Sarajevë, shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve

Me rastin e 30 gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në qiell janë lëshuar balona të zinj me mbishkrimin “Ku është”, dhe përsëri u theksua problemi i mos gjetjes së numrit të madh të personave të zhdukur në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), rreth 7.000, raporton Anadolu Agency (AA).

Familjet e personave të zhdukur, organizatat ndërkombëtare, OJQ-të dhe institucionet shtetërore në mbarë botën shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur më 30 Gusht.

Në BeH mbi 70 për qind e njerëzve të regjistruar si të zhdukur pas luftës janë gjetur, që përfaqëson shkallën më të lartë të rasteve të zgjidhura të personave të zhdukur në një shoqëri pas konfliktit. Megjithatë, ky proces ende nuk ka përfunduar, ende ka të paktën 7.000 njerëz në BeH, fati i të cilëve është i panjohur.

Në luftën e fundit 1992-1995, rreth 32 mijë njerëz u zhdukën në BeH, kurse sot, 22 vjet pas luftës, ende vazhdojnë kërkimet për më shumë se 7.000. Janë gjetur më shumë se 25 mijë mbetje mortore, ku 23 mijë prej tyre janë identifikuar.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve në BeH, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) dhe Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) kanë organizuar ngjarjen e sotme, ku qytetarëve u janë ndarë balona të zinj, për të ndarë dhimbjen me familjet të cilët për më shumë se dy dekada kërkojnë eshtrat e të dashurve të tyre.

Ministrja për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët, Semiha Borovac tha sot se shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur është një mundësi për t’iu adresuar kryesisht familjeve të të zhdukurve dhe të konfirmojnë përkushtimin ndaj procesit të kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur.

“Kërkimi për të zhdukurit është gjëja e parë në çështjen e të drejtave të njeriut, obligimi qytetërues dhe moral i çdo individi në shoqërinë tonë dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes. Prandaj, edhe një herë u bëj thirrje atyre që kanë informacion në lidhje me personat e zhdukur të informojnë dhe kështu të japin kontributin personal në misionin më human të pasluftës në rajon, i cili duhet të sigurojë kthimin e mijëra emrave dhe mbiemrave të viktimave të krimeve të luftës dhe varrosjen e tyre të dinjitetshme”, tha Borovac.

Kreu i ICMP për Ballkanin Perëndimor, Matthew Holliday, rikujtoi se qindra e mijëra familje të personave të pagjetur sot mbajnë komemoracione në të gjithë botën për të bërë homazhe ndaj të pagjeturve në mbarë botën.

“Përsa i përket Ballkanit Perëndimor, mbi 70 për qind e personave të zhdukur janë gjetur dhe kjo është me të vërtetë një sukses i madh nëse flasim për statistikat, por duhet të vazhdojmë të mendojmë për mijëra njerëz që ende kërkojnë njerëzit e tyre të zhdukur në këtë pjesë të Ballkanit”, tha Holliday.

Sipas tij, nuk mund të pretendojmë se kjo shoqëri është kthyer në gjendjen normale, siç kanë jetuar më parë, duke pasur parasysh se shumë njerëz ende figurojnë si të zhdukur.

Kreu i delegacionit të KNKK-së në Sarajevë, Zheljko Filipoviç, tha se dëshiron të përfiton nga rasti për të rikujtuar opinionin për vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen familjet e të pagjeturve në BeH.

“Procesi është i vështirë dhe i ngadalshëm. Në lidhje me shënimin e kësaj dite gjatë vitit të kaluar kemi gjetur rreth 170 persona dhe nëse shkojmë me këtë ritëm, nevojiten rreth 40 vjet për të zgjidhur problemin e të pagjeturve”, tha Filipoviç.

Sipas ICMP-së në luftërat e territorit të ish-Jugosllavisë, rreth 40 mijë njerëz u zhdukën, nga të cilët numri më i madh, rreth 30 mijë u zhdukën në BeH.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne