime.

Muslimanët e sotëm, të paktën në ato shtete me shumicë muslimane, duket se jetojnë mes dy botëve: njëra e vdekur, ose të paktën e paqëndrueshme, e cila më nuk ka asgjë për të ofruar dhe një tjetër e dobët ose pamjaftueshëm e fortë që të lindin.

Që moti ajo botë, me përjashtime të vogla, është tepër e ngarkuar me varfëri, korrupsion, analfabetizëm, jo-liri dhe sëmundje të ndryshme shoqërore, të cilat me dekada injorohen ndërsa kohëve të fundit kulminuan me eskalim jo-tolerance dhe dhunë.

Plagët e Gazës janë akoma të freskëta kur haxhilerët palestinez të cilën kalonin golgotën për shkak të procedurave të okupatorit të tokës së tyre.

Ndaj, me të drejtë mund të pyetemi në çfarë gjendje ta presim haxhin e këtij e viti dhe sa janë larguar besimtarët muslimanë nga mesazhi që e la i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem emanet në Haxhin e Lamtumirës që ishte edhe kulminacioni i misionit si i Dërguar pak para se të ndërron jetë.

Ai mesazh që e tha i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem më 9 Dhil-Hixheh ,vitin e 10 hixhrij (v. 632) në Arefat paraqet bërthamën e Porosisë të cilën na e përcolli nga i Lartëmadhëruari dhe nuk mund të mos ta kuptojmë largpamësinë Hyjnore në atë që tha ai. Ai tha:

O ju njerëz! Dëgjoni çka do t’ju them, sepse nuk e di se a do t’ju takoj juve në këtë vend pas këtij viti.

O ju njerëz! Frikësohuni Allahut dhe respektonie atë. Bëhuni të njerëzishëm e të drejtë ndaj vetës e ndaj të tjerëve. Kjo është dita e flijimeve në emër të Allahut. Me të vërtetë gjaku juaj, pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend.

Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit njerëzor.
Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe vaj për atë kush e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.

O Zoti im! A e kam përmbushur detyrën time dhe misionin e besuar?

O Zoti im, dëshmo për këtë!

Pasi që iu drejtua besimtarëve iu rikthye edhe një herë mesazhit me të cilin edhe e filloi fjalimin e tij të famshëm duke ua tërhequr vërejtjen besimtarëve:

Kam lënë tek ju dy gjëra që, nëse u përmbaheni, nuk keni për të humbur kurrë; Librin e Allahut (Kur`anin) dhe Sunetin tim.

O njerëz, je keni një Zot dhe një paraardhës. Të gjithë jeni nga Ademi, ndërsa Ademi nga toka. Më i mirë ndër ju është ai që është më i devotshëm. Nuk ka përparësi arapi ndaj joarapit, përveç se në devotshmëri.

O Zoti im! A e kam përmbushur detyrën?

O Zoti im, dëshmo për këtë!

“Po”, iu përgjigjën të pranishmit.

“Le ti lajmërojnë të pranishmit ata që nuk janë këtu.”

Mu për atë haxhi duhet t’i rikujtoj muslimanët në këtë mesazh të të Dërguarit Fisnik dhe ndër ta të zgjojë ndjenjën e unitetit musliman, shenjtërisë së jetës, nderit dhe solidaritetit vëllazëror. Do të mjaftonte sikur ata që derdhin gjakun e të pafajshmëve ta përkujtojnë atë që na mësoi i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, “shenjtëria e jetës së një besimtari është më e madhe se shenjtëria e Kabes“. Kjo tregon se nuk ka ideal i cili vlen të sakrifikohet një jetë e pafajshme e ku mbeti më mijëra.

Abdullah Ibën Abbasi transmeton: “I Dërguari i Allahut e shikonte Kaben dhe tha: La ilahe ilallah sa e pastër dhe sa e dashur që je, sa e bukur është aroma jote dhe sa e madhe është shenjtëria jote! Por, besimtari me hyrmetin e tij është më i madh se ti. Vërtetë Allahu të bëri të shenjtë, por Ai e bëri të paprekshme edhe pronën e besimtarit, gjakun e tij, nderin e tij dhe na ndaloi që të kemi mendime të këqija për besimtarin.” (Mexhme-u-zevaid)

A nuk na thotë Allahu i Madhëruar në Kur’an: “E paimagjinueshme është që besimtari ta vret besimtarin, kjo mund të ndodh vetëm pa dashje.” Ndërsa nga Ebu Bekër Nufej b. El-Harith eth-Thekafi, radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

‚Kur përleshen dy muslimanë të armatosur me shpata, në zjarr (Xhehenem) do të hyjë edhe vrasësi edhe i vrari.‘ ‚O Resulullah, vrasësi po, por pse edhe i vrari?‘ ‚Për shkak se edhe ai ka lakmuar ta vrasë vëllain e vet musliman.‘ – u përgjigj (Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem)‘.“ (Buhariu dhe Muslimi)

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se i Dashuri i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mëkat më i madh pas shirkut janë vrasja, mosbindja ndaj prindërve dhe dëshmia e rrejshme.”

Sa muslimanë sot e kanë thyer këtë udhëzim të të Dërguarit salAllahu alejhi ue sel-lem duke ndjekur verbërisht ideologët e tyre të ligë, të cilët në emër të Islamit janë duke vrarë njerëz të pafajshëm në luftëra vëllavrasëse, shkatërrojnë familjet, shpifin dhe gënjejnë në rrjetet sociale etj..

Nuk na dhimbset vetëm gjaku i muslimanëve i cili derdhet, por edhe gjaku i të gjithë atyre të cilët pa asnjë faj u gjendën në këtë vorbull të çmendur të luftërave dhe trazirave.

Akoma më rëndë është kur i sheh disa të cilët pretendojnë se janë, jo vetëm muslimanë, por të vetmit në të drejtë dhe në emër të Islamit vrasin ithtarët e feve të tjera dhe pakicat. Sot në Irak dhe Siri shohim pastrim etnik të pakicave, të cilët nuk janë prekur apo detyruar ta ndërrojnë fenë në kohën e kalifëve të Drejtë, emevit, abasid apo othman.

Sot, ndoshta më tepër se kurrë bota islame ka nevojë për fenë, por jo fenë e cila kërkon arsyetime për dhunën ndaj atyre që mendojnë dhe besojnë ndryshe; jo fenë e cila është shndërruar në disa ideologji që njerëzit i shpijnë në përleshje dhe gjakderdhje; po kemi nevojë për fenë si shpresë për një të nesërme më të mirë, fenë e cila jep fuqi që të bëhet durim edhe në çastet më të vështira dhe të mbështeten tek Allahu i Madhërishëm.

Sot ndërsa flet arma dhe derdhet gjaku, rëndë është për të avokuar dialogun, tolerancën dhe kontrollin, por nuk ka rrugë tjetër veç kësaj.

Haxhi i këtij viti është një mundësi unike për të gjithë muslimanët, si dhe liderët e tyre dhe inteligjencën muslimane të mos ngurrojnë t’i dëgjojnë mesazhet e të Dërguarit Fisnik i cili ua la në emanet mu në këto ditë dhe në këto vende të cilat hanxhinjtë do t’i kalojnë dhe promovojnë idetë e shenjtërisë së jetës, nderit dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve.

Burimi: Preporod.com/ breziiri.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne