Saimir Tahiri shpallet fajtor për shpërdorim detyre, bien akuzat për trafik droge dhe grup i strukturuar kriminal

Ish Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është shpallur fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ai është dënuar me pesë vite burg, por nuk do të vuajë dënimin në qeli, pasi dënimi është konvertuar në tre vite shërbim prove, që do të thotë se ish ministri shpëton nga burgu dhe thjesht do të paraqitet tek oficeri i shërbimit të provës.

Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish ministrin, me akuzat për tre vepra penale, konkretisht për korrupsion të zyrtarëve të lartë, trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim dhe grup të struktuaruar kriminal, në kuadër të dosjes Habilaj. Dy akuzat për trafik të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal kanë rënë.

Trupi gjykues ishte i përbërë nga gjyqtarët, Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.

Pas dhënies së vendimit, relativisht të lehtë për të, Tahiri u shfaq mjaft i gëzuar përpara kamerave, megjithatë e quajti procesin “një estradë”.

Pritet që edhe prokuroria, por edhe mbrojtja e Tahirit të aplelojnë vendimin

Më herët, Tahiri ka lëshuar disa mesazhe të koduara edhe për kryeministrin Rama, duke u shprehur në sallën e gjyqit se është në fakt Rama “shefi i madh në kuptimin politik”.

Gjatë procesit gjyqësor të Tahirit, në gjykati pati prezencë të një përfaqësuesi të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Si nisën hetimet ndaj Saimir Tahirit?

E gjithë historia fillon me përgjimin e grupit kriminal “Habilaj”, nga drejtësia Italiane. Ky grup ishte përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, nga Shqipëria drejt shtetit Italian. Sipas prokurorisë, këto përgjime dhe përdorimi i makinës së Tahirit, nga kushëriri i tij, Artan Habilaj, inmplikojnë drejtëpërdrejtë ish ministrin e Brendshëm.

Përgjimet dhe hetimet e autoriteteve italiane janë edhe një provë e fortë e Prokurorisë për Krime të Rënda. Një nga momentet që janë përgjuar i takon datës 1 janar 2014 në makinën tip “Mercedes” me targë IHP 2690 në përdorim nga Mosi Habilaj, ku ndodhet Eneo Sulaj dhe një “burrë shqiptar”. Në këtë përgjim, ata thonë se “Saimiri” kërkon diamante për gruan. Nga këto përgjime, shtetasi Eneo Sulaj, kushëriri i Maridian Sulajt, i thotë bashkëbiseduesit:

– Kur shkova atje, më thoshte pronari (i dyqanit) sepse kishte folur me Saimirin… që e kishte kështu… kostumin…
– E more vesh se çfarë i ka blerë Moisiu bashkëshortes së atij?
…Një gjerdan që kushton 15.000 euro…
– Po përveç Sokolit që mori para për punën, Saimiri nuk donte para. Është e qartë, sepse… me ata… dhe i dha… gjerdan me diamante”.

Ndërkohë, në një fragment tjetër të zbuluar nga përgjimet, Maridian Sulaj flet për “Audin” me targa të ministrit të Brendshëm, që Tahiri ia shiti Artan Habilajt dhe me të cilin rezulton se ka udhëtuar në drejtim të Greqisë. Përgjime mjedisore brenda automjetit
tip “BMV 320” me targë BZ 140 JR, në përdorim nga shtetasi Maridian Sulaj.

Biseda është përgjuar në orën 06:46, datë 10.10.2014, ndërsa automjeti ishte në lëvizje. Maridian Sulaj komenton me Avdul Sulajn dhe Klajdi Sulajn, i thirrur Mili, si edhe
me një burrë shqiptar për targat aktuale shqiptare.
Maridian: Presidenti e ka 01, Kryeministri e ka 02… 03 pra është “Audi” që ka Artani… që e kishte ai… kushëriri ynë… vetëm ata e kanë.
Avdyli: E mirë janë targa të veçanta.
Maridian: A targa të veçanta… (fjalë të pakuptueshme) 03 e ka Artani që ia ka dhënë ai…
Burri: Cili Artan?
Maridian: Ishte i kushëririt tonë, ai, Kryeministri vëlla… si quhet? Çfarë është tani ai.
Maridian: Po ai është ministër i Brendshëm.
Avdul: Targat e qeverisë u hiqen makinave të qeverisë kur shiten.
Maridian: Po ai ia ka dhënë Artanit me gjitha dokumentet, ta marrë dreqi! Çfarë thotë ky, shiten. Ua heqin, është e tij personale o vëlla.

Në tetor të vitit 2017, prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të Tahirit, për të kryer arrestimin e tij. Kuvendi i Shqipërisë, votoi kundër kësaj kërkese, me arsyetimin se niveli i provave të paraqitura, nuk ishte i mjaftueshëm.

Që prej asaj kohe, Tahiri nisi përballjen ligjore me akuzat e prokurorisë, e cila kërkoi plotë 12 vite burg për ish ministrin. Jo pak herë ai lëshoi mesazhe të koduara, ndaj politikës, më së shumti ndaj kryeministrit Edi Rama, bashkëpunëtorit të tij më të afërt, me të cilin kishin arritur rezultate të shkëlqyera, veçanërisht në zgjedhje./TPZ.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne