Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka uruar shqiptarët për 113-vjetorin e Pavarësisë.
Përmes faqes zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, DASH, Rubio shprehet se vlerëson bashkëpunimin e ngushtë mes Tiranës dhe Washingtonit.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike.
Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, shprehet Marco Rubio.

Shqipëria shënon sot 113-vjetorin e Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit që përkujtohet çdo vit me krenari e patriotizëm nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Me rastin e kësaj dite të shënuar, autoritetet lokale dhe ato qendrore kanë organizuar evente të shumta që do të mbahen në disa qytete të vendit.
Festimet do të nisin në Vlorë, aty aktivitetet përfshijnë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit që pritet të nisë në orën 10:00, nderime te varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore e simfonike, si dhe Koncertin e Madh Festiv në mbrëmje. /pamfleti


















