Sali Berisha me skenarët e Lulzim Bashës për protestat kundër Ramës

Ideja që është hedhur që së fundmi është ngritja e një çadre para godinës së Kryeministrisë, një skenar që për 3 muaj u aplikua në 2017 nga Lulzim Basha, në prag të zgjedhjeve parlamentare të të njëjtit vit. Çadra u mbyll me marrëveshjen e famshme të 17 majit, që më shumë se sa i shërbeu opozitës, forcoi pozitat e Kryeministrit Edi Rama…

Sali Berisha ka deklaruar se protestat kundër Kryeministrit janë të vonuara, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë kundër asaj që e konsideron si regjimin e Edi Ramës.

Kreu demokrat është shprehur se protestat do të jenë të pandalshme dhe do të çojnë në rrëzimin e Qeverisë.

Dikur Berisha fliste për 77 mënyrat që do të aplikonte në kuadrin e mosbindjes civile, por që në fakt asnjëherë nuk i aplikoi me përjashtim të një skenari që dihej para se të niste.

Por si priten të jenë protestat, çfarë skenarësh ka menduar ish-Kryeministri kundër Edi Ramës?

Nga ajo çfarë është deklaruar deri më tani duket se protestat e reja të Sali Berishës janë të njëjta në skenarë me ato të Lulzim Bashës.

Ashtu si me Bashën edhe me Berishën pothuajse janë të njëjtët emra që do të merren me përgatitjet, njoftimet, organizimin e njerëzve. Pra ata që ideonin ato elementë 6 apo 7 vite më parë nën urdhërat e Bashës, sot do të bëjnë të njëjtën gjë për hyqmin e Berishës.

Ideja, që është hedhur që së fundmi është ngritja e një çadre para godinës së Kryeministrisë, një skenar që për 3 muaj u aplikua në 2017 nga Lulzim Basha, në prag të zgjedhjeve parlamentare të të njëjtit vit. Çadra u mbyll me marrëveshjen e famshme të 17 majit, që më shumë se sa i shërbeu opozitës, forcoi pozitat e Kryeministrit Edi Rama.

“Opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit. Çka do të thotë shkelmim i kushtetutës, rregullores së parlamentit dhe rendit kushtetues të vendit. Do të thotë mohim i të drejtave të opozitës.

Plas çdo skandal, jo më kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë. i sugjeroj grupit dhe opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet dhe denoncimet.

Pas 9 seancash, opozita është lejuar vetëm një ditë të debatojë në Kuvend. Atëherë ne kalojmë ne debat me qytetarët”, tha Berisha pak ditë më parë.

Duket se ky do të jetë hapi i parë, që do të pasohet më pas nga ato që konsiderohen si protesta mbarëkombëtare.

Dhe sërish do të përsëriten skenarët e aplikuar nga Lulzim Basha, gjatë kohës që drejtonte “de jure” Partinë Demokratike.

Formatet e protestave do të jenë të njëjta: mbështetës të opozitës që mblidhen në bulevard, vendosja e një podiumi nga ku do të mbajnë fjalime deputetë, kryetarë partish dhe natyrisht kreu demokrat Sali Berisha, qytetarë që do të përçojnë mesazhet e tyre.

Natyrisht, diku do të jetë edhe një grup të rinjsh që zakonisht përdoren për të hedhur gurë, flakadanë apo kapsolla, si një mënyrë ‘për të nxehur gjakrat’. Kështu vepronte edhe Lulzim Basha, që pavarësisht se në jo pak raste prodhoi protesta masive, nuk ia doli që të realizonte qëllimin final.

Ndoshta nga të gjithë elementët e protestave të Bashës, i vetmi që nuk do të përdoret është ndezja e dritave të celularëve për të treguar madhështinë e protestës. /Pamfleti/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne