Samiti i G20-ës në Indi, Presidenti kinez Xi Jinping anulon pjesëmarrjen pas tensioneve mes vendeve

Presidenti kinez Xi Jinping nuk pritet të merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të grupit të vendeve të G20, që do të mbahet gjatë kësaj jave në Indi, në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë ftohur.

Ministria e Jashtme kineze njoftoi se Kryeministri Li Qiang, do ta përfaqësojë Kinën në këtë takim, që do të mbahet me 9-10 shtator.

Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Indisë janë acaruar së fundi për shkak të problemeve kufitare mes tyre. Para tre vitesh, tensionet çuan tek një përplasje në rajonin Ladakh, që la të vdekur 20 ushtarë indianë dhe kinezë. Që atëherë, dy palët kanë vendosur dhjetëra mijëra trupa ushtarake krahas tankeve, aeroplanëve luftarakë dhe artilerisë.

Mospajtimet kanë lindur edhe rreth çështjeve tregtare dhe forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Indisë dhe Shteteve të Bashkuara. India dhe Kina kanë dëbuar gazetarët e njëra-tjetrës.

 

 

Dy vendet kanë numrin më të madh të popullatës në botë, janë rivale në teknologji, hulumtim të hapësirës dhe në tregtinë globale.

I pyetur pse Presidenti Xi nuk do të marrë pjesë në takim zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning refuzoi të komentojë.

“Takimi i G20 është forum i madh ndërkombëtar për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar. Kina gjithmonë i ka kushtuar rëndësi të veçantë dhe ka qenë pjesëmarrëse aktive në aktivitetet e rëndësishme”, deklaroi zonja Mao në konferencë shtypi.

“Kryeministri Li Qiang do të shtjellojë pikëpamjet e Kinës dhe propozimet për bashkëpunimin e G20, do të flasë mbi nevojën për të forcuar solidaritetin dhe bashkëpunimin dhe për të punuar së bashku për t’u dhënë përgjigje sfidave globale ekonomike dhe zhvillimore”, tha ajo.

Komandantët ushtarakë të Kinës dhe Indisë u takuan muajin e kaluar dhe u betuan “të mbajnë paqen dhe qetësinë” përgjatë kufirit, në përpjekje për të shtensionuar situatën.

Por, mungesa e Presidentit Xi në takimin e nivelit të lartë G20, përpos që mund të ketë ndikim në marrëdhëniet mes Kinës dhe Indisë, eliminon mundësinë e një takimi mes tij dhe Presidentit Biden. Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë në pikën më të ulët, pavarësisht vizitave së fundmi të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë në Pekin.

Të dielën, Presidenti Biden u tha gazetarëve se nuk pret të takohet me udhëheqësin kinez.

“Jam i zhgënjyer, por e di se do ta takoj”, deklaroi zoti Biden.

Nuk është ende e qartë se kur mund të ndodhë një takim i tillë pasi nuk është e qartë nëse Presidenti Xi do të marrë pjesë në forumin për Bashkëpunimin Ekonomik të vendeve të Paqësorit, që do të mbahet në San Francisko, në nëntor./ VOA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne