Presidentja e Kosovës vizitënon shqipërine me rastin e ditës së shenjtërimit të nene terezes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdon vizitën e saj zyrtare në Shqipëri, ndërkohë së bashku me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe zyrtarë të tjerë ka marrë pjesë në aktivitetin kushtuar Nënë Terezës në Tiranë, raporton Anadolu.

Në mjediset e Presidencës së Shqipërisë është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente “Mbjellim dashuri”, me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Shenjt Terezës, si një bashkëpunim midis Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës si dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së ekspozitës njëditore, Presidenti Begaj theksoi se jeta e Nënë Terezës ishte një dëshmi për fuqinë e pakufizuar të mirësisë.

“Sot ne mblidhemi këtu për të nderuar shpirtin e jashtëzakonshëm të shenjtores që e jetoi jetën me dhembshurinë, dashurinë dhe në shërbim ndaj njeriut të pamundur, shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Përkushtimi i saj i pandalshëm për të ndihmuar më të dobëtit shërben si një shembull i potencialit të njerëzimit për të bërë më të mirën”, tha Begaj.

Presidentja e Kosovës, Osmani, në fjalën e saj në aktivitet tha se përpara kanë jetën e dokumentuar të humanistes, sipas saj, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin.

“Puna e saj dhe përkushtimi i palëkundur ndaj më të varfërve dhe shërbimi i saj vetëmohues në funksion të së mirës për të gjithë njerëzimin kanë lënë gjurmë të pashlyeshme kudo në botë. Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta e Shenjt Terezës është një udhëtim nëpër faqet e historisë së saj personale, por edhe historisë së njerëzimit në përgjithësi, duke e ditur faktin që ajo ishte e të gjithëve dhe për të gjithë”, u shpreh Osmani.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se ekspozita përmban dokumente të rralla, të cilat sipas tij janë shfaqur pak herë dhe disa prej tyre janë shfaqur vetëm njëherë.

“Do të kemi mundësi që të shikojmë letra të shkruara nga vetë Nënë Tereza, ashtu edhe fotografi të aktiviteteve të ndryshme në lidhje me këtë figurë të madhe botërore dhe shqiptare, shqiptare dhe botërore”, u shpreh Bido.

Kujtojmë se Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës shënohet më 5 shtator, ndërkohë ekspozita njëditore përmban fotografi dhe dokumente nga jeta, vepra dhe iniciativat e Nënë Terezës, si dhe dokumente të institucioneve të Shqipërisë mbi figurën e saj.

Gjatë vizitës së saj dyditore në Shqipëri, Presidentja e Kosovës, është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, ndërkohë gjatë ditës së sotme është parashikuar që ajo të vizitojë edhe qytetin e Beratit dhe të Durrësit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne