“S’e pranoj dot talebanizmin”, dikur kundër Piramidës, sot Rama nxiton për të shembur Teatrin Kombëtar

Vetëm dy ditë kanë mbetur nga vendimi i Kuvendit, për të hedhur në votim projektligjin që parashikon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe në një pjesë të truallit të tij, ndërtimin e disa kullave.

Sot është Rama ai që nxiton për të shembur godinën e Teatrit, godinë me vlera kulturore dhe historike. Brenda pak ditëve qeveria miratoi projektligjin në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, e kaloi në Kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe të enjten do ta çojë në senacë plenare për ta votuar.

Sot kryeministri është i gatshëm të shembë godinën për të cilën shprehet se “është e padenjë për të qenë një godinë për Teatër Kombëtar i këtij vendi”.

Mirëpo, në fund të 2010-s, kur në krye të qeverisë ishte Sali Berisha, ndërsa Edi Rama ishte Kryetar Bashkie, ai nuk ndante të njëjtin mendim për  monumentet e kulturës.

Kur “Piramida” në Tiranë rrezikohej të shembej si pjesë e një projekti të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të ndërtuar në të njëjtin vend godinën e re të Kuvendit të Shqipërisë, Rama shprehej se “nuk e pranonte dot talebanizmin”.

Gjatë fjalës së tij të mbajtur në komitetin shtetëror “Për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar”, Rama thekson se si një njeri i artit dhe kulturës s’e pranon talebanizmin ndaj objektit, sepse i çfarëdo kohe qoftë dhe me çfarëdo arsyeje u motivoftë, është talebanizëm.

“Taleban ishte Enver Hoxha dhe regjimi i tij që i hyri me dinamit dhe hodhën në erë 2400 e kusur kisha e kapela romane, që dogjën 300 e kusur mijë vepra arti fetare e libra fetarë. Talebane është edhe e kundërt. Pra të bësh atë që bënte Enver Hoxha me trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij vendi.  Ju siguroj që këtë nuk do e bënte asnjë vend europian, siç nuk e kanë bërë”, shprehej Rama duke vënë theksin më tej te rëndësia hisorike e monumenteve të kulturës.

Asokohe, Rama fliste dhe për marrëdhënien mes medias e qeverisë, që sipas tij, kanë shkelur rregullat “duke u akomoduar sipas rregullave, por edhe duke shkelur rregullat në mjedise të përshtatshme për aktivitetet e tyre”.

Rama gjithashtu shprehej totalisht kundër ndërtimit të pallateve të larta në kryeqytet, ndërsa sot ndërtesat gjigante kanë “mbirë” në kryeqytet.

“Ndërkohë, sot e gjithë ditën, ka një plan ky qytet, ka edhe një plan qendra e këtij qyteti, i cili ndryshe nga si e keni perceptuar dhe komentuar ju, nuk është një plan për të vendosur njolla e për të ngritur pallate, por është një plan për të sistemuar funksionet e godinave ekzistuese. Për t’i dhënë një sens organik të gjithë jetës në këtë qendër që është qendra e kryeqytetit të vendit dhe në rast se do të ndiqej ai plan pa as më të voglin dyshim mund të bëhet qendra më interesante, të paktën në rajonin tonë. Ky vend ka të përcaktuara perspektivat për të gjitha godinat dhe ndër to edhe vendosjen e teatrit kombëtar ku është sot parlamenti i vendit…”, thekson Rama. Ndërsa me ironi shton se “nuk është nevoja për të shpenzuar kaq shumë para, (1 milion euro) nga taksat e shqiptarëve për të bërë teatër brenda piramidës”, shprehej Rama gjatë fjalës së tij në komitetin shtetëror  Për ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar.

Mirëpo sot, ky është realiteti. Një debat i nxehtë po zhvillohet për Teatrin Kombëtar, për transformin e tij, humbjen e vlerave kulturore e historike dhe ngritjen e kullave të larta; ndërsa kryeministri është ai që vulos, duke u bërë dhe kontradiktor me fjalët e thëna 7 vite më parë. /Politiko.al/

*Fjala e Edi Ramës është marrë në librin“Piramida e Tiranës” botuar në 2011-n

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne