Shqiperia

Seanca e 9 shtatorit, PD plan për të ndalur votimin e qeverisë, protesta kundër Ruçit dhe Xhafajt

Seanca e 9 shtatorit nuk do të kalojë shumë e qetë. Ndonëse në këtë seancë pritet të votohet qeveria e re, Partia Demokratike do e shfrytëzojë për të marrë rolin në krye të opozitës. Sipas burimeve të gazetës, PD do të protestojë brenda dhe jashtë Parlamentit për të ndalur votimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt, si ministër i Punëve të Brendshme. Po cilët janë skenarët dhe çfarë do të ndodhë konkretisht?

Sipas informacioneve, i gjithë Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka nisur të organizohet për të protestuar, teksa paralajmëron një aksion barrikadë për të penguar zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit dhe dekretimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, me pretekstin se këto dy propozime janë një provokim ndaj të gjithë shqiptarëve që janë përndjekur nga sistemi diktatorial.

Ndërkohë që, një tjetër skenar paralel me atë të FRPD po përgatitet edhe nga vetë deputetët e partisë Demokratike. Sipas informacionit, ligjvënësit demokratë do të marrin fjalën në Parlament, e nga ku pritet që të sulmojnë ashpër jo vetëm Ruçin dhe Xhafajn, por gjithë qeverinë “Rama 2”. Por këtë aksion e përforcon më shumë edhe vetë lideri demokrat, Lulzim Basha, ky i fundit gjatë daljeve të tij të fundit ka qenë tejet i ashpër me kryeministrin Edi Rama, duke lëshuar jo vetëm akuza por e ka bërë edhe fajtor kreun ekzekutivit, se shkeli mbi marrëveshjen e 18 majit. Mesa duket i zgjedhuri për një mandat të dytë në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas testit të vështirë që kaloi brenda PD-së, priti shtatorin për të filluar aksionin e tij opozitar kundër mazhorancës së majtë, duke shuar në njëfarë mënyre edhe gjithë alibitë se do të kishte një bashkëpunim Rama-Basha.

Reagon Basha

Qeveria e re “Rama 2” nuk është kapërdirë dot nga opozita sidomos kur bëhet fjalë për partinë më të madhe siç është ajo Demokratike. Kështu, përmes një statusi në rrjetet sociale e teksa iu referuar mbledhjes së Task- Forcës ndaj kanabisit thirrur nga Kryeministri, kreu i PD, Lulzim Basha, deklaroise luftën fallso kundër drogës e demaskon vullneti i kryeministrit për të emëruar në krye të Kuvendit Gramoz Ruçin dhe ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafajn. “Rama po trumbeton një luftë fallso kundër drogës me shfaqje televizive.Por çfarë e demaskon vullnetin e vërtetë politik të Ramës është emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Promovimi i tyre është triumf i krimit të organizuar në politikë. Që nga 2005, qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA Gramoz Ruçit, për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Fatmir Xhafaj është një tjetër figurë e diskredituar, i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë e Italisë, si një nga kokat e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Disa deputetë të tjerë të afërt të Edi Ramës në Kuvend janë gjithashtu të lidhur me krimin dhe drogën”, nënvizoi Basha, dy ditë më parë.

 

OPINIONE