Në një kohë kur klima politike në Shqipëri vijon të jetë e tensionuar dhe zgjedhjet e 11 majit po afrojnë mes akuzave për paligjshmëri dhe mungesë transparence, gazeta Impakt sjell për lexuesit një intervistë ekskluzive me një nga zërat më kritikë dhe të zhdërvjelltë të skenës politike shqiptare z. Selami Jenisheri, ish-deputet dhe drejtues politik i angazhuar prej vitesh në çështje sociale dhe ekonomike me fokus të veçantë te pensionistët dhe shtresat në nevojë.Në këtë bisedë pa filtra, Jenisheri shpalos qëndrimin e tij të prerë për prishjen e marrëveshjes me Sali Berishën dhe arsyet që e shtynë të largohet nga koalicioni me Partinë Demokratike, të cilin ai e cilëson si të deformuar dhe të manipuluar nga një lider i vetëm.
Në pjesën e fundit të intervistës, Jenisheri prek një temë të ndjeshme që ka pasur jehonë ndërkombëtare: praninë e organizatës iraniane MEK në Shqipëri. Ai thekson se mikpritja ndaj tyre ishte një akt humanitar, por paralajmëron se nëse kjo organizatë vijon të përdorë territorin shqiptar për propagandë anti-Iran, atëherë vendi ynë rrezikon sigurinë kombëtare dhe përfshihet në konflikte që nuk i përkasin.
Intervista e plotë:
Zoti Jenisheri, para zgjedhjeve ju u bashkuat me opozitën e drejtuar nga z. Sali Berisha. Çfarë ndodhi që pas zyrtarizimit të listave të kandidatëve u larguat nga koalicioni PD-ASHM?
Selami Jenisheri: Koalicioni në të cilin u bashkova me shumë besim, u përdhos në momentin që listat e kandidatëve për deputetë u bënë pa asnjë konsultim. Sali Berisha nuk thirri asnjëherë tryezën e përbashkët të partive të koalicionit, dhe listat i bëri vetëm sipas vullnetit të tij personal. Kjo është e papranueshme. Nuk ishte një përfaqësim demokratik, por një përzgjedhje arbitrare që shkel mbi vullnetin e 26 partive. Prandaj u largova.
Ju keni deklaruar se gëzoni një mbështetje të gjerë nga pensionistët. Cili është humbësi real nga kjo prishje e marrëveshjes, ju apo z. Berisha?
Selami Jenisheri: Humbësi i vërtetë është populli shqiptar. Unë kam një program të qartë dhe konkret që e çon pensionin dhe minimumin jetik në 200 mijë lekë. Unë tregoj se ku i gjej paratë për këtë, kurse ata jo. Sali Berisha nuk e ka në plan të japë hakun e pensionistëve. Me largimin tim, shqiptarëve u humbi një zë që punon për ta dhe vetëm për ta.
Si ish-deputet, për kë do të bëni fushatë në këto zgjedhje?
Selami Jenisheri: Nuk bëj fushatë për askënd. Zgjedhjet e 11 majit janë të paligjshme. Ato janë një organizim që i ngjan një junte ushtarake. Unë kam qenë gjithmonë i pavarur në mendime – kur PS ka sjellë ndonjë ligj të mirë në Kuvend, e kam votuar. Kam luftuar për votën e diasporës, por PS nuk e donte. Rindërtimi pas tërmetit është një histori me miliona euro të vjedhura nga njerëzit pranë pushtetit. Sot, nëse Edi Rama dëgjon programin tim dhe e zbaton, unë nuk kam asnjë problem me këtë. Edhe projektin e kam gati, edhe paratë i kemi gjetur se ku t’i marrim.
A do të merrni pjesë në votime më 11 maj? Për kë do të votoni konkretisht?
Selami Jenisheri: Jo, unë nuk do të shkoj në votime. Këto zgjedhje janë të paligjshme. Nuk mund të pranoj një proces që zhvillohet mbi shkelje kushtetuese, ndërkohë që nuk janë mbyllur ende ankimimet për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Sot, 500 milionë lekë në muaj paguhen për rroga të paligjshme. Edhe caktimi i datës së 11 majit është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Sa ndikim mendoni se ka largimi juaj te rezultati i Partisë Demokratike dhe sa deputetë mund të humbë ajo?
Selami Jenisheri: Partia Demokratike nuk duhet të marrë asnjë votë, përderisa nuk përfaqëson vullnetin e koalicionit. Lista e kandidatëve është produkt i një njeriu të vetëm – Sali Berishës – që ka mashtruar shqiptarët në emër të një force të madhe politike. PD me programin e saj nuk arrin as të garantojë një pension minimal, e jo më të plotësojë nevojat reale të qytetarëve.
Ju jeni gjobitur nga KQZ. E keni ankimuar vendimin apo do ta paguani gjobën?
Selami Jenisheri: Kjo gjobë është e paligjshme, dhe e kam ankimuar menjëherë. Kolegji Zgjedhor është ngritur në mënyrë të jashtëligjshme – duhej të ngrihej vetëm pasi të mbylleshin ankimimet. Ky vendim është një presion politik, një përpjekje për të më detyruar të hesht. Por unë nuk do të hesht. Më gjobisin sepse e them të vërtetën dhe flas në emër të popullit.
Si e vlerësoni qeverisjen e Edi Ramës gjatë 12 viteve të fundit?
Selami Jenisheri: Kjo qeverisje ka dështuar në çdo aspekt. Rama ka abuzuar me fondet e tërmetit, për të cilat OKB ka dhënë 140 milionë euro. Çdo muaj shpërdorohen 2 miliardë euro që nuk shkojnë te pensionistët, por te klientët politikë. Kam propozuar të punësohen pensionistët që janë në gjendje pune, por qeveria nuk do. Kam kërkuar edhe rikthimin në punë të ish-gjyqtarëve të ndershëm, për të ulur ngarkesën e gjykatave. As kjo nuk është pranuar. Sa për zonën e Ranës së Hedhur, atje mund të ndërtohej një port trans-oqeanik që do e trefishonte buxhetin e shtetit. Por Rama nuk do, sepse nuk do t’i prishë interesat e miqve të tij, si Gjergj Luca.
Cili është qëndrimi juaj për marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë dhe Vatikanin?
Selami Jenisheri: Marrëdhëniet e Shqipërisë me këto dy vende duhen ruajtur në një frymë respekti reciprok, bazuar në interesa të përbashkëta dhe në parime të diplomacisë së balancuar. Shqipëria duhet të jetë një urë lidhëse mes kulturave dhe besimeve, jo një mjet i asnjë fuqie të huaj.
Cili është mendimi juaj për prezencën e muxhahedinëve të MEK në Shqipëri?
Selami Jenisheri: Në thelb, pranimi i tyre ishte një akt humanitar. Shqipëria ka treguar gjithmonë zemërgjerësi në raste të tilla. Por nëse MEK angazhohet në propagandë kundër shtetit iranian nga territori shqiptar, atëherë kjo nuk është më çështje humanitare. Kjo e vendos vendin tonë në një pozitë të rrezikshme. Ne nuk mund të lejojmë që nga Shqipëria të bëhet propagandë kundër një shteti tjetër sovran.
A përbën prania e MEK një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë?
Selami Jenisheri: Po. Në aspektin diplomatik, kjo prezencë ka tensionuar marrëdhëniet me Iranin dhe e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të brishtë. Nëse MEK vazhdon të përdorë Shqipërinë si bazë për aktivitete propagandistike, atëherë rrezikojmë jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe hakmarrje nga një shtet që e ndjen veten të provokuar. Shqipëria nuk duhet të përzihet në konfliktet e brendshme të vendeve të tjera.
A keni ndonjë propozim konkret për forcimin e drejtësisë dhe institucioneve të shtetit?
Selami Jenisheri: Po. Kam propozuar modelin e “detektivit privat” si në SHBA, që ndihmon në zbardhjen e rasteve ku prokuroria nuk ka vullnet. Në Shqipëri, shumë zyrtarë nuk ndëshkohen sepse janë të lidhur me pushtetin. Në SHBA, ligji është gjithëpërfshirës dhe nuk i lë hapësira askujt për t’i shpëtuar ndëshkimit. Një sistem i tillë do të ndihmonte ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit edhe në vendin tonë./gazetaimpakt