Shqiperia

UT nuk i bindet urdhërit të ministres, kërkesa e paligjshme

Universiteti i Tiranës ka rrëzuar kërkesën e ministres së Arsimit, Mirela Karabina. Urdhri për ndryshimin e anëtarëve të bordit të administrimit ndonëse u kundërshtua qysh në momentin që u aprovua nga ministrja teknike, duket se nuk do të zbatohet. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë kreu i këtij bordi Ervin Demo, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “Sot” u shpreh se nuk do të ketë asnjë ndryshim në bordin e administrimit, pasi kërkesa e ministres është e paligjshme. “Bordi vazhdon të jetë me pushime. Ne më 4 shtator mblidhemi se atëherë kemi dhe mbledhjen e parë si dhe fillojmë punë. Por theksoj se nuk do të ketë asnjë ndryshim në anëtarët e bordit. Dhe urdhri i ministres nuk do të zbatohet pasi ju e keni shkresën që ne depozituam dhe deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Që do të thotë se ministrja e di që ka gabuar, prandaj dhe po hesht. Se po të kishte të drejtë, do reagonte”, u shpreh Demo. Ndërkaq, kreu i bordit të administrimit, deklaroi se bordi do vazhdojë punën me po të njëjtët anëtarë. “Ne do vijojmë me po të njëjtët anëtarë pasi nuk ka sens të ndryshohen”, tha Demo. Por edhe pse urdhri i ministres teknike Karabina është refuzua nga ana e Universitetit të Tiranës, Karabina ka vijuar të këmbëngulë që universiteti të zbatojë urdhrin. Me anë të një e-maili drejtuar krerëve të Universitetit të Tiranës, para disa ditësh, Karabina u ka kërkuar që të zbatohet urdhri i saj, pasi nuk është i paligjshëm. Ndonëse dhe pse janë ditët e fundit në qeveri, Karabina po përpiqet ta çojë deri në fund atë që ka nisur. Ndërkohë, kundra urdhrit të depozituar nga ministrja teknike, ka qenë dhe vetë sekretari i përgjithshëm i arsimit, Plarent Ndreca, i cili ka kundërshtuar kërkesën e ministres duke u radhitur në krah të Universitetit të Tiranës. Sakaq, urdhrin e kanë kundërshtuar edhe dekanët e fakulteteve, ku e kanë cilësuar si një vendim nul dhe të pabazuar në ligj.

Kompetencat e bordit të administrimit

Sipas ligjit, bordi i administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij. Ky bord përbëhet nga 7 anëtarë të punësuar me kohë të pjesshme. Përbërja e bordit të administrimit, përcaktohet në varësi të planit buxhetor afatmesëm të institucionit publik të arsimit të lartë. Që do të thotë se nëse institucioni i siguron vetë 50% të buxhetit, 4 prej anëtarëve i përkasin fakultetit dhe 3 prej tyre janë përfaqësues të Ministrisë të Arsimit.

Por kur institucioni nuk i siguron 50% të buxhetit, 4 përfaqësues i takojnë ministrisë dhe 3 fakultetit. Por kush janë detyrat e bordit? Bordi administrativ ka një sërë funksionesh dhe detyrash: ai miraton buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm si dhe e mbikëqyrë atë; përcakton rregullat për shpërndarjen e të ardhurave që siguron institucioni; është përgjegjës në përcaktimin e kritereve të procedurave për punësimin e administratorëve dhe personelit. Ndërkohë që shkarkimi mund të bëhet vetëm nga ministri, por me propozim të organit që i ka zgjedhur.

OPINIONE